E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, Bashkia rrit taksat dhe tarifat vendore

Nga Esmeralda Keta
Qytetarët e Tiranës, subjektet e ndryshme tregtare, edhe për vitin 2009 do të paguajnë taksa dhe tarifa më të larta për shërbimet që ofron pushteti vendor; pastrimin dhe gjelbërimin e qytetit. 

TIRANE- I pyetur për këtë çështje, kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, ka theksuar se këtë vit nuk është miratuar asnjë ndryshim për taksat vendore, por rritja është miratuar një vit më parë, kur u miratua paketa e re fiskale. Ndaj, në këtë vit qytetarët e Tiranës, por edhe të gjitha bizneset, me shumicë apo me pakicë, dyqanet, baret etj, do të paguajnë më shumë para për taksën e gjelbërimit dhe për tarifën e pastrimit. Kështu, nëse një familje në vitin 2008 paguante 3600 lekë për tarifën e pastrimit, këtë vit duhet të paguajë 4500 lekë. Ndërkohë, për taksën e gjelbërimit kategoria e familjarëve do të paguajë 400 lekë, pra 100 lekë më shumë se një vit më parë.
Rritja e taksave
Me ardhjen e këtij viti të ri, sikur të mos mjaftonte kriza ekonomike mbarë-botërore, qytetarëve të Tiranës, kategoria e familjarëve, por edhe subjektet e ndryshme private dhe tregtare, do të paguajnë për shërbimet që ofron Bashkia e Tiranës më shumë para. "Paketa fiskale që është miratuar në 2008 parashikonte ndryshimet e tarifave për disa vjet. Kështu, në 2008, për pastrimin qytetarët paguanin 3600 lekë, në 2009, 4500 lekë, ndërsa në 2010 do të paguajnë 5000 lekë. Ndërsa, për gjelbërimin këtë vit do të paguajnë 400 lekë, ndërkohë që në 2010 do të paguajnë 500 lekë. Normalisht, taksat këtë vit janë ndryshuar edhe për të gjitha llojet e subjekteve tregtare, për tavolinat e bareve që zënë hapësirat publike etj. Por, për disa kategori familjarësh do të ketë lehtësira dhe si rezultat do të paguajnë më pak. Këtu përfshihen familjet në nevojë, të sëmurët para dhe tetraplegjikë, familje që janë me asistencë, pensionistët e vetmuar etj", - ka deklaruar kryetari i Këshillit Bashkiakë, Sokol Dervishaj. Tashmë, familjarët duhet të paguajnë vetëm për taksën e pastrimit dhe të gjelbërimit 4900 lekë të reja në vit. Ndërsa, për taksën e ndërtesës ata do të paguajnë, për ndërtesat para vitit 1993, 10.5 lekë/m2, ndërsa për ndërtesat pas 1993, 21 lekë/m2. Por, rritja e taksave vit pas viti është një diskriminim për ata qytetarët që paguajnë gjithmonë taksat, pasi pjesa tjetër nuk e ndien rritjen e tyre meqë nuk paguan asnjëherë. Kjo gjë duket shumë qartë edhe në evidencat e Bashkisë së Tiranës për mbledhjen e tyre, pasi për vitin 2008 janë mbledhur vetëm 25 për qind e taksave, ku nga 11 njësitë bashkiake, numrin më të madh të familjeve që kanë paguar taksat e ka njësia nr. 4, me rreth 11 mijë familje, ndërsa numrin më të vogël e ka njësia nr. 10, me rreth 500 familje.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›