E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masterat, sot dalin rezultatet e para



Rezultatet, të ndara sipas fakulteteve

Fituesit në MNP, DND dhe MND

Nga dita e sotme të gjitha departamentet në Universitetin e Tiranës dhe universitetet e tjera që kanë programe të nivelit të dytë të studimeve, do të nisin publikimin e fituesve në këto departamente. Burime nga Universiteti i Tiranës bëjnë të ditur se shpallja e fituesve do të kryhet pranë sekretarive mësimore të këtyre universiteteve dhe lista e plotë e të pranuarve do të afishohet në një vend të dukshëm në fakultet.

Shpallja e fituesve

Shpallja e fituese të ciklit të dytë të studimeve, por edhe të programeve Master të Nivelit të Parë dhe Master të Nivelit të Dytë është në dorë të vetë departamenteve dhe nuk është e centralizuar, as në rang universiteti e as në rang ministrie, siç është bërë me përzgjedhjen e fituesve të nivelit të parë, ose të sistemit me kohë të pjesshme. Në këtë mënyrë edhe data e shpalljes së fituesve varion.

Fakulteti i Shkencave Sociale, ai i Historisë dhe Filologjisë, si edhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja janë tre fakultetet e para që brenda këtyre ditëve do të shpallin fituesit. “Shpallja e fituesve bëhet nga vetë fakultetet dhe lista e plotë afishohet në mjediset e tyre”, – bëri të ditur për “standard” drejtori i Komunikimit, në Universitetin e Tiranës, z. Ervin Demo.

Të përzgjedhurit

Por, ndarja paraprake është respektuar nga departamentet, sipas burimeve nga Universiteti i Tiranës. Kështu, jo më shumë se 7 në dhjetë studentë do të jenë nga dega në fjalë. Kjo, pasi Vendimi i Këshillit të Ministrave për programet master i detyron të gjitha departamentet, që të paktën 30 për qind të studentëve të ciklit të dytë, t’i përzgjedhin nga shkolla të tjera të larta e jo vazhduesit e tyre. Në këtë mënyrë, programet e masterit për histori nuk do të kenë më shumë se 70 për qind studentë nga departamenti i universitetit përkatës dhe do të duhet të përzgjedhin pjesën e mbetur nga departamentet e tjera të të njëjtit lëmë të universiteteve në rrethe ose nga degë të ndryshme, por të përafërta me këtë lëmë.

Regjistrimi

Komisionet e posaçme të ngritura pranë çdo departamenti, janë drejt fundit të procedurës së përcaktimit të fituesve mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur, si edhe njohjen e plotë ose të pjesshme të krediteve të fituara për të gjithë ata kandidatë që vijnë nga programe studimi të ngjashme, të ciklit të parë. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, fituesit do të duhet të ishin përcaktuar më 28 tetor, brenda orës 16, ndërsa regjistrimi do të kryhej nga data 29 tetor deri më 31 tetor, nga ora 8 deri në orën 18. Por për shkak të një ngërçi burokratik, e gjithë kjo procedurë është shtyrë nga vetë sekretaritë mësimore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›