E Diel, 1 Nëntor 2026

Ronaldinjo: Një qen më ndihmoi të mësoja futbollin

Ronaldinjo ka zbuluar se sekretet e futbollit i ka mësuar duke u praktikuar me një qen rrugësh, i cili e ka ndihmuar të perfeksiononte të gjitha driblimet që e kthyen në një nga futbollistët më të mirë. Fantazisti brazilian shpjegoi se qeni endacak i lagjes së tij në Porto Alegre i bënte shoqëri pasi të gjithë djemtë e tjerë të zonës kishin shkuar në shtëpi dhe ndiqte bashkë me të topin në fushën e lojës. Zbulimi lojtarit brazilian është bërë në një intervistë për revistën britanike "My Free Sport", ku ka treguar disa pjesë nga e kaluara e tij. I pyetur rreth qenit të çuditshëm, Ronaldinjo nuk ka ngurruar të tregojë detajet. "Më kujtohet Bon Bon. Unë mësova të luaj futboll në rrugët e Porto Alegres. Ne nuk kishim fusha futbolli, vetëm rrugë, por unë vazhdoja të luaja për një kohë të gjatë, aq sa të gjithë djemtë e tjerë shkonin në shtëpi duke më lënë vetëm me Bon Bon. Ndaj unë luaja me të. Ai ishte i mirë, ndonëse ishte një qen. Mund ta mbante topin, por nuk i dinte rregullat pasi ishte një qen. Por mund të them se ishte qeni më i mirë i zonës, pasi kishte një të djathtë të fortë", tregoi me humor futbollisti brazilian. Ronaldinjo ka treguar se tani përjeton dashurinë për futbollin bashkë me atë për muzikën. "Kur isha fëmijë i vogël, nuk e imagjinoja se mund të bëja diçka tjetër në jetë. Vëllai im Roberto ishte një futbollist dhe ishte idhulli im. Ai luajti në Brazil me Gremion dhe në Zvicër me Sionin. Unë dëshiroja të ndiqja dhe të qëndroja me të çdo verë në Evropë. Babai punonte si roje në stadiumin e Gremios dhe familja ime është ende tifoze e kësaj skuadre. Për ne ekzistonte gjithmonë vetëm futbolli, ndonëse dashuria ime e dytë është muzika dhe do të më pëlqente të kisha të merresha edhe me të. Më pëlqen samba dhe pagode. Kam qenë pjesë e bandave muzikore dhe me raste praktikoj me një grup shokësh në Barcelonë. Megjithatë, vendos gjithmonë një maskë në fytyrë kur luaj në publik, pasi nuk dua që njerëzit të më njohim", ka treguar futbollisti brazilian, duke zbuluar një tjetër detaj të jetës së tij jashtë fushës së futbollit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›