Masterat, nisin aplikimet në universitete
Universitetet publike kanë nisur pranimin e aplikimeve për Master të Nivelit të Parë dhe Diploma të Nivelit të Dytë. Të gjithë të diplomuarit e sistemit 3-vjeçar, që kanë përftuar një Diplomë të Nivelit të Parë, kanë mundësi të regjistrohen në universitete për studimet e ciklit të dytë deri më 30 shtator. Për regjistrimin, studentët duhet të paraqesin në sekretariatet e fakulteteve dosjen e tyre personale me listën e notave të marra nga sekretaria mësimore e universitetit që kanë përfunduar shkollën, certifikatë personale me fotografi, dy fotografi si edhe faturën e pagesës së komisionit prej 400 lekësh. Aplikimi, sipas kritereve të vendosura nga vetë institucionet e arsimit të lartë kryhet në bazë të dosjeve personale të kandidatëve dhe në të gjitha ato raste ku ka më shumë kandidatë sesa kuota pranimi do të merret për bazë mesatarja e përftuar përgjatë studimeve të nivelit të parë (bachelor).
Aplikimi
Aplikimi kryhet çdo ditë në të gjitha departamentet e universiteteve publike që kanë programe Master të Nivelit të Parë apo Diploma të Nivelit të Dytë. Kandidatët duhet të paraqesin dokumentacionin e kërkuar në sekretari pa dhënë provime, apo pa kritere shtesë për pranimin e tyre. Shumica e degëve që ofrojnë Mastera të Nivelit të Parë dhe Diploma të Nivelit të Dytë kanë vendosur si kriter pranimi mesatare mbi 8 përgjatë trevjeçarit të studimeve universitare, megjithatë ky kriter varion nga dega në degë.
Aktualisht, Diploma të Nivelit të Dytë ofrohen vetëm nga Universiteti i Tiranës, Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Universiteti Politeknik i Tiranës. Ndërkohë, Mastera të Nivelit të Parë, që janë kryesisht për mësuesi ofrohen përveçse nga tri universitetet më të mëdha të vendit, edhe nga universitetet e rretheve, si Universiteti i Shkodrës, Gjirokastrës, Elbasanit, Vlorës, Korçës, Gjirokastrës dhe Durrësit.
Përzgjedhja
Përzgjedhja e studentëve fitues kryhet nga një komision i posaçëm që ngrihet nga stafi akademik i çdo departamenti që ka programe të ciklit të dytë të studimeve. Ky komision, pasi shqyrton dosjet e kandidatëve dhe arritjet e tyre të mëparshme, vendos se cilët do të jenë ata që do të hyjnë në studimet e ciklit të dytë dhe cilët nuk kualifikohen. Rezultatet shpallen pranë departamenteve.
Por, sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, universitetet duhet të rezervojnë 70% të kuotave të pranimit për ata studentë që kanë vijuar studimet pranë universitetit në fjalë dhe 30 për qind të kuotave për të diplomuar të universiteteve të tjera. Ky rregull mund të shkelet vetëm kur nuk ka mjaftueshëm aplikime për të plotësuar 30% për të diplomuarit e universiteteve të tjera.