Trafiku i drogës, arrestohet taksisti me 4 kg heroinë
Policia e Shtetit ka vënë në pranga një 26-vjeçar, i cili po tentonte të kalonte drogën për në Greqi
Një person me 4 kg heroinë është arrestuar nga Policia e Shtetit në pikën e kalimit doganor të Kakavijës. Uniformat blu organizuan ditën e djeshme operacionin “Taksisti”, ku në pranga ra 26-vjeçari Blenar Gremi nga fshati Zharrës i qytetit të Fierit. Gremi ushtronte profesionin e taksistit dhe ai po kalonte për në kufirin grek. Droga ishte fshehur në mjetin ku ai punonte. Pas kontrollit të kryer nga ana e uniformave blu, u arrit të gjendej sasia prej 4 kg e 145 gr heroinë. Menjëherë 26-vjeçarit i janë vënë prangat dhe ai është transportuar për në ambientet e paraburgimit. Policia ka nisur hetimet, pasi dyshohet se Gremi nuk punonte vetëm, por është pjesë e një grupi të trafikimit të lëndëve narkotike. 26-vjeçari kishte marrë mjetin e tij të punës, një makinë tip “Mercedes Benz”, me targa FR 6541 C, me synimin për të kaluar për në territorin grek. Ndërsa po tentonte të kalonte kufirin, në doganën e Kakavijës ai i është nënshtruar kontrollit nga ana e punonjësve të policisë. Gjatë kontrollit të automjetit të drejtuar prej tij, u gjetën të fshehura në pjesën e brendshme të këtij mjeti 8 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me një peshë prej rreth 4 kg e 145 gr. Policia dyshon se lënda narkotike kishte si destinacion tregun grek. Menjëherë Gremi u arrestua nga uniformat blu dhe ai u dorëzua në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës. Sasia e heroinës, automjeti i tij, shuma prej 500 eurosh dhe 8.000 lekë të reja, si dhe tre aparate celularë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gremi është dërguar në ambientet e paraburgimit, ku pritet që të dalë përpara drejtësisë shqiptare, me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë për Krime të Rënda. Gjithashtu, është ngritur një grup pune, për të hetuar në lidhje me këtë ngjarje. Kjo pasi policia dyshon se Gremi është pjesë e një rrjeti të mirëorganizuar trafikantësh të lëndëve narkotike, të cilët operojnë së bashku. Por do të jetë përfundimi i hetimeve, që do të zbardhë gjithçka në lidhje me këtë çështje.