Qeveria “Berisha 2” votëbesohet në Kuvend
Kuvendi miratoi dje qeverinë e katër viteve të ardhshme. Më 74 vota pro dhe vetëm 1 kundër, Kryeministri Sali Berisha do të drejtojë vendin në një mandat të dytë. Në një seancë prej rreth 5 orësh, ku opozita socialiste nuk mori pjesë, kreu i qeverisë dhe ministrat me radhë paraqitën programin dhe prioritetet për çdo dikaster në katër vitet e ardhshme. Kryeministri Sali Berisha hapi seancën plenare ku lexoi programin e plotë të qeverisë për vitet në vijim. Berisha përmendi të gjitha prioritetet e qeverisjes së katër viteve në vijim, si dhe nënvizoi se parësore do të jetë ëndrra evropiane e shqiptarëve. “Unë dua të garantoj ata se kryefjala e kësaj qeverie dhe këtij programi do të jetë ndryshimi që ata mirëpresin dhe për të cilin ata votuan”, - tha Berisha. Kryeministri përmendi se qeverisja e ardhshme do të jetë më sociale, do të ketë më shumë investime në infrastrukturë, do të vijojë rritja e pagave dhe pensioneve, do të vijojë ritmi i reformave etj. Ai ftoi edhe opozitën që të zërë vendin e saj në sallën e Kuvendit.
Më tej, fjalën e morën ministrat me radhë, duke nisur nga ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Ai nënvizoi në veçanti se koalicioni i ri qeverisës do të jetë solid dhe do të ketë si prioritet mirëqeverisjen. Meta tha se programi ka të njësuara prioritetet e LSI-së. Një tjetër ministër që mori fjalën ishte edhe Lulzim Basha, ministër i Brendshëm. Ai garantoi se do të arrihen angazhimet për heqjen e vizave. Basha premtoi reformë si dhe rritjen e sigurisë për qytetarët shqiptarë. Në vijim, të gjithë ministrat pa përjashtim morën fjalën ku parashtruan programin e dikasterit të tyre. Fjalën e morën edhe një numër i konsiderueshëm deputetësh. Në Kuvend foli edhe deputeti i vetëm i opozitës në sallë, që nuk ka bojkotuar seancat. Ai kërkoi më shumë vëmendje për minoritetet. Në fund të diskutimeve dhe shpalosjes së programeve, seanca kaloi në votimin ku me 74 vota pro iu dha mandati katërvjeçar qeverisë “Berisha 2”.
Basha: Angazhim të plotë për heqjen e vizave
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, paraqiti dje para deputetëve programin e kësaj ministrie, duke garantuar se do të ketë një angazhim maksimal për përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave. Në fillim të fjalës së tij, Basha renditi prioritetet bazë të institucionit, duke vënë theksin në një siguri më të lartë për qytetarët shqiptarë. “Forcimi dhe garantimi i rendit dhe sigurisë publike, individuale dhe komunitare, lufta me zero tolerancë kundër krimit, trafiqeve dhe korrupsionit. Përmbushja e detyrimeve për hedhjen e vizave veçanërisht në përmbushjen e detyrimeve për sigurinë e dokumenteve dhe kontrollit të kufijve, konsolidimi i administratës dhe pushtetit vendor nëpërmjet decentralizimit, nëpërmjet zhvillimit rajonal, do të vazhdojnë të përbëjnë angazhimet e Ministrisë së Brendshme gjatë këtij mandati”, - deklaroi Basha. Duke shpalosur më tej prarimin dhe prioritetet e Ministrisë së Brendshme, Basha tha se do të ketë zero tolerancë ndaj krimit, do të ketë trajnime për punonjësit, investime në rritjen e shërbimeve, si dhe ndjekje ndaj zyrtarëve të korruptuar. Basha shtoi se do të forcohet më tej kontrolli ndaj kufijve si dhe do të këtë një bashkëpunim më të ngushtë me institucionet e Bashkimit Evropian për menaxhimin e kufijve.
Ilir Meta: Programi reflekton prioritetet e LSI-së
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi dje në Kuvend se qeverisja e ardhshme katërvjeçare do të realizojë të gjitha reformat dhe prioritetet e vendit. Meta falënderoi Kryeministrin Berisha, duke thënë se prioritetet e LSI-së janë përfshirë në qeverisje. "Falënderoj Kryeministrin Berisha për mirëkuptimin e treguar dhe për integrimin ne programin e qeverisë, të pikave kryesore që ka patur LSI në prioritetet e saj", - u shpreh Meta. Ai tha më tej se qeverisja e katër viteve të ardhshme do të realizojë ëndrrën e shqiptarëve për integrimin evropian, si dhe qeveria do të ketë më shumë prioritete sociale. “Ashtu sikurse dihet, LSI-në dhe PD-në i ka bashkuar qëllimi i integrimit në Bashkimin Evropian”, - tha më tej Meta duke shtuar se ky është interesi i të gjithë shqiptarëve. Ai më tej garantoi votuesit e LSI-së do të përmbushë premtimet dhe detyrimet duke dhënë kontributin e kësaj force në zhvillimin e vendit. Një nga këto prioritete është edhe rritja e shërbimeve sociale. "Pjesë e rëndësishme e programit qeveritar është reformimi i shërbimeve sociale, miratimi i ligjit të moshës se tretë, lufta kundër varfërisë, përmirësimi i sistemit shëndetësor e arsimor", - u shpreh Meta.
Nishani: Ja prioritetet e drejtësisë 2009-2013
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, shpalli dje në Kuvend programin e plotë të reformimit të sistemit të drejtësisë në katër vitet në vijim. Ai deklaroi para deputetëve se reformimi do të vijojë, duke u mbështetur në disa prioritete. Nishani tha se do të jetë prioritet ekzekutimi i vendimeve gjyqësore, pasi sipas tij, vetëm në këtë mënyrë mund të quhemi një shtet serioz. Ai premtoi se do të arrihet mesatarja e vendeve të BE-së. Ministri i Drejtësisë premtoi reformë në avokati, noteri, dixhitalizimin e shërbimeve etj.
Majlinda Bregu: Jemi në fazën intensive të integrimit
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, paraqiti dje në seancën e Kuvendit një përmbledhje të punës që do të bëjë dikasteri që ajo drejton me qëllim për ta bërë Shqipërinë anëtare të familjes së madhe evropiane. Ajo tha se vendi ndodhet aktualisht në fazën intensive të realizimeve të reformave të cilat janë pika kyçe për integrimin e vendit. “Ky 4-vjeçar ka nisur me një fazë intensive, me një sërë pikash që duhen plotësuar në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Procesi i integrimit në BE ka marrë një drejtim cilësor. Do të konsolidohen marrëdhëniet me Komisionin Evropian dhe strukturat e tij”, - deklaroi Bregu.