Materazzi e do Mourinhon me Leonardon

Marco Materazzi, shpirti i zhveshtores së Interit, ka theksuar se shpreson në rikthimin e Jose Mourinhos, pas spekulimeve rreth largimit të trajnerit portugez nga Real Madridi në fund të këtij sezoni. Ai madje dëshiron që ‘Special One’ të drejtojë Interin së bashku me trajnerin e ri Leonardo.
“Leonardo ka ringjallur grupin dhe tani bëjmë gjëra të cilat i kemi bërë më parë. Do të ishte mirë që Leonardo dhe Mourinho të mund të na drejtonin së bashku. Mendoj se një ditë Mourinho mund të kthehet te ne”, tha Materazzi për Itasportpress.
Për mundësinë e rikthimit të Mourinhos në Inter dhe drejtimin e ekipit së bashku me Leonardon nga sezoni i ardhshëm është pyetur edhe presidenti i Nerazzurrëve, Massimo Moratti. Por, ai ka refuzuar të komentojë rreth kësaj.
“Nuk është lehtë, nuk e di”, tha Moratti për Sky Italia. Mourinho u largua nga Interi në fund të sezonit të kaluar pasi fitoi Ligën e Kampionëve, Scudetton dhe Kupën e Italisë. Ndërsa Leonardo u emërua trajner i Interit më 24 dhjetor 2010 si pasardhës i Rafael Benitezit.
Ai dhe Mourinho kanë marrëdhënie të mira mes vete dhe respekt të ndërsjellë, që ishte prezent edhe në kohën kur ata ishin rivalë në bankinat e gjigantëve milanezë, Milan dhe Inter.