E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura 2010, Ministria e Arsimit publikon rregulloren e zhvillimit të Provimeve



Jonida Tashi

Ministria e Arsimit publikon zyrtarisht rregulloren për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2010. Kjo rregullore përcakton qartë rregullat e zhvillimit të provimeve të Maturës, institucionet shtetërore dhe strukturat arsimore përgjegjëse për këtë proces. Në rregullore janë përfshirë udhëzimet e MASH, për procedurat e provimit të Maturës dhe përgatitjet e testeve nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), si dhe aplikimet për këto provime. Gjithashtu, në këtë rregullore janë përfshirë edhe udhëzimet që përcaktojnë përzgjedhjen e mjediseve të zhvillimit të provimeve të Maturës, procedurat e shpërndarjes dhe grumbullimit të materialeve dhe administrimit të provimeve, etj.
Provimet
Provimet e Maturës përbëhen nga provime të detyrueshme dhe provime me zgjedhje. Provimet e detyrueshme do të zhvillohen në ditë të ndryshme. Kurse provimet me zgjedhje do të zhvillohen në të njëjtën ditë. Provimet me zgjedhje zhvillohen vetëm një herë në vit. Provimet e Maturës zhvillohen vetëm me shkrim. Datat e provimeve të Maturës do të caktohen nga ministri i Arsimit. Sipas rregullores, provimet e detyruara të Maturës i jep çdo nxënës që ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme dhe ka plotësuar formularin përkatës. Çdo maturant mbetës në provimet e detyruara (D1 dhe D2) ka të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë (të vjeshtës), por nuk ka të drejtë të konkurrojë për programet e studimit në universitetet publike të vendit. Rezultatet e secilit provim të Maturës nuk do të kushtëzojnë hyrjen në provimet e tjera. Kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në programet e studimit në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, në programin e studimit të Edukimit Fizik në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan mund të konkurrojnë në këto institucione pa qenë të detyruar të japin provimet me zgjedhje, por këta kandidatë duhet të plotësojnë formularët përkatës sipas rastit.
Testet
Për të gjitha lëndët e provimeve të detyruara dhe provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore në sesionin e parë do të veprohet sipas procedurës së mëposhtme. Fillimisht, Ministria e Arsimit do të dërgojë zyrtarisht në AVA programet orientuese lëndore të hartuara nga komisionet e ngritura. Pas marrjes së programeve orientuese, drejtori i AVA-s në bashkëpunim me Drejtorinë e Edukimit Parauniversitar (DEPU) pranë MASH-it, do të miratojë ngritjen e grupeve lëndore të hartimit të testeve. Me propozimin e specialistëve lëndorë të AVA-s ai do të përzgjedh anëtarët e grupeve lëndore të hartimit të testeve. Këta të fundit, do të angazhohen në punë pas nënshkrimit të kontratave të posaçme, të cilat vënë si kusht ruajtjen e sekretit dhe mungesën e konfliktit të interesit. Për këtë, në nenin 6 i rregullores së Maturës përcaktohet: “Të gjithë pjesëmarrësit e përfshirë në detyra që lidhen me zhvillimin e procesit të Maturës Shtetërore, janë të detyruar të pranojnë, me anë të një deklarate personale, që nuk kanë fëmijë, nipër/mbesa maturantë/kandidatë që do t’u nënshtrohen provimeve të Maturës në njësinë ku ushtrojnë funksione që lidhen me realizimin e provimeve të kësaj Mature”. Pas përzgjedhjes së anëtarëve të hartimit të testeve, specialistët lëndorë të AVA-s do të trajnojnë çdo secilin prej tyre. Më tej, çdo grup lëndor do të hartojë fondin e kërkesave të testeve, bazuar në matricën e specifikimeve, të hartuar nga specialisti lëndor. Ky fond është sa 20-fishi) i kërkesave që do të përmbajë testi. Përzgjedhja e testit të lëndës do të bëhet nga specialistë të caktuar prej ministrit të Arsimit, që emërtohen përgjegjës të testit përfundimtar (PTP), në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit (KOEPS), brenda ambienteve të izoluara të AVA-s. Menjëherë pas përzgjedhjes së testit do të kryhet shumëfishimi dhe paketimi i test-broshurave.

