E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, loja e mirë kthehet në objektiv

partizani-iliriaNga Edmond Sufaj

Skuadra e kuqe ka rrëmbyer vendin e dytë në renditjen e përgjithshme, por loja nuk është ngjitur ende në nivelin që pritet

Partizani ka arritur në fundjavë të marrë fitoren e tretë radhazi në po kaq javë. Fitorja minimale ka patur një vlerë të madhe për skuadrën e kuqe, pasi tashmë është shkëputur jo pak, por katër pikë na vendi i tretë. Tri javët e fundit në Yrshek kanë qenë me fat për kryeqytetasit, të cilët ndjehen më komodë në rrugën e tyre drejt superigës.

Loja cinike

Në ndeshjen e fundit ndaj Ilirisë, e cila u zhvillua në fushën sportive të Yrshekut, ekipi i Likës zhvilloi një ndeshje të kujdesshme, duke i dhënë rëndësi marrjes së tri pikëve. Goli i Agastrës në minutën e 32-të ka qenë i vetmi i këtij takimi, gol që ka patur vlerën e madhe të tri pikëve. Ashtu si dy javë më parë ndaj Dinamos, të kuqtë shënuan të parët dhe më pas ruajtën rezultatin deri në fundin e takimit.

Pakënaqësia e Likës

Në shkallët e stadiumit dhe në tarracat rreth fushës nuk kanë munguar shumë tifozë të Partizanit, të cilët kanë mbështetur për gjatë gjithë 90 minutave skuadrën e tyre të zemrës. Në fundin e takimit, trajneri i Partizanit, Hasan Lika, e ka vlerësuar fitoren, por shfaqi rezerva për lojën e skuadrës, e cila sipas tij nuk u ngjit në nivelin që pritej. Skuadra e kuqe ka krijuar shumë volum lojë në këtë sfidë, por pa qartësinë duhur përpara portës kundërshtare, ku hasi shumë vështirësi në konkludimin e aksioneve.

Qëllimi

Tashmë që qëllimi është arritur, pra kapja e vendit të dytë në renditje, stafi teknik mesa duket kërkon prefeksionimin e lojës së skuadrës, për të qenë kështu e gatshme për të përballuar më së miri ndeshjet e ardhshme, ku sfidat e radhës janë vërtet të rëndësishme, pasi luhet përballë kundërshtarëve direkt të tyre, Pogradecit dhe Mamurrasit. Partizani e nisi jo në mënyrën e duhur fazën e dytë, ku barazoi në shtëpi me Adën e Velipojës, në një ndeshje e cila konsiderohej e fituar.

Kalimi i sëmundjes

Në atë sfidë, skuadra shfaqi sëmundjen e fazës së parë, ku ndaj skuadrave të vogla la shumë pikë. Më pas do të vinte dhe humbja ndaj Tërbunit në Pukë, rezultat i cili komplikoi edhe më shumë situatën në skuadër, ku si pasojë u shkarkua dhe trajneri Shpëtrim Duro.

Ardhja e Hasan Likës në krye, solli dhe tri fitore radhazi, të trija të arritura në fushën e Yrshekut, ndaj Burrelit, Dinamos dhe Ilirisë. Përballjet e fituara kanë ndikuar drejtpërdrejt jo vetëm në rikuperimin e katër pikëve diferencë që skuadra kishte me Mamurrasin, por dhe shkëputjen po me aq pikë nga vendi i tretë.

Harmonizimi

Qëllimi në këto tri ndeshje është arritur në maksimumin e mundshëm, por ajo që ka lënë të pakënaqur stafin teknik ka qenë loja e skuadrës, e cila është bërë objekt diskutimesh në ambjentin e kuq, sidomos në tribunën e tifozëve, të cilët kërkojmë tashmë dhe lojë spektakolare nga skuadra e tyre. Ajo që nuk po kapërcehet dot nga ekipi i kuq është arritja e harmonzimit në grup, kjo për shkak se lojtarët nuk kanë gjetur ende gjuhën e duhur të bashkëpunimit midis tyre.

Emri i madh

Kjo, mesa duket është dhe një nga shkaqet që ka ndikuar në mungesën e lojës që pritet nga stafi dhe tifozët e kuq, të cilët kërkojnë rikthimin e Partizanit të madh, që duhet thënë po kthehet gradualisht. Në sfidën e ardhshme ndaj liqenorëve në Pogradec, pritet një sfidë e fortë dhe përcaktuese për vijimësinë e të dyja skuadrave.

Betejat e ardhshme

Nëse arrihet të fitohet edhe në këtë transfertë, Partizani mund të hedhë një hap gjigand drejt kalimit në superligë. Por edhe nëse humbet në këtë ndeshje, Partizani do të mbetet sërish në vendin e dytë, por do të ketë presionin nga pas, pasi Pogradeci mund të afrohet me dy pike. Pas ndeshjes në Pogradec, të kuqtë do të presin në shtëpi rivalin tjetër të drejtpërdrejtë për kalimi në superligë, Mamurrasin, i cili ka humbur shumë terren në ndeshjet e fundit, ku ka arritur të marrë vetëm një pikë në tri perballjet e fundit, duke lëshuar kështu vendin e dytë pas shumë e shumë javësh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›