E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, djali vrau nënën pas sherrit në familje

Sipas policisë djali kishte qenë në gjendje gjysmë të dehur, ka zbrazur armën ndaj nënës së tij 58 vjecare. Pas arrestimit nga policia i riu ka pranuar krimin dhe akuzonte të ëmën se ishte fajtore për vdekjen e babait të tij pak javë më parë. 

TIRANE Ekzekuton të ëmën me breshëri automatiku, vetëm një javë pasi i kishte vdekur i ati. Viktor Prendi, baba i dy fëmijëve, në gjendje gjysmë të dehur, ka zbrazur armën ndaj nënës së tij, Diles, 58 vjeçe. Shkak për ngjarjen e rëndë ka qenë një grindje e rëndomtë në shtëpinë e tyre, në fshatin Prush të Komunës së Vaqarrit, në Tiranë. Sipas policisë, Viktori akuzonte të ëmën se nuk e kishte dashur babanë e tij dhe marrëdhëniet e këqija i kishin "shkurtuar" jetën të atit, Nikollës, i cili ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare. Me të marrë sinjalizimin përkatës, shërbimet e Komisariatit numër 6 të Policisë së Tiranës janë ngjitur gati gjysmë ore më këmbë për të mbërritur në vendin ku banonte familja e ardhur nga zonat e Pukës. E kanë ndjekur Viktorin në tentativën e tij për të ikur dhe e kanë rrethuar në bahçe. Pas gjysmë ore rrethimi dhe thirrjesh për dorëzim, Viktori ka hedhur armën dhe u është dorëzuar shërbimeve të policisë. Ka pranuar autorësinë e vrasjes, duke pretenduar se e ëma ia kishte "ngrënë shpirtin" atij dhe të atit që kishte vdekur.
Ngjarja
Mbrëmjen e djeshme, Viktori ka qenë vetëm me të ëmën në kuzhinën e shtëpisë. Rreth orës 19:00, ata kanë nisur të debatojnë për çështje të rëndomta në lidhje me marrëdhëniet në familjen e tyre. Vdekja e të atit duket se kishte rënduar mjaft gjendjen psikologjike të tyre. Debatet janë bërë me zë të lartë, por askush në lagje nuk ka mundur të dëgjojë apo të ndërhyjë, ndoshta duke shmangur krimin që do vijonte. E ka sharë nënën, e ka shtyrë dhe në fund ka shkuar të marrë armën dhe e ka qëlluar. Të shtënat kanë alarmuar fshatin, dhe kur është mësuar çfarë kishte ndodhur, është njoftuar policia.
Rrethimi
Shërbimet e Komisariatit numër 6 të Policisë së Tiranës janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes. Terreni i thyer dhe mungesa e rrugëve e bënte mjaft të vështirë mbërritjen në shtëpinë e familjes Prendi, 6 kilometra nga Tirana. Policia e ka gjetur Viktorin pranë banesës dhe e kanë ndjekur derisa ai është detyruar të ndalë. Sipas banorëve të fshatit, janë dëgjuar të shtëna që vinin nga automatiku i Viktorit. Ai është mbajtur 30 minuta i rrethuar, derisa i është bindur thirrjes për t'u dorëzuar. Viktori është shoqëruar në ambientet e izolimit të Komisariatit numër 6 të Policisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë. Ka pranuar autorësinë e ngjarjes, por oficerët e policisë, deri në orët e vona të mbrëmjes nuk kishin kuptuar ende shkakun e ngjarjes. Sipas policisë, në kushtet e tronditjes së rëndë psikike pas krimet dhe efekteve të alkoolit, Viktori nuk mundej të ishte i qartë në deklarimet e tij.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›