E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura 2009, ja të gjitha ndryshimet që do pësojë

Nga Esmeralda Keta
Për herë të parë këtë vit është menduar që maturantët të japin versionin e tyre në përcaktimin e koeficientëve që do të aplikohen për llojin e shkollës së mesme dhe të lëndëve me zgjedhje. 

TIRANE- Në maturën 2009, do të përmbysen raportet midis notës mesatare dhe katër provimeve. Duke i dhënë një peshë specifike më të madhe mesatares së arritur në të gjithë kohëzgjatjen e shkollës së mesme, sugjerim ky i bërë nga grupet e interesit edhe gjatë maturave të kaluara. Gjithashtu, për herë të parë këtë vit është menduar që maturantët të japin versionin e tyre në përcaktimin e koeficientëve që do të aplikohen për llojin e shkollës së mesme dhe të lëndëve me zgjedhje. Këto janë disa nga ndryshimet më thelbësore që pritet të pësojë Matura 2009, propozime të cilat janë dërguar tashmë në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës dhe pritet që në fund të janarit gjithçka të jetë gati dhe maturantët të kenë në dorë rregullat e reja të përzgjedhjes për në shkollën e lartë.
Matura 2009
Specialistët e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), ata të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, drejtorë të drejtorive arsimore dhe specialistë që kanë ndjekur procesin e Maturës 2008 si dhe specialistë të Agjencisë Kombëtare të Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL), kanë sugjeruar disa ndryshime për Maturën 2009, me qëllim përmirësimin e saj. Ata kërkuan një trajnim më të kujdesshëm të maturantëve dhe mësuesve për këtë vit, si dhe trajnimin e një personi përgjegjës për maturën në çdo shkollë. Gjithashtu ata kanë sugjeruar që në Maturën 2009 të rritet pesha e notës mesatare në llogaritjen e pikëve; të shkurtohet koha nga dalja e rezultateve në përcaktimin e fituesve, si dhe kanë sugjeruar që është e nevojshme edhe një fazë e katërt regjistrimesh. Një tjetër sugjerim i këtyre specialistëve për Maturën 2009 ka qenë e drejta për konkurrim e maturantëve para vitit 2006, si dhe njohja e provimeve me zgjedhje vetëm një herë. Gjithashtu, ata kanë pranuar se pritja e maturantëve nga universitetet në kuadrin e këshillimit të karrierës, duhet të jetë një eksperiencë që duhet të aplikohet edhe këtë vit. Specialistët që janë marrë me mbikëqyrjen e Maturës 2008, kanë kërkuar rritjen e pjesëmarrjes së grupeve të interesit në vendimmarrje, sidomos të vetë maturantëve. Kjo, në fazën e përcaktimit të koeficientëve të shkollës dhe atyre të lëndëve me zgjedhje, që influencojnë në llogaritjen e pikëve. Ndërkohë që nuk do të ketë ndryshime në mënyrën e administrimit të provimeve të Maturës, të numrit të provimeve që gjimnazistët do të japin, në mënyrën e hartimit të testeve apo edhe të vlerësimit të tyre. Të gjitha këto sugjerime tashmë janë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, institucion që do të vendosë se çfarë do të ndryshojë këtë vit në procesin e Maturës Shtetërore. Burime nga AVA shpjegojnë se deri në fund të janarit pritet që të jenë vendosur pikat mbi "i" dhe në fillim të shkurtit gjithçka do të bëhet publike e maturantët do të mund të kenë në dorë rregullat e reja që i bëjnë fitues për në shkollat e larta. Gjithsesi, specialistët shpjegojnë se edhe këtë vit fituesit do të mund të zgjidhen në bazë të sistemit të meritë-preferencës, si një formulë e cila ka rezultuar e suksesshme dhe ka shmangur korrupsionin e pranimeve në universitete. Ata shtojnë se të gjitha këto ndryshime bëhen me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të Maturës Shtetërore.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›