Rooney synon tituj

Wayne Rooney shpreson të udhëheqë Manchester Unitedin drejt titujve këtë sezon, në veçanti triumfit në Ligën e Kampionëve.
Sulmuesi i Kombëtares angleze pranon se ka kaluar një sezon të vështirë deri më tani me probleme të vazhdueshme me lëndime dhe sagën shqetësuese rreth largimit nga Old Trafford, që duket se i pamundësoi të paraqitet në formën e tij më të mirë.
Mirëpo, ai ka nënshkruar kontratë të re pesëvjeçare me Manchester United dhe tani duket se është rikuperuar plotësisht nga lëndimet, të cilat e mbajtën jashtë fushës për një periudhë të gjatë të vitit të kaluar.
Rooney është i vendosur të rishfaqë formën e tij më të mirë nëpër të cilën ishte sezonin e kaluar dhe synon t’i ndihmojë ekipit të fitojë trofe të rëndësishëm.
“Ndihem mirë. Forma ime ka qenë e mirë në ndeshjet e fundit. Si sulmues, ju gjithmonë duhet të shënoni gola dhe unë dua të shënoj sa më tepër që është e mundur deri në fund të sezonit. Është lehtësim që situata rreth kontratës u sqarua dhe kam marrë vendimin e duhur të mbetem. Ka qenë një periudhë e vështirë, por tani synoj t’i ndihmoj ekipit të fitojë tituj”, tha Rooney gjatë një interviste me magazinën zyrtare të Ligës së Kampionëve.
Rooney pranoi se ka dëshirë shtesë për të fituar Ligën e Kampionëve këtë vit, pasi finalja zhvillohet në Wembley më 28 maj. “Do të ishte ndjenjë e mirë për mua si anglez, por edhe për tifozët, nuk do të ishte një udhëtim i largët. Kur fituam Ligën e Kampionëve më 2008, tifozët e Manchester Unitedit u desh të fluturonin për në Moskë. Do të ishte e veçantë për ta të na përcjellin duke e fituar në shtëpi”, shtoi ai.
Djajtë e Kuq kanë pësuar vetëm një humbje në të gjitha garat këtë sezon – nga West Ham në Carling Cup – dhe pavarësisht mungesës së golave të tij, Rooney luajti rol të rëndësishëm në kualifikimin e ekipit për në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve, duke realizuar një penallti vendimtare kundër Rangers në nëntor.
Manchester United do të takohet me Olympique Marseille në rrethin e dytë muajin e ardhshëm, në përballjen e parë mes tyre nga viti 1999.
“Do të jetë ndeshje e vështirë. Ne besojmë se mund të fitojmë, por e dimë se të luajmë në udhëtim te një ekip francez është gjithmonë e vështirë. Ata janë shumë fizikë, të organizuar mirë dhe punojnë shumë. Besojmë në kualifikim, por duhet të japim angazhim maksimal”, theksoi Rooney i cili beson se cilido nga katër skuadrat angleze mund të arrijë në Wembley.
“Të gjitha ekipet nga Premierliga dinë të luajnë në Evropë: Arsenali, Chelsea dhe ne sigurisht se kemi më tepër përvojë në Evropë. Tottenham është i ri në Ligën e Kampionëve këtë vit, por është duke luajtur shumë mirë. Ata arritën rezultat shumë të mirë me Interin. Nuk do të befasohesha nëse cilido prej nesh të arrinte në finale”, përfundoi Rooney.