Vetëhelmohet pas vdekjes së të shoqit
SHIJAK - Një nënë e re kryen vetëvrasje të paralajmëruar në rrethana tejet tragjike. Burimet policore saktësuan se 27 vjeçarja nga Shijaku Anila D., i ka dhënë fund jetës së saj fundjavën që kaloi. Megjithë tentativën e mjekëve, mamaja e dy fëmijëve është ndarë nga kjo botë, si pasojë e dozës tejet të lartë të helmit që ka asimiluar në orët e vona të natës. Viktima iu nënshtrua menjëherë autopsisë mjeko–ligjore, për të përcaktuar llojin e lëndës helmuese që ka përdorur, kimikat i cili mbetet ende për zbardhur nga hetuesit. Ndërkaq, pas një hetimi profesional policia e Durrësit, ka zbardhur edhe mekanizmin e ngjarjes që solli këtë tragjedi familjare. Një ditë përpara vetëvrasjes bashkëshortja Anila D., kishte shkuar në varreza, ku prehet prej pak kohësh burri i saj, (i aksidentuar për vdekje nga rryma elektrike). Në kushtet e një tronditje të thellë psikike gruaja merr vendimin e tmerrshëm. Ajo pi një dozë vdekjeprurëse helmi të panjohur, duke kaluar në koma brenda një kohe të shkurtër dhe më pas duke gjetur vdekjen e pashmangshme. Sipas policisë së Durrësit gruaja kishte tentuar edhe më parë vetëvrasjen, (duke pirë helm) por dërgimi me urgjencë në spital e kishte shpëtuar më parë nga vdekja. Policia njofton se gjatë këqyrjes së kufomës nuk ka pasur shenja dhune. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale të parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal. o.u