Master me diplomë zvicerane në Shqipëri
Rektori i Universitetit të Tiranës, gjatë vizitës së tij në Gjenevë, nënshkroi ditën e enjte një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Uebsterit. Kjo marrëveshje ka si bazë krijimin e një masteri të ri ekzekutiv, Master në Administrim Biznesi (MBA), që do të jetë i përbashkët ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Uebsterit. Ky program pritet që të hapet brenda vitit të ardhshëm akademik, në bazë të marrëveshjes. Pedagogët do të jenë të përbashkët, ndërkaq diploma që do të lëshohet do të jetë e dyfishtë, si nga Universiteti i Tiranës, ashtu dhe nga Universiteti i Uebsterit. Gjithashtu, marrëveshja përmban një sërë pikash të tjera bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve. Universiteti i Uebsterit është një ndër universitetet më të mëdha me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me mbi 100 kampuse në mbarë botën, prej Gjenevës në Tajlandë dhe Australi.
#