E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masterplani QSUT, instalohen pajisjet e reja

Ngrihen grupe pune për testimin e punimeve ndërtimore, elektrike, mekanike

Në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” ka nisur vendosja dhe instalimi i aparaturave të spitalit të ri, masterplani i QSUT. Gjatë këtyre javëve është bërë ngritja e komisioneve të cilët kanë marrë në dorëzim këto aparatura. Me vendosjen e tyre do të nisë testimi për mbarëvajtjen në punë dhe njëkohësisht me këtë procedurë do të jetë edhe trajnimi i stafit mjekësor për ato aparatura të cilat janë të reja për QSUT-në. “Ky spital është një nga sfidat më të mëdha të vitit që ne kemi përpara. Aktualisht grupi i punës po mblidhet çdo ditë për të parë ecurinë e punimeve, si dhe për të ndarë detyrat aty ku duhen. Ne jemi të vendosur që këtë sfidë ta çojmë deri në fund, që do të thotë përurimin e këtij spitali në këto muaj”, ka pohuar drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi. Sipas tij, tashmë është përcaktuar nga palët grafiku i detajuar i trajnimit të stafeve mjekësore për përdorimin e aparaturave mjekësore, proces i cili ka filluar më 28 maj. Nga ana tjetër janë ngritur grupet për testimin dhe marrjen në dorëzim të objektit. Grupet e ngritura janë duke testuar punimet ndërtimore, elektrike, mekanike, linjat e gazrave. Gjatë kësaj kohe është bërë testimi i kaldajës së ujit të ngrohtë, ujit sanitar dhe avullit, testimi i linjave elektrike, transformatorëve.

Në këtë spital me pesë kate do të vendosen shërbimet e ekzaminimeve të imazherisë dhe diagnostikimit, qendra e sterilizimit, urgjenca, mjekësia e përgjithshme, laboratorët klinikë, hematologjia, si dhe laboratori histologjik. Brenda spitalit të ri janë parashikuar të jenë 115 shtretër për trajtimin e të sëmurëve. Në përfundim të të gjithë projektit në spitalin e ri universitar në Tiranë, në katin e pestë do të jenë shtatë salla operacioni, tetë shtretër pas operacionit dhe laboratori histologjik.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›