E Diel, 1 Nëntor 2026

Fermerët grekë prej ditësh në protesta, probleme në pikat doganore

Fermerë nga e gjithë Greqia kanë deklaruar se çmimet e produkteve janë shumë të ulëta për të mbuluar shpenzimet dhe për këtë arsye, ata kërkojnë garanci për çmimet minimale të produkteve të tyre. Për të shprehur pakënaqësinë e tyre, fermerët kane nisur të zhvillojnë protesta prej disa ditësh. Ata kanë marrë traktorët e tyre dhe kanë bllokuar disa segmente rrugore të rëndësishme. Në greqinë qendore, në afërsi të qytetit Kastro, fermerët bllokuar autostradën kryesore Athinë- Selanik. Ndërkaq fermerët në veri të Greqisë janë zhvendosur në pikëkalimin kufitar me Bullgarinë, duke bllokuar edhe aty rrugën. Për të katërtën ditë me radhë fermerët grekë kanë zbritur nëpër rrugë me traktorët e tyre dhe mjete të tjera bujqësore duke mbajtur të bllokuar në tri pika aksin rrugor kombëtar Athinë-Selanik të Greqisë qendrore dhe asaj veriore. Mesditën e së hënës, protesta është përshkallëzuar pasi fermerët bllokuan aksin rrugor që çon në pikëkalimin e Kapshticës me Shqipërinë dhe pikëkalimin kufitar Promahona me Bullgarinë. Fermerët thonë se janë të mbytur në borxhe dhe kërkojnë garantim të çmimeve minimale për produktet e tyre, karburante më të lira dhe akordimin e subvencioneve bujqësore. "Bllokimet e rrugëve nuk përbëjnë zgjidhje" deklaroi zëdhënësi i qeverisë greke. Ajo druhet se mos përseritet protesta e një viti më parë, që paralizoi Greqinë dhe i ftoi fermerët në dialog. Fermerët kërcënojnë edhe me bllokimin e katër pikëkalimeve të tjera kufitare me Maqedoninë, Bullgarinë edhe Turqinë. Bullgaria kërcënon me apelim pranë organeve komunitare për pengesat në transportin e mallrave dhe udhëzoi qytetarët e saj që të evitojnë udhëtimin për Greqi për 10 ditët e ardhshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›