Matië Flamini refuzon Juventusin për Milanin
Prej kohësh mediat britanike kanë folur rreth divorcit ndërmjet Matië Flaminisë dhe Arsenalit në fund të sezonit. 24-vjeçari, i cili cilësohet si një prej mesfushorëve difensivë më të mirë në qarkullim, nuk ka pranuar rinovimin e kontratës në "Emirates Stadium" dhe trajneri Venger duket se nuk ka më shpresa që ai të qëndrojë. Juventusi dhe Milani janë dy klubet më të mëdha që kërkojnë me ngulm shërbimet e francezit. Sipas "Gazzetta dello Sport", kuqezinjtë e drejtuar nga Karlo Ançeloti kanë më shumë avantazh, dhe kjo pas dëshirës së Flamini: lojtari ka zgjedhur klubin që i ofronte rrogën më të lartë. Ndërkohë që drejtori sportiv i bardhezinjve, Alesio Seko i ka ofruar 3 milionë euro në sezon, administratori i Milanit, Galiani ofronte 4 milionë euro. Flamini do të nënshkruajë për pesë vjet në "San Siro" dhe mund të jetë "tulla" e parë në rindërtimin e Milanit. Ndërkohë, presidenti i Juventusit, Koboli Xhilji, ka konfirmuar se klubi i tij humbi garën për të afruar Flamininë. Pyetjes nëse mesfushori do të mbërrinte në Torino, ai iu përgjigj "jo".