E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Kryeziut, “ndërhyn” Avokati i Popullit

Nga Gerti Xhaja
Familjarët e Ismet Kryeziut i ankohen Avokatit të Popullit për veprime të ngadalta hetimore për zbardhjen e zhdukjes së njeriut të tyre. Reagon Avokati: Puna e policisë, e justifikueshme. 

TIRANE Familjarët e Ismet Kryeziut i ankohen Avokatit të Popullit për mënyrën e trajtimit të tyre në seancat e marrjes në pyetje në polici. Objekt i ankesës janë edhe veprimet e ngadalta hetimore për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Ish-eksponenti i UÇK-së, Ismet Kryeziu rezulton i zhdukur prej 15 nëntorit të vitit të kaluar. Miku i biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, të zhdukur prej vitit 1995, kishte dalë pasditen e së shtunës së 15 nëntorit me pretendimin se do takonte dy ish-komandantë të UÇK-së, dhe nuk është kthyer më. Dy ditë më pas, e shoqja shqiptare Anila Leli kishte denoncuar në polici zhdukjen e bashkëshortit të saj.
Avokati i Popullit
Dy javë më parë, në datën 24 dhjetor Skënder Halluçi, komisioner i Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani, i ka kthyer përgjigje Çerçiz Lelit, babait të Anilës, e cila është bashkëshortja e kosovarit Ismet Kryeziu. Sipas Halluçit, "Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbi bazën e materialeve të Policisë së Qarkut Tiranë ka regjistruar procedimin penal numër 3883, që bën fjalë për veprën penale të "rrëmbimit ose të mbajtjes peng". Komisioneri Halluçi i ka konsideruar ligjore veprimet e policisë dhe marrjet në pyetje, të motivuara me hetimet për zbulimin e së vërtetës. "Të gjitha veprimet proceduriale janë kryer konform ligjit, ndërsa pretendimi se persona të policisë ju kanë thirrur në orën 22:00 në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, kishin si qëllim verifikimin dhe marrjen e informacioneve të reja, të cilat lidheshin me gjetjen e personit Ismet Kryeziu", - thuhet në kthim-përgjigjen e institucionit të Avokatit të Popullit, që vijon: "Pretendimi i ngritur nga ju se Komisariati numër 4 ju ka bërë një hetim të tejzgjatur 4 orësh, ka pasur si qëllim ripyetjen për prova dhe fakte të reja që lidhen me hetimin për gjetjen e personit Ismet Kryeziu, dhe të gjitha këto materiale i kanë kaluar prokurorisë.
Policia
Ismet Kryeziu, dyshohet të jetë larguar apo rrëmbyer për probleme borxhesh. Kjo është pista e hetimit të zhdukjes misterioze të ish-eksponentit të Frontit të Rezistencës për Çlirimin e Kosovës, dhe më pas me UÇK-në. Lajmi konfirmohet nga burime pranë grupit hetimor të policisë së kryeqytetit. Dosja për hetimin e ngjarjes i është rikthyer policisë nga prokuroria, për gjetjen e provave konkrete për zbulimin e saj. Burimet nuk saktësojnë të kenë komunikuar me borxhlinjtë, apo shumën e plotë që u detyrohej Kryeziu. Pista e borxhit është kundërshtuar qysh në ditët e para nga familjarët, të cilët e mohojnë një fakt të tillë. Edhe në një rast kur Ismet Kryeziu ka qenë ndërmjetës për dhëndrin e tij, familjarët janë shprehur se shuma e parave është e vogël dhe se vetë dhëndri ka marrë përsipër shlyerjen e detyrimit.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›