E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkollë e re profesionale në Durrës



Arsimi profesional ka qenë dhe mbetet prioritet i qeverisë, ndaj edhe këtë vit të ri shkollor nuk do të mungojnë investimet nga buxheti i shtetit dhe donatorët e huaj. Në kuadrin e krijimit të kushteve sa më bashkëkohore për mësimdhënien nga qeveria, Këshilli i Qarkut të Durrësit po shkon drejt krijimit të një shkolle profesionale, e cila do të plotësojë nevojat për punonjës të kualifikuar në bazë të kërkesave të tregut të punës në shkallë qarku. Kjo iniciativë ka gjetur pasqyrim në një VKM, e cila do ta kalojë arsimin profesional në vartësi të pushtetit vendor. Çdo vit në qarkun e Durrësit llogariten afro 8116 nxënës të cilët përfundojnë arsimin 9-vjeçar. Ata janë kryesisht kontigjente të komunave e bashkive periferike të Durrësit si dhe nga rrethi i Krujës. Pikërisht për të arsimuar këtë kontigjent është vendosur ngritja e një shkolle profesionale, degët e së cilës do të vendosen në bazë të kërkesave të tregut të punës në Durrës e Krujë. Të tilla degë mund të jenë ajo e artizanëve të prodhimeve specifike të Krujës apo e restauruesve të monumenteve të kulturës në Durrës, e peshkatarëve si dhe e degëve të tjera për të cilat tregu ka nevoja të ngutshme. Nisur nga kjo iniciativë e qeverisë, si dhe me bashkëpunimin edhe të MASH-it, kreu i Këshillit të Qarkut të Durrësit, Seid Kërtusha, zhvilloi një takim me përfaqësues të SWIS-Contact-it , të cilët kanë marrë përsipër asistencën teknike për realizimin e këtij projekti, me përfaqësues të arsimit profesional të MASH, si dhe me ata të Dhomës së Tregtisë e të Bashkisë së qytetit të Durrësit. Në takim u bë i njohur drafti për Decentralizimin e Arsimit Profesional, sipas të cilit qarku i Durrësit është shpallur qysh në vitin 2008, “qark pilot” në shkallë vendi. Një konferencë kombëtare që do të organizohet në Durrës, do të përcaktojë edhe kriteret e realizimit të projektit. Kreu i qarkut, Kërtusha, deklaroi për “standard” se ”Këshilli i Qarkut të Durrësit synon për një politikë të re rajonale të arsimit dhe formimit profesional i cili t’i përgjigjet zhvillimit ekonomik të rajonit për vitin e ri shkollor 2009-2010”. Sipas tij, “decentralizimi i arsimit profesional mbështetet në krijimin e Qendrës së Arsimit dhe Formimit Profesional në nivel qarku, në kalimin e aseteve arsimore te kjo qendër si dhe në krijimin e bazës financiare për këtë arsim”. Synimi është që gjatë vitit të ri shkollor 2009-2010 të arrihet perfeksionimi i shkollës profesionale e cila do të ketë si prioritet të sajin përgatitjen profesionale të të rinjve të fshatit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›