E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlore, bashkia pagëzon me emra 94 rrugë e sheshe

Nga Enrik Mehmeti
"Emërtimet u bënë mbi bazën e një pune të studiuar e të përgjegjshme, me synim evidentimin e vlerave të historisë, patriotizmit, kulturës e traditës së njohur vlonjate e asaj kombëtare. 

VLORE Fillimviti 2009 i gjen të pagëzuara me emra 94 rrugë, sheshe e rrugica të qytetit bregdetar të Vlorës, duke shënuar një hap tjetër drejt synimit për një qytet bashkëkohor, të traditës, kulturës e së ardhmes. Emërtimet e reja u bënë në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, mbi bazën e një studimi të gjatë të grupit të punës pranë institucionit vendor, me asistencën e fushave të ndryshme të kulturës, historisë e shkencës. "Emërtimet u bënë mbi bazën e një pune të studiuar e të përgjegjshme, me synim evidentimin e vlerave të historisë, patriotizmit, kulturës e traditës së njohur vlonjate e asaj kombëtare", - pohon Shpëtim Gjika, kryetar i bashkisë.
EMËRTIMET
Ajo që të bie në sy në përzgjedhjen e emrave të rrugëve, është fakti se aty janë emrat e atyre që kanë bërë histori dhe e kanë përmbushur detyrën karshi atdheut, edhe pse janë të periudhave të kaluara. "Nuk janë harruar emrat e kapedanëve që kanë luftuar që në fillimet e pushtimit turk, si Gjergj Stresi, udhëheqësi i shquar himarjot që luftoi kundër pushtuesve osmanë, një nga gjeneralët e Gjergj Arianitit, i cili shërbeu në shtabin e luftës së Skënderbeut dhe në 1481 ndihmoi të birin e Skënderbeut, Gjonin, për të zbarkuar me ushtrinë në Himarë kundër pushtuesve osmanë. Është vendosur dhe emri i kapedanit Jani Kasneci, nga Vunoi, 1735 -1814, i shkolluar në Padova të Italisë. Në përzgjedhjen e figurave të njohura, grupi i specialistëve pati parasysh që të kishte një gjithëpërfshirje sipas kontributit e meritave, të vlerësoheshin figura të lëna në harresë për shkaqe politike e jo të meritave, si dhe të evidentohen ngjarje të rëndësishme që lidhen me kontributin konkret të të përzgjedhurve", - shtojnë drejtues të bashkisë. Mes të tjerëve, në bazë të vendimit të këshilltarëve, një rrugë e Vlorës do të mbajë emrin e patriotit Hysni Lepenica (1900-1943), person i harruar e anatemuar ndër dekada, i cili u lind në Lepenicë të Vlorës dhe kreu shkollën e mesme në Tiranë. Do të përjetësohen gjithashtu në pllakatet e rrugëve dhe emra të tillë si kapiteni i futbollit vlonjat në vitet 1933-1940, personalitete të qëndresës çame e himarjote, deri dhe dëshmorë apo martirë të kohëve të fundit.
PROJEKTI
Për drejtuesit e bashkisë, tashmë para specialistëve të saj mbetet kurorëzimi i vendimit që mori Këshilli Bashkiak. Kreu i bashkisë, Gjika, shton se kjo do të bëhet me përgjegjësi e në një afat dymujor. Kështu, do të përcaktohen objektet (rrugët, sheshet, rrugicat) për çdo emër, e së fundi do të përgatiten e vendosen pllakatet përkatëse. Njëkohësisht, specialistë pranë institucionit vendor pohojnë se në projektet e afërta është dhe përfundimi i plotë i sistemit të adresave për gjithë territorin e banesat që përfshihen brenda vijës së verdhë të qytetit.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›