E Diel, 1 Nëntor 2026

Arratisen të dënuarit me burgim të përjetshëm, kapen për 30 min

Fran Marashi, dënuar për ngjarjen e 97-ës në Urën Vajgurore, ku mbetën të vrarë 4 policë dhe Preng Lleshi sharruan hekurat e dritares së banjës

Të dënuarit u arratisën gjatë ndeshjes Burreli-Skrapari. Po hetohet për një ndihmë nga brenda burgut

BURREL-Vetëm për 30 minuta e kanë “shijuar” lirinë dy të burgosur, me burgim të përjetshëm për disa vrasje, në burgun e sigurisë së lartë në Burrel. Fran Marashi, i dënuar për ngjarjen e tmerrshme të qershorit të ’97-ës, në Urën Vajgurore, ku mbetën të vrarë 4 policë dhe u plagosën 6 të tjerë dhe Preng Lleshi, i dënuar po për vrasje u arratisën pasditen e djeshme nga burgu dhe u arrestuar nga policia jo më larg se 5 km nga vendi i vuajtjes së dënimit. Shërbimi i rojës së këtij burgu e ka pikasur arratinë e dy të burgosurve Fran Marashit, 36-vjeç dhe Preng Lleshi, 38-vjeç, pak minuta, pasi ata kanë mundur të largohen edhe nga rrethimi i fundit i burgut.

Arratia

Mësohet se të dy të dënuarit, e kanë kurdisur prej kohësh largimin nga vendi i vuajtjes së dënimit dhe e kanë ruajtur këtë moment pikërisht në orët e ndeshjes së futbollit Burreli-Skrapari. Kohë kur policia ishte e mobilizuar në ruajtjen e rendit në këtë eveniment sportiv për qytetin që dyndet thuajse i tëri për në stadiumin e futbollit. Ata kanë mundur të sharrojnë me sharrë hekuri telat e dritares së banjës në burg dhe më pas kanë dalë në shesh të hapur, i janë afruar rrethimit të jashtëm duke e kapërcyer dhe atë për t’u larguar prej andej. Sipas burimeve zyrtare mësohet se me daljen nga burgu kanë marrë rrugës poshtë duke rënë afër Kthesës së Sanës, përgjatë aksit nacional Burrel-Klos-Peshkopi, dhe më pas kanë rënë në brigjet e lumit Mat, i cili ka qenë i tejfryrë nga reshjet e kohëve të fundit. Kësisoj ata janë fshehur në disa shkurrishte, pasi prej andej kanë vënë re lëvizjet e dendura të policisë që është vënë në alarm nga drejtuesit e burgut.

Kërkimi

Forca të shumta policie të Burrelit kanë ngritur dhjetëra postblloqe, ashtu si dhe ato të Bulqizës dhe të Peshkopisë deri bllokimin e kufirit me Maqedoninë nga mendohej se ata mund të drejtoheshin. Gjithashtu drejt Burrelit janë nisur dhe forca të ndërhyrjes së shpejtë nga Tirana. Në këtë situatë mobilizimi të dendur të forcave policore dhe bllokimit të kalimit të rrugëve, të dy të arratisurit nga burgu i janë afruar një shkurreje të dendur në afërsi të Zenishtit, fshat i Matit, për t’u strehuar dhe me sa duket për të pritur natën. Kjo, sepse në ato minuta gjithë rruga ka qenë e patrulluar dhe ata e kanë pasur të pamundur të ecin më tej. Por si duket të vënë re dhe nga njerëz të tjerë, që mund të kenë sinjalizuar policinë, dy të arratisurit janë zënë në befasi nga policia, për t’u rivënë në pranga dhe dërguar në dhomat e paraburgimit të komisariatit ku dhe janë izoluar.

