Thaçi optimist: “Vale e re njohjesh pas vendimit të Hagës”
Ndonëse Serbia shpreson që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të jetë në favor të saj lidhur me ligjshmërinë e Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi shprehet optimist se pas vendimit këshillëdhënës, do të pasojë një valë e re e njohjeve të Kosovës. Në një intervistë për të përditshmen austriake “Die Presse”, Thaçi ka thënë se ai pret që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të dëshmojë se respekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Thaçi po ashtu ka vlerësuar se Kosova është treguar e suksesshme në lobimin për njohjen e saj, ndërsa ka theksuar se shtetet që deri tani nuk e kanë njohur Kosovën, “tashmë kanë filluar të ndërrojnë mendjen”. Në mesin e tyre, sipas Thaçit, janë edhe ato shtete te BE-së që deri më tani kanë qenë skeptike. I pyetur për papunësinë e madhe, korrupsionin dhe pagat e ulëta në Kosovë, Thaçi është shprehur se pavarësia e vendit nuk ka mundur të krijonte mrekulli, por ka shpjeguar se këtë vit do të sillen vendime të rëndësishme në fushën e energjetikës dhe të infrastrukturës. Ai ka paralajmëruar privatizimin e PTK-s dhe të qendrave turistike dimërore në vend, të cilat sipas kryeministrit, do të sjellin investime të jashtme dhe vende të reja të punës.
12 Shkurt 2010