E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do zhdëmtohet "General Electric" për prishjen e kontratës

TIRANE- Qeveria shqiptare pranon humbjen e çështjes gjyqësore për "trenin elektrik", projekt të cilin e ndërpreu në mënyrë të njëanshme, ndonëse ishte nënshkruar një kontratë e rregullt dypalëshe. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u vendos ekzekutimi i vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, në Romë, Itali, për çështjen nr.14403/FM General Electrics, Athena (Iliria Consortium) kundër Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në vlerën 11 milionë euro. Për këtë vlerë është rënë dakord, sipas marrëveshjes së negocimit me 'General Electrics'. Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, do t'i shtohen fondet përkatëse për kryerjen e pagesës së vlerës dhe procedura e ekzekutimit do të jetë në përputhje me marrëveshjen e negocimit ndërmjet 'GE Transportation System S.p.a.' dhe Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit. Detyrimi financiar do të përballohet nga buxheti i shtetit, fondi i kontigjencës. Në këtë mënyrë, përfundon me një dëm të konsiderueshëm financiar "kapriçoja" e qeverisë 'Berisha' për anulimin e kësaj kontrate, e cila do të realizohej përmes një borxhi me terma të buta dhe do të sillte një leverdi të madhe ekonomike, sidomos për shtresat në nevojë që përdorin trenin. Këto ditët e fundit, ministri Olldashi ka akuzuar direkt ish-ministrin e Transporteve në qeverinë socialiste Spartak Poçi se, nëpërmjet një letre informale ka shkaktuar dëmin në fjalë. Kjo akuzë, e çuar tashmë në prokurori për "abuzim me detyrën", është kundërshtuar nga Poçi, i cili ka pohuar se faji duhet kërkuar tek ata që nuk e çuan kontratën për ratifikim në Parlament.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›