Procedura e vlerësimit të testeve
Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo maturant.
Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga maturanti për kërkesën përkatëse mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga hartuesit e testeve.
Vlerësimi i përgjigjeve të maturantëve në provimet e detyruara dhe me zgjedhje bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë.
Pas përfundimit të çdo provimi të Maturës, AVA shpall skemën e vlerësimit të testit.
Testet e provimit të Maturës vlerësohen nga vlerësues të jashtëm.
Drejtori i AVA-s, në bashkëpunim me DEPU përzgjedh vlerësuesit e jashtëm dhe përgjegjësit e tyre. DEPU dhe AVA organizojnë, jo më vonë se një muaj përpara provimit të parë të Maturës trajnimin intensiv të vlerësuesve.
Përzgjedhja e vlerësuesve të testeve kryhet çdo vit. Numri i tyre është në varësi të numrit të testeve që vlerësojnë dhe kohës së shpalljes së rezultateve të vlerësimit.
Çdo vlerësues firmos në çdo test që vlerëson dhe mban përgjegjësi për vlerësimin.
Para fillimit të procesit të vlerësimit të testeve, grupi i hartimit të testeve të AVA ritrajnon vlerësuesit e testeve, për testin e përdorur në provim.
Vlerësimi i testeve realizohet në mjediset që përzgjidhen nga AVA dhe miratohen nga ministri i Arsimit, në kushte të përshtatshme dhe të sigurta.
Çdo pyetje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë, të pavarur nga njëri tjetri. Vlerësuesit, pasi marrin në dorëzim testet, konfirmojnë saktësinë e tyre dhe bëjnë kodifikimin me numra arabë, pavarësisht nga barkodi dhe pa e dëmtuar atë. Vlerësuesit mund të bëjnë shënime në test, por vlerësimet për çdo pyetje i pasqyrojnë në formularët përkatës. Rakordimi i vlerësimeve bëhet, pas korrigjimit të çdo 40 testeve. Në rastet kur ka mospërputhje midis dy vlerësuesve, përgjegjësi i vlerësimit, aktivizon një vlerësues të tretë për të bërë, motivuar dhe argumentuar vlerësimin përfundimtar. Përgjegjësi i vlerësimit firmos në tabelën e vlerësimit të testit së bashku me vlerësuesin e tretë.
MASH ngre komisione të posaçme (KOPOTED), që shqyrtojnë rast pas rasti të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve dhe me parregullsi.
Për të gjitha parregullsitë që konstaton, secili KOPOTED, për AP dhe PAP i propozon KSHP-së, njërën prej masave të përcaktuara në rregullore, i cili merr vendimin përkatës. Pas marrjes së vendimit nga KSHP këta masa i përcillen organit të emërtesës për zbatim.
Procesi i vlerësimit të testeve mbikëqyret nga përfaqësues të Komitetit të Maturës Shtetërore.
Shpallja e rezultateve bëhet jo më vonë se 15 ditë, pas çdo provimi të Maturës.

Sindikata e mësuesve: Nuk e firmosim kontratën e re të punës
Sindikatat e pavarura të arsimit nuk do të firmosin Kontratën kolektive me Ministrinë e Arsimit, nëse ajo praktikon rritjen e ngarkesës mësimore për mësuesit. Sipas kryetarit të sindikatave qendrore të arsimit, Xhaferr Dobrusha, sapo është firmosur marrëveshja për hapjen e procesit të negocimit për Kontratën kolektive të punës dhe pika e parë e saj është ruajtja e standardeve që janë arritur në Kontratën kolektive që është në fuqi. “Kjo dispozitë është e vlefshme dhe për normat mësimore dhe ngarkesën javore apo vjetore të çdo mësuesi. Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Sindikata e Pavarur e Arsimit i garantojnë anëtarët e tyre se për këtë pikë nuk mund të ketë kthim prapa. Ne jemi duke negociuar me MASH për këtë çështje të ndjeshme dhe do të pranojmë të nënshkruajmë vetëm një Kontratë që aplikon ngarkesën mësimore që përkon me Kontratën kolektive që është në fuqi, duke përjashtuar vetëm rastet abuzive që janë vërejtur në praktikën e deritanishme”,- ka deklaruar Dobrusha. Përsa i takon shkurtimit të vendeve të punës në sektorin e arsimit, kreu i Federatës së sindikatave të arsimit tha se nuk ka shkelje ligji, por përfundim të kontratave mes tyre dhe MASH.

18 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›