E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mat, PD u premton ndërtimin e Urës, banoret: Mashtrim

Premtimet e politikanëve gjatë fushatave elektorale janë të shumta, por ato që realizojnë janë shumë pak. Banorëve të fshatit Baterrë e Vogël, në rrethin e Matit u është premtuar ngritja e një ure, por për urën e re është punar vetëm një ditë. 

MAT- Banorët e Baterrës së Vogël në komunën Komësi të rrethit të Matit prej vitesh vuajnë mungesën e një ure të sigurtë. Gjatë fushatës zgjedhore nga kandidatët e Partisë Demokratike atyre i është premtuar se do tu ndërtohet një urë e re dhe më 27 qershor kanë çuar edhe materialet për ndërtimin e urës, por që nga ajo ditë nuk po punohet për ndërtimin e urës që do të zgjidhte hallet e banorëve të zonave përreth

Njëri nga banorët shprehet se “ju patëm thënë se nëse nuk e ndërtoni urën ne nuk do të marrim pjesë në votime si fshat. Ata i sollën materialet, mbaruan votimet dhe asgjë s’ka nisur. Nëse s’do kishin ardhur materialet për urën shumica nuk do të kishte shkuar në votime. Ka kaluar një muaj dhe puna ende s’ka nisur për ndërtimin e urës”- shprehet banori i zonës.

Sipas banorëve ura ekzistuese bëhet shumë e rrezikshme në dimër me ngricat ndaj dhe ndërtimi i saj duhet të bëhet sa më parë.

“Në dimër ura mbulohet me ngricë, është shumë e ngushte dhe fillon të lëkundet.”- një tjetër shton “kjo urë ka vënë shumë herë në rrezik njerëzit, ka pasur shumë raste që kanë rrëshqitur”- shton banori.

Ndërtimi i urës këtyre banorëve u është premtuar në çdo prag zgjedhjesh, por edhe kësaj here ky premtim nuk është mbajtur. Afër urës nuk ka asnjë tabelë që të tregojë se kur kanë nisur punimet, sa do të zgjasin dhe se kush është investitorë, ndërkohë që banorët kalojnë përditë mbi urë me grikan e shembjes së saj. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›