E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji, pronarët që rrezikojnë të humbasin pronën vetëm se nuk e kanë punuar



Laureta Rryçi

Qeveria përcaktoi dje në mënyrë definitive pronarët që rrezikojnë të humbasin të drejtën mbi pronat e pakultivuara. Projektligji që mori miratimin nga Këshilli i Ministrave zbardh për herë të parë procedurat që do të ndiqen për t’i marrë pronarit tokën e papunuar. Sipas hartuesve, ky projektligj ka për qëllim të përcaktojë rregullat dhe procedurat për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara, për të garantuar funksionin social të pronës në kuadrin e zhvillimit të qëndrueshëm bujqësor dhe rural. Specialistët kanë përcaktuar se nga ky ligj preken të gjitha ato toka bujqësore, në pronësi private, të zërit kadastral “arë”, që figurojnë si të tilla në regjistrat kadastralë shtetërorë, në seksionin e administrimit dhe mbrojtjes së tokës (më poshtë SAMT) në qark. Gjithashtu preken tokat bujqësore, në pronësi private, të zërit kadastral “vreshta”, “pemëtore” dhe “ullishte”, që figurojnë si të tilla në regjistrat kadastralë shtetërorë, në SAMT, në qark, por që nga verifikimet e kryera, sipas dispozitave vijuese të këtij ligji, nuk rezultojnë të kenë bimë hardhie, drurë frutorë dhe ullinj dhe, së fundi, preken tokat në përdorim, sipas përcaktimit të Nenit 15, të Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar.
Evidentimi
Për evidentimin e tokave bujqësore të pakultivuara, pranë çdo komune dhe bashkie do të krijohet komisioni me këtë përbërje: përgjegjësi i zyrës së menaxhimit dhe mbrojtjes së tokës (ZMMT), të komunës dhe/ose baskisë, kryetar; përfaqësuesi i drejtorisë rajonale të bujqësisë, ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit (DRBUMK), anëtar; kryetari i fshatit përkatës, anëtar. Komisioni, çdo vit, brenda 15 shtatorit, do të bëjë verifikimin e sipërfaqeve të tokave të pakultivuara për çdo fshat. Verifikimi bëhet duke u bazuar në këqyrjen fizike të sipërfaqes së tokës, në të dhënat kadastrale dhe në informacionin e siguruar nga vetë pronari i saj. Në mungesë të pronarit, komisioni mund të sigurojë informacion nga pronarët kufitarë, të afërm të tij apo banorë të tjerë të fshatit. Rezultatet e verifikimit për çdo pronar ose posedues të ligjshëm, pasqyrohen në një dokument, forma dhe përmbajtja e të cilit përcaktohen me udhëzim të ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Dokumenti i verifikimit i paraqitet kryetarit të komunës ose bashkisë brenda datës 30 shtator të çdo viti. Kryetari i komunës ose bashkisë publikon, brenda datës 15 tetor të çdo viti, listën emërore të pronarëve ose poseduesve të ligjshëm me sipërfaqet përkatëse të tokave, të evidentuara si të pakultivuara në çdo fshat. Kjo listë afishohet për një afat prej 45 ditësh, në qendër të komunës dhe në fshatin përkatës. Për efekt të zbatimit të këtij ligji, afishimi i listës së mësipërme përbën njoftim zyrtar të çdo pronari ose poseduesi të ligjshëm. Brenda kësaj periudhe, pronarët, emrat e të cilëve përfshihen në listë, kanë të drejtë të paraqesin ankesë, me shkrim, pranë kryetarit të komunës ose bashkisë, për saktësinë e evidentimit të kryer nga komisioni. Kryetari i komunës ose bashkisë shqyrton ankesat e paraqitura, rast pas rasti, brenda pesë ditëve nga marrja e ankesës.
Klasifikimi
Kryetari i komunës ose bashkisë përgatit dokumentacionin e evidentimit të tokave të pakultivuara dhe ia paraqet këshillit të komunës ose bashkisë për shqyrtim dhe vendimmarrje për klasifikimin e tyre si të tilla. Shqyrtimi bëhet brenda 15 janarit të vitit pasardhës. Këshilli i komunës ose bashkisë merr vendimet përkatëse për çdo fshat, të cilat përmbajnë identitetin e pronarit ose poseduesit të ligjshëm dhe sipërfaqen përkatëse të tokës, që klasifikohet e pakultivuar. Vendimi i këshillit të komunës ose bashkisë përbën njëkohësisht autorizim për kryetarin e komunës ose bashkisë për t’ua dhënë me qira këto toka subjekteve kërkuese. Vendimi i këshillit të komunës ose bashkisë publikohet (shpallet) në vende të dukshme në qendër të komunës ose bashkisë si dhe në qendër të çdo fshati. Kur është e mundshme këto vendime publikohen edhe në median lokale. Pronari ose poseduesi i ligjshëm i sipërfaqeve të tokave të pakultivuara, të përfshira në vendim, mund t’i paraqesë një kërkesë me shkrim komunës ose bashkisë, brenda 31 janarit, në të cilën merr përsipër detyrimin për të kultivuar këtë tokë, duke i bashkëlidhur kërkesës një plan për përdorimin e tokës, përfshirë kulturën bujqësore, sipërfaqen dhe afatet e kultivimit. Kryetari i komunës ose bashkisë, brenda 5 ditëve nga paraqitja e kërkesës, ia përcjell për miratim këshillit të komunës ose bashkisë, i cili bën korrigjimin përkatës në listën e tokave të pakultivuara, për sipërfaqen e kërkuar për t’u mbjellë. Komisioni i evidentimit të tokave të pakultivuara ndjek realizimin e planit të përdorimit të tokës dhe informon kryetarin e komunës ose bashkisë. Kur pronari ose poseduesi i ligjshëm i tokës nuk realizon planin e përdorimit të tokës brenda afateve të përcaktuara, toka konsiderohet e klasifikuar si e pakultivuar.

