Universitetet, përcaktohen afatet për plotësimin e formularëve A1 dhe A2 të Maturës
Jonida Tashi
Përcaktohen afatet kohore brenda të cilave maturantët të rinj e të vjetër, duhet të plotësojnë formularët e aplikimit në provimet e Maturës, që janë ai A1 dhe A2. Kështu, në rregulloren e Maturës, përcaktohet se çdo maturant, pavarësisht nëse jep apo jo provimet e lëndëve me zgjedhje, duhet të plotësojë dhe dorëzojë formularin A1 dhe A1-Z në Komisionin Shkollor të Maturës Shtetërore (KSHMSH) të shkollës ku ai caktohet, brenda datës 10 mars. Për këtë, MASH, do të miratojë dhe publikojë së shpejti formularin A1, A1-Z, dhe udhëzuesin për plotësimin e tyre (të dhënat e kandidatëve përpara vitit 2010 dhe të shtetasve shqiptarë që kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë vendit si dhe kërkesën e tij për provimet e lëndëve me zgjedhje), tabelën e indeksit të profilit/degëve të shkollave të mesme dhe koeficientet e lëndëve me zgjedhje të propozuara nga universitetet.
Formulari A1
Pas marrjes në dorëzim të formularit A1 dhe A1-Z, në periudhën 11-24 mars, KSHMSH do të plotësojë tabelën përmbledhëse në bazë të këtyre dy formularëve. Më pas, formularët e plotësuar A1, A1-Z, do të dërgohen zyrtarisht nga KSHMSH e shkollës në KMSH-në e DAR-it dhe ZA-së brenda datës 25 mars, së bashku me tabelën e plotësuar “T” përmbledhëse të dhënave të formularëve. KSHMSH, një kopje të tabelës përmbledhëse me të dhënat e formularëve që ka dërguar në KMSH e DAR/ZA-së e afishon në shkollë dhe pret vërejtje, ndryshime dhe rregullime të mundshme nga maturantët, i evidenton ato dhe i dërgon në AVA, brenda datës 15 prill. Formularët A1 dhe A1-Z do të qëndrojnë në DAR/ZA. Këto të fundit dhe shkolla mbajnë përgjegjësi për saktësinë e të dhënave të maturantëve që kanë mbaruar shkollën përpara vitit 2010. Brenda datës 31 mars, KMSH-të e DAR-ve dhe ZA-ve do të hartojnë mbi këtë bazë listat e plota me të dhënat e të gjithë maturantëve, sipas modelit të dërguar nga AVA, dhe do t’i dërgojnë ato zyrtarisht dhe në formë elektronike, të ndara sipas shkollave në AVA.
Formulari A2
Pas mbylljes së procesit të aplikimit me formularin A1, do të vijojë ai i radhës, që është plotësimi i formularit A2, nga i cili varet e drejta për të konkurruar për në universitet. Lidhur me afatet e plotësimit të formularit A2, në rregulloren e Maturës, përcaktohet se MASH do të miratojë deri në datën 30 qershor formularin A2, të personalizuar me kërkesën për notën mesatare dhe preferencën e programeve të studimit të shpallura nga universitetet si dhe udhëzuesin e plotësimit të tij. Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike duhet të plotësojnë formularin A2, brenda datës 30 korrik dhe ta dorëzojë atë në shkollë, pasi maturanti është njohur me të gjitha rezultatet e provimeve të Maturës. Nuk kanë të drejtë të plotësojnë formularin A2 maturantët që rezultojnë mbetës në një nga provimet e detyruara ose me zgjedhje të Maturës.
Rregullat
Të gjithë personat që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2005-2006, kanë marrë Dëftesë Pjekurie dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike, do të japin dy provimet me zgjedhje. Regjistrimi për provimet me zgjedhje do të bëhet: në shkollat ku këta persona kanë kryer shkollën e mesme; në KMSH të DAR-it apo ZA-së, ku ka figuruar shkolla e mesme, nëse shkolla e mesme apo profili i shkollës së mesme që kanë kryer është mbyllur. Në këtë rast, këta persona paraqesin në këtë KMSH dokumentet e mëposhtme: vërtetimin që ka mbaruar shkollën e mesme, i shoqëruar me notat e katër ose pesë viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse, bazuar në regjistrin themelor (Amza); kopje të noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë; një kopje të noterizuar të dokumentit të identifikimit pasaportë ose kartë identiteti; kërkesën me shkrim për dhënien e provimit me zgjedhje. KMSH i DAR-it apo ZA-së cakton shkollën e mesme ku këta persona do të plotësojnë formularët përkatës dhe do të japin provimet me zgjedhje. KMSH i DAR-it apo ZA-së përcakton për këta persona, në bazë të dokumenteve të paraqitura, notën mesatare të viteve të shkollimit si edhe notat e provimeve të detyruara D1 e D2 dhe ia përcjell ato zyrtarisht shkollës personi do të japë provimet.
