E Diel, 1 Nëntor 2026

Materialet zgjedhore, ish-kreu i KQZ: Mund të hapen në cdo moment

TIRANE- Kutitë e materialeve zgjedhore mund të vihen në dispozicion për arsye hetimi parlamentar ose nga organi i akuzës në cdo moment që ato do të kërkohen. Ish kryetari i KQZ-së, Clirim Gjata komenton një vendim që ky institucion mori në nëntor të vitit 2005 me kërkesë të komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 3 korrikut të atij viti. Sipas Gjatës, fakti që të gjitha materialet zgjedhore arkivohen menjëherë pas djegies së fletëve të votimit, ato mund të jenë objekt hetimi në cdo moment që mund të kërkohen, madje kjo arkivë publikohet edhe në faqen zyrtare të KQZ-së.

“Në 2005 , komisioni hetimor kërkoi të verifikonte tabelat e rezultateve dhe tabelat e rezultateve ndodhen në kutinë e materialeve zgjedhore. Materialet zgjedhore mbahen në kuti të vecantë. Shuma e rezultateve të tabelave të grupeve të numërimit, pra rezultatet e qendrave të votimit nuk përkonte me tabelën përfundimtare ” shpjegon Gjata.

Por një kërkesë e grupimit G99 për marrjen në dorëzim të materialeve zgjedhore për zgjedhjet e vitit 2009 nuk u mor në konsideratë nga KQZ duke u refuzuar. Ishte vetëm organi i akuzës që arriti të marrë në dorëzim për arsye hetimit rastin e kutisë së materialeve të Ruzhdies. Edhe pse Komisioni Qendror Zgjedhor me një kërkesë të komisionit hetimor të atëhershëm vendosi të hapë kutitë e materialeve, Gjata thotë se këto dy precedentë nuk mund të vihen përballë njëri tjetrit. Aktualisht opozita kërkon rinumërim të fletëve të votimit.

“ Sot ska nevojë të hapen kutitë e materialeve sepse kur digjen fletët e votimit ato arkivohen, pra i gjen në arkiv dhe nuk ka nevojë as për komision hetimor . pra shkon në arkiv dhe i ke në arkiv. Pra sot nuk është i njëjti precedent me vitin 2005. Sot kërkohet rinumërimi i votave, krahasimi me listat . Sado të hapësh një kuti materialesh , ajo mbetet jo vetëm gjysmake por ngelet e vdekur po nuk u krahasua me cështjen e votave , rinumërimin e tyre, aq më tepër që kemi një precedent si Ruzhdia” shprehet Gjata.

Gjithsesi , nëse shqyrtimi i materialeve të votimit nuk mund të hasë asnjë pengesë në rast të pranimit nga mazhoranca për një veprim të tillë në funksion të hetimit, nuk mund të quhet lëshim ndaj opozitës. Precedenti i 2005-ës tregon qartë se një kqyrje të tillë në funksion të transprencës , nuk mund ta pengojë askush.
Kutia e materialeve të votimit përmban procesverbalin, listën zgjedhore, tabelat e rezultateve dhe tabelat përmbledhëse.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›