Devolli: Në Kukës, me shpirt dhe zemër në fushë
Kapiteni i gjirokastritëve, Bledar Devolli, kërkon së pari që të luhet një ndeshje korrekte në planin sportiv dhe rezultatin ta vendosë fusha
Kampionati i kategorisë së parë, me sa ka ndodhur, duket se rebusin e tij do ta zgjidhë javën e fundit me ndeshjet Luftëtari-Mamurrasi dhe Lushnja-Kukësi. Njëri mes Luftëtarit dhe Kukësit do të fitojë titullin kampion dhe 3 miljonë lekë si shpërblim nga FShFja.
Prognozat që bëhen nga këndvështrime të ndryshme dhe padyshim me nuanca simpatish, nxjerrin si njërin ashtu edhe tjetrin kampion, kështu që duhet pritur për të marrë përgjigjen e saktë. Në kampin gjirokastrit, më shumë se rezultati i ndeshjes, kërkohet që ajo të zhvillohet si sportive dhe jo si ndeshje gladiatorësh, që është edhe ky sport, veçse i egër.
Devolli Ashtu si Atlanti mitologjik mban Tokën mbi shpatulla, edhe kapiteni i Luftëtarit, Bledar Devolli, këtë sezon po e mban këtë ekip po ashtu. Për transfertën me Kukësin ai shprehet: Ndeshja në Kukës është e vështirë për arsye se ekipi kundërshtar është prej kohësh rivali kryesor i Luftëtarit, aq më tepër që luan në fushën e tij dhe, me sa jam informuar, ka mbështetjen e një publiku të zjarrtë.
Pra, duke qenë të ndërgjegjshëm për këtë, jemi përgatitur për një përballje të suksesshme. Kam besim tek ekipi ynë, që do të luftojë me shpirt dhe zëmër për të arritur atë që na takon. Nuk dyshoj se do të dalim në lojën tonë karakteristike. Mendimi im është se Kukësi jo rastësisht është në vend të dytë, por Luftëtari është ekip më solid se ai.
Ashtu si në çdo ndeshje futbolli, edhe në këtë me Kukësin janë të mundshëm të tre rezultatet. Kjo ndeshje mund të ketë edhe zgjidhje episodike. Për mua rëndësi ka që ndeshja të zhillohet me korrektësi në planin sportiv dhe rezultati i saj të vendoset në tapetin e blertë. Po ashtu, uroj që të dy ekipet të tregojnë se janë të denjë për superligën.
