E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mateus e Brehme: Murinjo “dhelpër”, Inter favorit

TIRANE-Finalja mes Interit dhe Bajernit të Mynihut është një ndeshje speciale për Lotar Mateues dhe Andreas Brehme. Dy ish-mbrojtësit e kombëtares gjermane kanë bërë historinë si me bavarezët, ashtu edhe me skuadrën zikaltër, por për nacionalitetin që kanë, zgjedhin të bëjnë tifozllëk për Bajernin ditën e shtunë. Për Mateus, Interi ka mbrojtjen më të fortë në botë, por ai sheh favorit, qoftë edhe për zgjedhje zemre, skuadrën e Van Gal. Ndërkohë, për Brehme, favoritja është Interi. "Për mua është një finale speciale, - thotë Lotar Mateus. - Për lojën e shprehur kohët e fundit, mendoj se Bajerni është favorit. Them se do të fitojë 2-1", thotë ai. "Interi ka mbrojtjen më të fortë në botë, - shton Mateues. - Ka një trajner si Murinjo që është një dhelpër nga pikapamja taktike. E megjithatë, zemra ime rreh për Bajernin". Ndërkohë, Andreas Brehme, një lojtar që ka bërë historinë e Bajernit dhe të Interit, nuk është dakord me Van Gal që Murinjo bën një lojë mbrojtëse. "Interi është një skuadër teknikisht shumë e fortë dhe për dëshirën time, ata shënojnë të parët dhe më pas fiton Bajerni, - thotë Brehme. - Por, të shohim se kush do të jetë më në formë të shtunën. Unë e pashë Interin kundër çelsit dhe mund të them se luajti një ndeshje të jashtëzakonshme dhe me një stil shumë sulmues. Mendoj se Murinjo është shumë i zoti dhe ai e njeh mjaft mirë Bajernin, pasi e pa edhe në ndeshjen e fundit ndaj Hertës në Berlin", shton ai. Sipas Brehmes, kur një skuadër fiton me kaq shumë pikë kampionatin italian, është me të vërtetë shumë e vështirë për t'u mundur. "Bajerni ka shumë futbollistë në formë, por nëse duan të fitojnë Champions, duhet të jenë në 100 %", shprehet Brehme.
Në Madrid
Interi dhe Bajerni i Mynihut kanë zhvilluar seancat e fundit stërvitore në qendrat e tyre, përpara se të udhëtojnë për në Madrid, ku të shtunën do të luajnë finalen e Champions League. Problemi i vetëm i zikalërve është një dëmtim i lehtë i Mario Balotelit, por që pritet të jetë në dispozicion të Murinjos për takimin e së shtunës. Në vend të tij, tekniku portugez pritet të aktivizojë që nga minuta e parë maqedonasin Goran Pandev. Përsa i përket formacionit, zikaltërit pritet të zbresin në fushë me Zhulio Sezar në portë, Maikon, Lusio, Samuel e Kivu në mbrojtje. Përpara tyre do të luajë dyshja Kambiaso-Zaneti, ndërsa pas sulmuesit kryesor Diego Milito do të jenë Shnajder, Eto dhe Pandev. Interi ka udhëtuar që mbrëmë në Madrid dhe do të stërvitet në një lagje periferike të Madridit. Italianët do të qëndrojnë në hotelin "Mira Sierra", ku grumbullohet zakonisht edhe Reali i Madridit. Ndërsa frika nga hiri vullkanik i ka çuar zikaltërit që dje në Spanjë, Bajerni do ta bëjë këtë ditën e sotme. Luis Van Gal ka zhvilluar të mërkurën një seancë stërvitore me dyer të mbyllura, duke praktikuar disa skema me të cilat synon të ndalë formacionin e Murinjos të shtunën në mbrëmje. Mungesa e madhe e Bajernit për finalen është francezi Frenk Riberi, por sipas holandezit Arjen Roben, Hamit Altintop është një zëvendësues i mirë i tij.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›