box

Rregullat për dhënien me qira të tokave bujqësore të pakultivuara
Tokat e klasifikuara si toka të pakultivuara u jepen me qira të tretëve vetëm për kultivimin e bimëve të arave, për jo më shumë se 5 vjet. Pronari ose poseduesi i ligjshëm i tokës nuk ka drejtë të bëjë kërkesë për kultivimin e kësaj toke deri në përfundim të afatit të përcaktuar në kontratën përkatëse të qirasë. Me mbarimin e kontratës së qirasë, komuna ose bashkia ka të drejtën e qiradhënies së kësaj toke nëse pronari ose poseduesi i ligjshëm nuk ka ushtruar kërkesë për kultivimin e saj. Komuna ose bashkia është autoriteti qiradhënies i tokave bujqësore të pakultivuara. Për dhënien me qira të këtyre tokave pranë çdo kumune ose bashkie krijohet bordi i qiradhënies (BQ) me këtë përbërje: kryetari i komunës ose bashkisë kryetar; një përfaqësues i DRBUMK-së anëtar; një përfaqësues të SAMT-së në qark anëtar; përgjegjësi i zyrës së financës të komunës ose bashkisë ose një jurist anëtar; përgjegjësi i ZMMT-së në komunë ose bashki sekretar. Detyrat, përgjegjësitë e BQ-së, procedurat e dhënies me qira të tokave të pakultivuara dhe kontrata tip përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Subjekte të qiramarrjes së tokave bujqësore të pakultivuara janë personat fizikë e juridikë, vendas dhe të huaj, që shprehin interes, me shkrim, për këtë veprimtari, pranë komunës ose bashkisë përkatëse. Shprehja e interesit përmban përshkrimin e veprimtarisë bujqësore që subjekti do të kryejë. Subjekti qiramarrës ka për detyrim ta përdorë tokën bujqësore në përputhje me praktikat e mira bujqësore dhe të shfrytëzimit të saj. Mënyrat e dhënies me qira tokave bujqësore të pakultivuara janë: pa ankand, në rastin kur paraqitet një kërkesë e vetme; me ankand, në rastin kur paraqitet më shume së një kërkesë. Çmimi minimal, për dhënien me qira të tokës bujqësore të pakultivuar të jetë 30% më i ulët se vlera e qirasë vjetore të tokave bujqësore, të përcaktuar në pikën 2 të Vendimit Nr. 830, datë 28.12.1998, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e llogaritjes së vlerës vjetore të qirasë së tokave bujqësore, pyjore, me bimë pyjore, livadheve dhe kullotave, pasuri shtetërore”. Qiramarrësi paguan vlerën e qirasë për çdo vit pranë komunës dhe/ose bashkisë. Pagesa e parë bëhet me nënshkrimin e kontratës, pagesat e tjera bëhen mbas çdo viti. Të ardhurat, që krijohen nga qiradhënia e tokave të pakultivuara, ndahen, si më poshtë vijon: 80 për qind, në dobi të pronarit apo poseduesit të ligjshëm të tokës; nga shuma e së cilës komuna ose bashkia mban vlerën e taksës vjetore mbi tokën; 20 për qind, në dobi të komunës ose bashkisë për mbulimin e shpenzimeve administrative që lidhen me zbatimin e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

box
Toka që do t’i merret pronarit
“Tokë bujqësore”, ka kuptimin e përcaktuar në pikën 3, të Nenit 2, të Ligjit Nr.9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”;

“Tokë bujqësore e zërit kadastral ‘ar뒔, ka kuptimin e të gjithë sipërfaqes së tokës bujqësore të destinuar për t’u mbjellë me bimë arash dhe që figuron si e tillë në regjistrat kadastralë shtetërorë;

“Tokë bujqësore e zërit kadastral ‘vreshta’, ‘pemëtore’ dhe ‘ullishte’”, ka kuptimin e të gjithë sipërfaqes së tokës bujqësore të mbjellë me hardhi, dru frutorë dhe ullinj dhe që figuron si e tillë në regjistrat kadastralë shtetërorë;

“Përdorim dhe shfrytëzim i tokës bujqësore”, është veprimtaria, që ushtron për çdo vit pronari ose poseduesi i ligjshëm i tokës, për punimin, mbjelljen dhe kultivimin e bimëve bujqësore, në përputhje me praktikat e mira bujqësore, për marrjen e produkteve të dobishme prej tyre;

“Tokë bujqësore e pakultivuar” është toka bujqësore e cila nuk është përdorur dhe shfrytëzuar për qëllime bujqësore, nga pronari ose poseduesi i ligjshëm për të paktën 2 vjet.

18 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›