Pranga grabitësit, hyri në një shtëpi për të vjedhur
FIER - Donte të vidhte me maskë, por në largim e sipër ia kanë hequr maskën nga koka duke e zbuluar se cili ishte, derisa më në fund është vënë në prangat e policisë. Bëhet fjalë për 35-vjeçarin Shkëlqim Myftari, lindur dhe banues në Berat, i cili është arrestuar për veprën penale “vjedhje me armë e mbetur në tentativë” dhe “prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”. Kjo pasi në fshatin Metoh të Mallakastrës ai ka hyrë me maskë dhe me një pistoletë në shtëpinë e personit me inicialet S. M. Ky i fundit e ka konstatuar dhe nga përplasja fizike me njëri-tjetrin ka arritur t’i heqë maskën autorit, i cili më pas e ka goditur në kokë me qytën e armës, ka qëlluar 3 herë në ajër dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Nga ana e policisë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale maska që dyshohet të jetë e autorit të kësaj ngjarjeje, një krehër fishekësh me tre fishekë, si dhe 3 gëzhoja, ndërkohë që vazhdon puna për gjetjen e armës së përdorur në këtë ngjarje.
Pranga turkut të shpallur në kërkim në Gjermani
TIRANË – Pranga turkut të shpallur në kërkim nga shteti Gjerman. Policia e Shtetit bënë të ditur se ka vënë në pranga Muhamed Omer GÖK, 29 vjeç, lindur në Biberach, Gjermani, me kombësi turke dhe shtetësi gjermane. Policia tha se arrestimi i tij është kryer pas një bashkëpunimi intensiv me Interpol Ëiesbaden për identifikimin dhe lokalizimin e shtetasit Muhamed GÖK të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas burimeve zyrtare, ky shtetas akuzohet për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, pasi në periudhën janar 2005-tetor 2005, në 11 raste, ka transportuar gjithsej 21 kg Cannabis sativa nga Holanda në drejtim të Republikës Federale të Gjermanisë.
Materialet në ngarkim të tij iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Tiranë dhe Ministrisë së Drejtësisë për të plotësuar proceduarat e ekstradimit.
Arrestohen dy të kërkuar për drogë
TIRANË – Uniformat blu të kryeqytetit kanë arritur të vënë në pranga ditën e djeshme dy persona të kërkuar për “trafik droge”. Bëhet fjalë për Doriana Brikën dhe Sokol Pjollajn. Policia njofton se ndaj Brikës, Gjykata e Apelit në Milano ka dhënë një vendim duke e dënuar atë me 14 vjet burg për veprën penale të “pjesëmarrjes në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, si dhe për “trafikim të lëndëve narkotike”. Ndërsa për Pjollajn ka qenë Gjykata e Shkodrës ajo që ka dhënë dënimin prej 6 vitesh burg për akuzën “prodhim dhe shitje të narkotikeve në bashkëpunim”.
Plagosi dy persona, vihet në pranga Krenar Pali
TIRANË – Pranga Krenar Palit, plagosi me thikë dy persona dy net më parë. Sipas policisë, arrestimi i tij u bë sepse dyshohet se më datë 16 shkurt, rreth orës 21:15, në Rrugën e Durrësit në Tiranë, ka goditur me armë të ftohtë, thikë, duke e plagosur rëndë me dashje 30-vjeçarin Oltion Ymer Kola, si dhe shtetasin turk Umit Akajbiçen, 39 vjeç, të cilët aktualisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Motivi kryesor i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë përplasja me automjet e motrës së tij nga shtetasi turk Umit Akaybicen, ndaj të cilit ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”. Turku, duke drejtuar automjetin tip “Volksëagen Sharon”, me targë TR 1054 R, me drejtim lëvizje Rruga e Durrësit në afërsi të sheshit “Rilindja”, ka aksidentuar këmbësoren Denisa Zef Pali, 24 vjeçe, e cila është e motra e autorit të dyshuar të plagosjes dhe aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, ndërkohë që materialet e përpiluara në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “plagosjes së rëndë në gjendje të tronditjes së fortë psikike” në ngarkim të shtetasit Krenar Pali.
18 Shkurt 2010