E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia asgjëson dhjetëra rrënjë Cannabis, arrestohet kryeplaku



Pukë - Forcat e Komisariatit të rrethit të Pukës, pas një operacioni disaditor për krehjen e të gjithë sipërfaqes pyjore më të madhe në vend, kanë bërë të mundur identifikimin dhe asgjësimin e rreth tri parcelave me më shumë se 700 rrënjë me bimë Cannabis sattiva. Pas asgjësimit të lëndës narkotike është arrestuar Josif Gjinaj, kryeplaku i fshatit për moskallëzim si dhe Aleks Gjonaj, pasi në afërsi të stanit të këtij të fundit u gjetën edhe tri parcelat e mbjella me bimë narkotike. Rrethi i Pukës gjatë këtij viti ka hyrë në zonat e nxehta të hartës të kultivimit ku janë përqendruar dhe aksionet masive nga policia. Mëngjesin e së mërkurës forcat e Komisariatit të policisë së rrethit të Pukës kanë startuar aksionet masive për identifikimin e bimëve narkotike. Mbi bazën e një planë masash të hartuara nga vetë kreu i Komisariatit, Gjin Lesi, blutë e Pukës fillimisht kanë zbarkuar në pjesën veriperëndimore të rrethit pikërisht në malet e Komanit dhe Karmes. Gjatë asgjësimit të parcelës së parë u identifikua dhe rrjeti ujësjellës i montuar në parcelë, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe dy motopompat që bënin të mundur furnizimin me ujë të parcelës përmes gjeneratorëve. Vetëm 2 km nga parcela e parë, policia ka identifikuar edhe atë të dytën me mbi 500 rrënjë të tjera kanabis. Këto parcela janë zbuluar nëpërmjet sistemit ujitës. Asgjësimi i bimës së ndaluar u bë përmes djegies.

21 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›