Dyshimet e një ndihme nga brenda

Me kapjen e dy të arratisurve, që janë cilësuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore për krimet e kryera, atyre u janë sekuestruar dhe dy celularë dhe një bllok numrash telefonikë. Kjo, të lë të nënkuptosh se ata arratisjen e kanë piketuar prej kohësh dhe pritnin momentin më oportun për ta realizuar. Ndërkaq, fakti se janë gjetur me celularë e bllok numrash, dyshohet të jenë ndihmuar dhe nga brenda burgut. Po ashtu dyshimet shtohen dhe për sharrën me të cilën janë sharruar hekurat e banjës nga dhe kanë dalë. Ndihma nga brenda burgut, është një nga pistat që grupi hetimor i prokurorisë së rrethit ka ngritur për këtë arratisje të bujshme. Të arratisurit janë shprehur para hetuesve se e kanë bërë këtë në shenjë hakmarrjeje. «Donim të hakmerreshim për faktin se nuk na është marra parasysh kërkesa jonë e vijueshme për të rishqyrtuar dënimin, edhe pse kemi bërë letra në të tëra instancat gjyqësore dhe ato të shtetit»- mësohet të kenë thënë ata. 

Arratia, për të tërhequr vëmendjen e shtetit: Nuk më rishikon çështjen që më ngarkon qindra vite burg

Marashi: U arratisa sepse nuk më rishihet dosja

Ndërsa i arratisuri Preng Lleshi nuk ka dashur të flasë se përse e mori vendimin për arratisje, i burgosuri tjetër Fran Marashi, i akuzuar për 6 vrasje dhe pjesëmarrje në banda kriminale, duke u dënuar me burgim të përjetshëm, fill pas arrestimit është shprehur se arratisjen e bëri në shenjë hakmarrjeje për zvarritjen që i është bërë kërkesës së vazhdueshme të tij për rishqyrtim të çështjes penale. Ai tha se këtë arratisje, në mos sot (dje) do ta bënte në një moment tjetër, pasi ishte përgatitur për këtë arratisje. Duart e dy të arratisurve të gjakosura tregonin se ata janë lodhur shumë në hapjen e murit dhe sharrimin e hekurave deri sa e kanë arritur qëllimin, dhe se këtë do ta bënin prapë e prapë deri sa t’iu merrej parasysh kërkesa e tyre.

Pse u arratisët?

Kam kërkuar rishqyrtim të çështjes penale disa herë, por askush nuk ma ka marrë parasysh dhe unë doja të tërhiqja vëmendjen e shtetit në këtë histori. Nuk kishte mënyrë tjetër sepse me dhjetëra herë kam bërë letra me kërkesë për rishqyrtim, por as që më është përgjigjur kush.

Kujt i keni shkruar?

Të gjithëve me radhë, gjithë instancave gjyqësore, por dhe kryeministrit Berisha, presidentit Topi, zonjës Topalli, ministrit të Drejtësisë e të tjerë.

Ju janë përgjigjur?

Jo, askush nuk më është përgjigjur ndaj e bëra këtë veprim.

Ti pretendon se je i pafajshëm ?

Të rishihen dosjet për këtë gjë.

Pse arratisja pikërisht sot, nuk kishte polici?

Edhe 30 policë të kishin qenë, do tëishim arratisur. Kushtet në burg janë skandaloze, por në rastin konkret, e kishim tek problemi që thashë, dua të më rishikohet çështja që më ka ngarkuar me qindra vite burg.

Masakra e Urës Vajgurore

Në skedën e nxjerrë nga dosjet e dy të dënuarve, rezulton se Fran Marashi është nga Shkodra, i martuar me 2 fëmijë dhe se është dënuar me burgim të përjetshëm për veprën e vrasjes në bashkëpunim në ngjarjen e rëndë të Urës Vajgurore, kuhumbën jetën 4 policë dhe mbetën të plagosur 6 të tjerë, ndërsa zhvillohej një miting elektoral. Ndërsa Preng Pashk Lleshi, është nga Talja e Lezhës dhe ky i dënuar për vrasje. Ngjarja në Urën Vajgurore ndodhi në 17 qershor të 1997, pas një mitingu elektoral dhe është cilësuar si atentat ndaj policisë. Për këtë ngjarje janë dënuar me burgim të përjetshëm Musa Protoduari dhe bashkëshortja e tij, Fatbardha, pronarë të vilës së njohur në qendër të qytezës dhe Fran Marashi, i dënuari me burgim të përjetshëm për pjesëmarrje në banda të armatosura. Akuzohen për vrasjen e policëve Miltiadh Koçi, Arjan Shemuni, Asllan Selami, Ilia Bano.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›