Heqja e vizave, leverdi publike apo politike
Për përfaqësuesit më të lartë evropianë liberalizimi i vizave me Shqipërinë nuk është më një utopi, por një mundësi e pritshme, e cila mund të realizohet brenda vitit të ardhshëm. Deklarata e ministrit të jashtëm italian, Franko Fratini, për “liberalizim të njëanshëm të hyrje-daljeve me Italinë”,mund të konsiderohet si prologu i këtij procesi aq të dëshiruar dhe të shumëpritur për shqiptarët. Por, çuditërisht, të majtët shqiptarë e kanë përjetuar ndryshe këtë surprizë që erdhi nga aleati ynë i madh, Italia. Në selinë e PS-së ka rënë “bomba”, sepse asgjë tani nuk do t’i “legjitimojë” veprimet e tyre përpara opinionit shqiptar.
Liberalizimi i vizave është shprehje e një interesi të madh kombëtar, që nuk i përfill ndikimet politike.
Me këtë proces janë të lidhur drejtpërsëdrejti interesat e gati 2/3 të shqiptarëve që presin shengenizimin e rajonit. Ky interes i përbashkët kombëtar e publik është pa dyshim edhe interes ekonomik, pasi shkurton koston e lëvizjeve dhe ndihmon realizimin e një jete më të mirë. Skepticizmi i socialistëve tanë tregon qartë se ata i vështrojnë ngjaje të tilla nga një këndvështrim tepër i ngushtë politik, i ndryshëm nga ai i qeverisjes së sotshme.
Për të djathtët duket qartë se qeverisja konsiderohet thjesht si rregullimi ose ekuilibri i interesave afatgjata të vendit. Këtë e vërtetojnë më së miri përpjekjet e mëdha dhe të vazhdueshme që bën qeveria për të përshpejtuar anëtarësimin në NATO, BE dhe struktura të tjera të rëndësishme dhe jetike për shqiptarët. I gjithë ky proces hapjeje dhe afirmimi ndërkombëtar i demokracisë shqiptare është ndodhur paradoksalisht nën një trysni aspak dashamirëse, madje hipokrite, të opozitës, duke lidhur gjithçka me luftën politike të momentit dhe zhvatjen e kapitalit politik.
Opozita, në mungesë të fakteve dhe argumenteve, i ka veshur pretendimet e veta me argumente boshe e gënjeshtra, duke bërë objekt diskutimi ngjarje siç ishte vdekja aksidentale e të ndjerit Trebicka, aferat dhe implikimet e supozuara të z. Fazlliç apo tani se fundi, dyshimi absurd se liberalizimi i vizave është vetëm një premtim elektoral i pambajtur dhe një mashtrim i radhës nga maxhoranca.
Pra, supozime, vetëm supozime. Askush nga të majtët nuk do t’ia dijë se ekziston një interes i një kombi dhe se ky interes, në mënyrë universale dhe të pandryshueshme qëndron veças dhe është superior ndaj atyre grupeve të veçanta që përfshihen brenda kombit, por vazhdojnë të mendojnë si paraardhësit e tyre komunistë që e izoluan vendin plot 50 vjet. Në asnjë rast në veprimet apo deklarimet e Ramës nuk kemi vërejtur ndonjë gjë të ngjashme me interesin kombëtar e publik. Ai del e deklaron poshtë e lart se është antipolitik, por në të vërtete, është zhytur kokë e këmbë në llumin e politikës së interesave të ulëta skeptike, që nuk i lidh asgjë me të mirën e përbashkët. Në shoqëritë demokratike ka me mijëra grupe të cilat kanë interesa dhe objektiva që konkurrojnë njëra-tjetrën, por këto interesa nuk dalin në konflikt me objektivat dhe interesat kolektive. Zoti Rama dhe ndjekësit e tij udhëhiqen vetëm nga intuita e tyre personale për pushtet dhe as që u shkon në mendje për interesin publik. Por ashtu sikurse edhe shteti, politika ekziston para së gjithash për qëllimet e nxitjes së interesit publik dhe të mbrojtjes së interesave kombëtare, sido që të përkufizohen këto interesa. Pa mbrojtur interesat e kësaj tërësie, interesat themelore dhe të qëndrueshme nuk mund të ketë politikë. Ndoshta prandaj Rama deklaron se është antipolitikan. Ky ideal i tij platonik nuk mund të ushqejë kurrsesi një aspiratë për të ardhur në pushtet. Politikanët modernë e realistë nuk mund të sillen në këtë mënyrë. Interesi kombëtar është një peshë e rëndë dhe e pandryshueshme në peshoren elektorale. Sigurisht që në demokraci nuk mund të pritet që politikanët vërtet të lënë mënjane ambiciet e tyre personale, por kushti i mbijetesës ka qenë historikisht dhe është që këto ambicie të jenë të lidhura ngushtë me një dëshirë të mirëfilltë për të bërë mirë dhe për të përdorur pushtetin politik në të mirë të shoqërisë. Janë politikanet ata të cilët në një demokraci janë si zyrtarisht, ashtu edhe deri diku praktikisht arbritrat e asaj që quhet interes kombëtar e publik. Ndryshe, legjitimiteti i tyre është jo real. Prandaj, është i frikshëm pretendimi i PS-së për të ardhur në pushtet. Ai rreket ta shfrytëzojë pushtetin për qëllime private, duke mos pasur asnjë përkushtim ndaj paanshmërisë së proceseve të integrimit dhe evropianizimit. Dhe të mendosh që z. Rama kërkon të hyjë në zgjedhje me kartën e “antipolitikanit”! Ky deklarim është sa tendencioz, aq edhe korruptiv për misionin politik dhe mungesë vëmendjeje ndaj interesave të vërteta të njerëzve. Mashtrimet politike të ditës të opozitës nuk i krijojnë asaj asnjë profil politik të besueshëm para qytetarëve.