Matoshi: Në kombëtare për Brazilin
Lojtari i ri shqiptar i Chiasos në Zvicër pret një ftesë nga De Biazi. Për mesfushorin interesohen skuadra nga Gjermania dhe Superliga helvete
Mesfushori i shpresave dhe klubit Chiaso në Zvicër, Shpend Matoshi shprehet i lumtur që është pjesë e skuadrës së Skënder Gegës. Mesfushori i majtë është evidentuar për lojën e tij nga disa skuadra dhe me shumë mundësi ai do të largohet nga ky ekip në përfundim të kampionatit. Një ndikim të drejtpërdrejte te suksesi i tij ka patur aktivizimi me kombëtaren e shpresave të Shqipërisë, ku ka luajtur katër ndeshje.
Dëshira dhe mundësitë
Ëndrra e tij është marrja e një ftese nga trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Xhani De Biazi. Endërroj që Shqipëria të kualifikohet në botërorin e ardhshëm dhe unë të marr një ftesë nga trajneri italian, u shpreh për Gazeta e Sportit, mesfushori 21-vjeçar. Ai luan në kategorinë e dytë në Zvicër me skuadrën e Chiasos, me të cilën ka qenë lojtar kyç në fazën ë dytë të sezonit. Lojtari me numrin 13-të në fanellë te skuadra e tij aktuale ka lindur në Kosovë dhe është pajisur me pasaportë shqiptare.
Karrierën e tij, lojtari i ri e ka nisur me të rinjtë e Grashopers dhe më pas ka luajtur edhe me Luzernën. Në sezonin 2011, mesfushori u transferua te skuadra e divizionit të dytë, Chiaso, me të cilën tashmë është bërë pjesë e formacionit bazë. Në sezonin e dytë jam paraqitur shumë mirë, ku si pasojë në drejtimin tim kanë ardhur disa oferta nga Gjermania dhe nga Superliga e Zvicrës.
Kontrata ime përfundon në fundin e sezonit aktual dhe me 100% mundësi, unë do të largohem nga ky ekip, theksoi Matoshi. Lojtari i ri është afruar me kombëtaren e shpresave të Shqipërisë në ndeshjen miqësore me Maqedoninë. Që nga ajo sfidë, Matoshi ka zhvilluar katër ndeshje me kombëtaren U-21, duke shfaqur aftësi shumë të mira për të ardhmen.
Ftesën e Shqipërisë e pranova me zemër
Lojtari shpjegon se nuk ka hezituar aspak kur në drejtim të tij ka ardhur ftesa nga kombëtarja e shpresave të Shqipërisë. Unë çdo ditë kam pritur një ftesë nga kombëtarja. Kur ftesa erdhi, unë nuk u mendova dy herë dhe pranova me zemër dhe me dëshirë të madhe, tha Matoshi. Lojtari i ri, konsiderohet një nga të rinjtë premtues në kampionatin aktual ku ai luan, me të cilën po zhvillon dhe sezonin e fundit te kjo skuadër.
Në lidhje me të ardhmen, futbollisti i ri shprehu dëshirën e madhe për të qenë pjesë e skuadrës së De Biazit, të cilës i uron dhe kualifikimin për në botërorin e Brazilit. Kombëtarja e Shqipërisë po zhvillon lojëra shumë të mira në grupin e saj kualifikues, ku shpresoj dhe uroj që të vazhdojmë në këtë rrugë. Kuptohet, rruga do të jetë shumë e vështirë, por me kujdes dhe me pak fat kombëtarja mund tia dalë të kualifikohet, u shpreh Matoshi.
Himni kuq e zi, emocion i pazevendësueshëm
I pyetur se çdo të thotë të luash për ngjyrat kuqezi, ai u shpreh: Të luash me ngjyrat kuqezi do të thotë të kesh shumë emocione të veçanta dhe mbi të gjitha kur dëgjon himnin kombëtar. Një emocion të tillë nuk besoj se do e përjetoja me një kombëtare tjetër, tha Matoshi. Mesfushori është një nga futbollistët e shumtë shqiptarë që luajnë në Zvicër, por ndryshe nga një pjesë e tyre, ai ka zgjedhur që të përfaqësojë ngjyrat e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
