E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet Admir Plaku, trafikoi dhe shfrytëzoi “nusen” e tij



U martua me 25-vjeçaren dhe më pas e çoi në Greqi ku e shfrytëzoi si prostitutë, por pas denoncimit të vajzës, policia ka arritur të vërë në pranga 34-vjeçarin Admir Plaku. Ndalimi i tij u bë për arsye se pasi e ka kaluar nga mali në mënyrë të paligjshme për në Greqi, Plaku ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj vajzës 25-vjeçare me qëllim që kjo të pranonte të prostituonte dhe që prej muajit shtator të vitit 2009 e deri në muajin janar të vitit 2010, ajo është shfrytëzuar për qëllim prostitucioni në një ishull grek. Ndërkaq, të hollat që ajo fitoi gjatë 4 muajve ia mori personi i lartpërmendur. Por, në janar 2010, vajza më në fund ka mundur të largohet nga tutori dhe u strehua te një qytetar grek për disa ditë dhe më pas është kthyer në Shqipëri për të bërë denoncimin. Ndërsa Admir Plaku, pasi ka mësuar se vajza ishte larguar, është kthyer në Shqipëri për ta gjetur përsëri. Por është prangosur nga forcat e policisë, ndërsa strehohej në fshatin Tapi, te një i afërm i tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale “trafikim të femrave më qëllim prostitucionin”.

Terrorizoi fqinjët duke qëlluar në ajër, ndalohet 28-vjeçari

TEPELENË - Forcat e Policisë së Tepelenës kanë arrestuar një person për armëmbajtje pa leje, i cili terrorizonte banorët me të shtëna armësh. Policia e Tepelenës bën të ditur se i ndaluari është 28-vjeçari Florenc Mahmutaj, lindur në Ballaban të Përmetit dhe banues në Gllavë të Tepelenës. Arrestimi i tij u bë pasi në komisariat mbërritën disa telefonata nga banorë të fshatit Gllavë se Mahmutaj po qëllonte me armë zjarri nga banesa e tij në drejtim të paditur, duke vënë në rrezik jetën e banorëve të kësaj zone. Menjëherë forcat e policisë kanë bërë vlerësimin maksimal të këtij informacioni dhe janë nisur në drejtim të këtij fshati. Me gjithë kushtet e vështira të motit, ku trashësia e dëborës varionte nga 20-30 centimetra dhe rruga për në komunën Buz është e kalueshme vetëm më zinxhirë, forcat e policisë kanë bërë rrethimin e zonës dhe morën të gjitha masat për të mos lejuar qarkullimin e banorëve të rastit në afërsi të banesës të këtij personi. Më tej, me veprime të shpejta policore u bë e mundur kapja në flagrancë e Mahmutajt me një armë zjarri tip kallashnikov dhe kur u bë kontrolli i imët i banesës u gjetën një sasi fishekësh luftarak model 56. Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “prodhim dhe mbajte pa leje e armëve luftarake dhe municioneve“.

Ekstradohen dy të kërkuar për vrasje

Ekstradohen dy shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje. Policia e Tiranës bën të ditur se ekstradimi i parë është kryer në orën 11:30 nga Roma për 42-vjeçarin Tonin Vata, i lindur në Pukë. Ky person mësohet se ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ishte dënuar nga gjykata me 14 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “vrasjes“ dhe “armëmbajtjes pa leje“. Kjo pasi më datë 02.09.1998, Vata, gjatë një vizite ngushëllimi te një i afërmi i tij, për shkak të disa mosmarrëveshjeve të mëparshme, ka qëlluar me armë zjarri Zef Balën, duke i shkaktuar atij vdekjen dhe duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërsa ekstradimi nga Athina drejt vendit tonë është bërë për 50-vjeçarin Riza Pleparaku nga Berati. Kjo pasi gjykata e ka dënuar atë 16 vjet më parë 25 vjet heqje lirie për kryerjen e veprës penale të vrasjes për motive të dobëta duke i shkaktuar “mundime të veçanta” viktimës. Ky person, për motive të dobëta, ka vrarë me mjete të forta Ali Hysën, duke i shkaktuar plagë e dhimbje të shumta dhe pasi e ka vrarë, është munduar t’ia fshehë trupin.

E dënuara me 11 vite burg për “mashtrim” arrestohet në kufi
KRUJË – Ishte dënuar me 11 vite burg nga Gjykata e Fierit për “mashtrim me pasoja të rënda”, arrestohet Vjollca Muhaxhiri. Policia e qarkut Durrës njofton se në segmentin rrugor Qafë-Mali – Morinë ka mundur ta ndalojë këtë shtetase, e cila ishte shpallur në kërkim nga Policia e Fierit për veprën penale të “mashtrimit me pasoja të rënda” në bashkëpunim, pasi në vitin 2007 ajo është dënuar me 11 vite burg nga gjykata e këtij qyteti. Kapja e kësaj shtetaseje u bë e mundur nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë në kohën kur ajo po tentonte të largohej në drejtim të Kosovës. Vjollca Muhaxhiri do t’i dorëzohet për veprime të mëtejshme shërbimeve të Drejtorisë së Policisë së Fierit.

Përcillet për në banesën e fundit Kastriot Aliaj

DURRËS – Mes homazheve dhe buqetave të shumta të luleve është përcjellë për në banesën e fundit punonjësi i policisë, Kastriot Aliaj, i cili humbi jetën dy ditë më parë, pas aksidentimit nga një automjet në momentin kur ky i fundit ishte duke ushtruar detyrën e tij. Në homazhet që u zhvilluan në ambientet e Pallatit të Kulturës, Durrës, morën pjesë zëvendësministri i Brendshëm Avenir Peka, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si dhe shumë personalitete të njohura të qytetit të Durrësit. Drejtuesit e Policisë së Shtetit vlerësuan figurën e Aliajt duke shprehur se emri i tij do të zërë një vend të rëndësishëm në historinë e Policisë së Shtetit. Gjithashtu ata shprehën gjithë mbështetjen e tyre për t’u ardhur në ndihmë familjarëve dhe fëmijëve të të ndjerit Aliaj.

18 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›