Kuvendi, komision për masakrën e Tivarit
Mazhoranca brenda kësaj jave pritet të ngrejë një komision hetimor parlamentar, i cili do të mbledh fakte mbi rolin e ish-drejtuesve të Partisë së Punës së Shqipërisë në masakrën e Tivarit. Ishte Kryeministri Berisha, i cili në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar theksoi se shqiptarët kanë të drejtën ta dinë kush e organizoi masakrën dhe se ata që e bënë atë duhet të marrin dënimin e merituar. Sipas Berishës, ka prova dhe fakte të qarta se pjesëmarrës në këtë masakër të djemve shqiptarë në Tivar është edhe ish-presidenti Ramiz Alia. “Gjenocidi i Tivarit nuk është një fantazi, por është vepra më e shëmtuar, më e rëndë që ka ndodhur ndonjëherë mbi këtë komb. Ishin djemtë e familjeve shqiptare të cilët u ekzekutuan vetëm e vetëm për t’u pakësuar shqiptarët dhe këta kriminelë shqiptarë, që morën pjesë në këtë masakër duhet të marrin ndëshkimin e tyre ekzemplar”, deklaroi Berisha. Sipas tij, Parlamenti shqiptar duhet ta bashkërendojë punën e tij për hetimin e kësaj masakre edhe me vendet e tjera të rajonit, në mënyrë që ngjarja dhe fajtorët të dalin të qartë përpara syve të të gjithëve. Nga ana tjetër, Kryeministri hodhi akuza të ashpra ndaj ish-presidentit Ramiz Alia, duke e quajtur një barabar i cili sot kishte guximin të shkruante edhe libra. Sipas tij, ai dhe drejtues të tjerë gjatë kohës së diktaturës po përpiqen ta rikthejnë regjimin me ardhjen e bllokmenëve në krye të Partisë Socialiste.
#