Tronditet Trepça ‘89

Lideri i Superligë, Trepça ’89 ka marrë një goditje të rëndë të enjten mbrëma. Trajneri i ekipit mitrovicas, Rafet Prekazit, ka përfunduar në spital pasi ka pësuar një sulm kardiak.
Por, për fat të mirë, Prekazi i ka shpëtuar më të keqes – vdekjes, derisa gjendja shëndetësore e tij tani është e mirë. Mirëpo, mjekët e kanë udhëzuar strategun nga Mitrovica që t’i nënshtrohet një operacioni, gjë që pritet ta bëjë shumë shpejt.
“Fatkeqësisht Rafet Prekazi të enjten e ka pësuar një atak në zemër, por nga i cili për fat të mirë nuk i është rrezikuar jeta trajnerit tonë. Ai tani është më mirë me shëndet, por i duhet që t’i nënshtrohet një operacioni”, ka deklaruar për Express kreu i Trepçës ’89, Ilir Bojku.
Pas kësaj, vështirë se Prekazi do të mund t’i kthehet bankinës në vazhdim të këtij kampionati, deri në fund të të cilit kanë mbetur për t’u zhvilluar edhe gjashtë xhiro.
Megjithatë, krerët e Trepçës ’89 me padurim presin rikthimin e trajnerit të tyre. Edhe pse janë në luftë të rreptë për titull të kampionit, mitrovicasit thonë se nuk e kanë ndërmend të angazhojnë trajner tjetër, por luten që Prekazit t’i përmirësohet sa më shpejt gjendja e tij shëndetësore.
“Ekipin në vazhdim do ta udhëheqin ndihmësit e Rafet Prekazit – Sahit Osmani e Veton Çitaku. Të dy ata do t’i prijnë skuadrës derisa të kthehet trajneri ynë, të cilit i urojmë shërim sa më të shpejt”, u shpreh Bojku.
Ai është i bindur se skuadra e tij do ta fitojë titullin e kampionit, edhe pse në vazhdim të këtij kampionati sipas të gjitha gjasave do të luajë pa trajnerin e saj.
“Ne besojmë në këtë. Futbollistët tonë janë shumë cilësorë e të pjekur. Madje, ata do të jenë të motivuar dy herë më shumë për të vazhduar me fitore, për t’ia dedikuar ato trajnerit tonë Rafet Prekazi”, përfundoi Bojku.
Prekazi mori drejtimin e Trepçës ’89 pak para përfundimit të sezonit vjeshtor, derisa në pranverë ish futbollisti i famshëm kosovar korri rezultate të mira me këtë skuadër, duke e rrëmbyer edhe pozitën e parë në Superligë.
Pas 26 xhirosh, Trepça ‘89 pozicionohet në vendin e parë të tabelës me 48 pikë, një më shumë sesa Prishtina e Vëllaznimi.