Universitetet, procedurat e aplikimit për maturantët para vitit 2010
Maturantët pa Dëftesë Pjekurie
Çdo maturant që ka mbaruar shkollën e mesme para vitit shkollor 2005-2006, por nuk ka marrë Dëftesën e Pjekurisë, jep provime të detyruara dhe me zgjedhje. Ata plotësojnë dhe dorëzojnë formularin A1-Z në shkollën që cakton KMSH i DAR/ZA-së përkatëse, pasi ka paraqitur tek ato dokumentet e mëposhtme: vërtetimin që ka mbaruar shkollën e mesme, të shoqëruar me notat e katër ose pesë viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse, bazuar në regjistrin themelor (Amza); një kopje të noterizuar të dokumentit të identifikimit pasaportë ose kartë identiteti; kërkesën me shkrim për dhënien e provimeve.
Maturantët që kanë dhënë vetëm provimet me detyrim
Të gjithë maturantët që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007; 2007-2008 dhe 2008-2009 kanë dhënë vetëm provimet e detyruara, për të ndjekur programet e studimit që ofrohen në institucionet e arsimit të lartë publik këtë vit, duhet të japin provimet me zgjedhje, në shkollat e mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara. Për këtë, ata duhet të bëjnë kërkesë pranë KMSH të DAR/ZA përkatëse, duke paraqitur Dëftesën origjinale të Pjekurisë. Përjashtohen nga ky rregull, kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në programet e studimit në Akademinë e Arteve, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, në programin e studimit të Edukimit Fizik në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan pasi të kenë plotësuar formularët përkatës sipas rastit.
Maturantët që kanë dhënë provimet me zgjedhje dhe nuk janë shpallur fitues
Të gjithë personat që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007; 2007-2008 dhe 2008-2009 kanë dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë shpallur fitues ose nuk janë regjistruar në asnjë nga programet e studimit të universiteteve publike (e vërtetuar kjo nga dekanatet përkatëse), për këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje, përveç rasteve kur e kërkojnë këtë vetë. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin Meritë-Preferencë për këtë lëndë merret koeficienti që ka këtë vit. Në këto raste kandidatët i rijapin provimet me zgjedhje pranë shkollave të mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara. Për këtë ata duhet të bëjnë kërkesë pranë KMSH të DAR/ZA përkatëse, duke paraqitur Dëftesën origjinale të Pjekurisë dhe mandat-pagesën e një tarife, masa dhe modalitetet e të cilës do të bëhen të njohura nga MASH.
Maturantët që kanë dhënë provimet me zgjedhje dhe nuk janë regjistruar
Për të gjithë personat që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007; 2007-2008 dhe 2008-2009 kanë dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga programet e studimit të universiteteve publike, rezultatet e arritura nga personi në provimet me zgjedhje në një vit shkollor ruhen (konsiderohen të vlefshme) edhe në vitet në vazhdim, edhe në rastin kur kandidati ka marrë vlerësim kalues vetëm në njërin nga provimet me zgjedhje (përveç rasteve kur personi kërkon ta rijapë lëndën). Në rast se personi e ka dhënë më shumë se njëherë një lëndë të caktuar në provimet me zgjedhje dhe kërkon t’i njihet rezultati i saj, do t’i njihet rezultati i arritur në vitin e fundit kur e ka dhënë lëndën.
Afatet e plotësimit të formularëve A1 dhe A2
Çdo maturant, pavarësisht nëse jep apo jo provimet e lëndëve me zgjedhje plotëson dhe dorëzon formularin A1 dhe A1-Z brenda datës 10 mars
Shpërndarja e formularit A2 në DAR/ZA do të bëhet nga APRIAL në datën 20 korrik
DAR/ZA-të do ta shpërndajnë formularin A2 shpërndan në shkolla në datën 21 korrik
Maturantët do të marrin formularin A2 më 22 korrik dhe e dorëzojnë atë në më 28 korrik
Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta duhet të plotësojnë formularin A2, brenda datës 30 korrik dhe ta dorëzojë atë në shkollë, pasi maturanti është njohur me të gjitha rezultatet e provimeve të Maturës.
Nuk kanë të drejtë të plotësojnë formularin A2 maturantët që rezultojnë mbetës në një nga provimet e detyruara se me zgjedhje të Maturës
Shkollat duhet t’i dorëzojnë formularët A2 pranë DAR/ZA-ve më 29 korrik
DAR/ZA-të, pasi bëjnë verifikimet përkatëse, i dërgojnë formularët, të ndarë sipas shkollave, së bashku me tabelat e regjistrimeve, zyrtarisht me shkresë përcjellëse në APRIAL, brenda datës 31 korrik 2010
18 Shkurt 2010