E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masterat, UT nxjerr 81 fituesit e Institutit të Studimeve Europiane

Jonida Tashi
Universiteti i Tiranës publikon zyrtarisht emrat e 81 kandidatëve, që kanë fituar të drejtën për të vijuar Masterin e Nivelit të Dytë në Institutin e Studimeve Europiane. Sipas burimeve zyrtare të këtij Universiteti, kandidatët e shpallur fitues nga Komisioni i posaçëm vlerësues, duhet të regjistrohen deri në datën 15 shkurt në mjediset e Institutit të Studimeve Europiane, pranë Universitetit të Tiranës. Tarifa e miratuar e studimit për këto studime është 100 mijë lekë.
Masterat
Pas miratimit të hapjes së Institutit të Studimeve Europiane, qeveria ka vendosur edhe masterat që do të ndiqen pranë tij, duke filluar që nga ky vit akademik. Këshilli i Ministrave ka miratuar hapjen e programeve të studimit, të ciklit të tretë, “Master i Nivelit të Dytë”, në Institutin e Studimeve Europiane, në: “Legjislacion dhe institucionet europiane”; “Politika dhe qeverisja në Europë”: “Diplomacia dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Bashkimit Europian (BE)”. Programet e studimit që do të ofrojë Instituti i Studimeve Europiane, si njësi kryesore, ndërfakultetore, në Universitetin e Tiranës kanë për mision: organizimin e veprimtarive kërkimore-shkencore dhe të zhvillimit; organizimin dhe ofrimin e programeve të studimeve të ciklit të dytë dhe të tretë; ofrimin e shërbimeve për të tretë dhe konsulenca në fushën e studimeve europiane. Po ashtu, Instituti i Studimeve Europiane ka si qëllim të veprimtarisë të tij përgatitjen dhe formimin e vazhduar të specialistëve shqiptarë, në kuadër të proceseve integruese drejt Bashkimit Europian dhe më gjerë. Njësitë bazë të Institutit të Studimeve Europiane janë departamentet, si më poshtë vijon: “Politika dhe qeverisje”; “Diplomacia dhe marrëdhëniet ndërkombëtare”; “Legjislacioni dhe institucionet europiane”.
Pranimi
Parimisht gara për të fituar Masterin në Institutin e Studimeve Europiane duhej të ishte tepër e fortë, dhe kjo për vetë faktin se kandidatët duhet të plotësonin një rërë kriteresh, që kishin të bënin më arsimin e tyre pasuniversitar. Kështu, sipas kritereve të vendosura nga Universiteti i Tiranës, për të aplikuar për ndjekjen e programit “Master i Nivelit të Dytë” në Studime Europiane, kandidatët duhet të duhet të përmbushnin kriteret e mëposhtme: të zotëronin një diplomë universitare Diplomë e Nivelit të Dytë (DND) ose Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë (DNID), të lëshuar nga një universitet brenda ose jashtë vendit,(ekuivalentuar nga MASH) në një nga fushat: Shkenca sociale, Jurisprudencë, Ekonomi, Histori, Filologji; të kishin notë mesatare të studimeve universitare 8 e lart; të zotëronin gjuhën angleze (diplomë e UT, TOEFL 550/213 pikë, IELTS (International English Language Testing System) 6.5, CPE-Cambridge Certificate of Proficiency in English “C”, CAE-Cambridge Certificate of Advanced English “C”); preferohej zotërimi edhe i një tjetër gjuhe perëndimore; të ishin të rekomanduar nga dy persona që i njihnin aftësitë akademike, profesionale dhe kërkimore të kandidatit (njëri nga rekomanduesit duhet të zotëronte një titull ose gradë shkencore të një institucioni të arsimit të lartë); të kishin lejen për vazhdimin e studimeve nga titullari i institucionit ku punojnë, (nëse janë të punësuar).

12 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›