Kastrioti mbetet pa kryesi
Kampioni aktual i Kosovës në hendboll në konkurrencën e meshkujve, Kastrioti ka mbetur pa udhëheqësi. Pas dorëheqjes së kryetrajnerit Skënder Sahiti, klubin ferizajas e kanë braktisur edhe anëtarët e tjerë të kryesisë, shkaku i krizës financiare me të cilën po ballafaqohet klubi bardh e kaltër. Lajmin e ka konfirmuar kryetari i deritanishëm i këtij klubi, Izet Rushiti.
“Kemi dhënë dorëheqje si kryesi, pasi për ta përfunduar këtë kampionat duhej t’i siguronim 30 mijë euro, shumë kjo e cila është vështirë të sigurohet. Si kryesi e kemi njoftuar edhe kryetarin e Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli, për
vendimin që e kemi marrë”, ka thënë Rushiti për Kosovapress.
Për këtë krizë financiare që e ka kapluar Kastriotin, Rushiti i ka fajësuar edhe sponsorët e deritanishëm të kësaj skuadre. Ai ka theksuar se sponsorët nuk e kanë përfillur marrëveshjen e bashkëpunimit që e kishin nënshkruar me drejtuesit e kësaj skuadre. Mësohet se klubi ka mbetur në dorë të dy zyrtarëve të deritanishëm, Njazi Behluli dhe Sheqar Shllaku, të cilët do të përkujdesen për ekipin derisa të zgjidhet kryesia e re.