Grabitet banka 300 metra larg policisë, zhduken dy autorët
Thimi Samarxhiu
TIRANË – Një supergrabitje ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në një filial të Bankës Kombëtare Tregtare pranë rrugës “Myslym Shyri”. Ndonëse banka ndodhej fare pranë zyrave të Drejtorisë së Policisë së qarkut Tiranë, dy persona të maskuar kanë hyrë rreth orës 8:20 në ambientet e saj dhe duke terrorizuar punonjëset, të cilat ishin vetëm femra, kanë arritur të shkojnë deri te kasaforta ku kanë marrë rreth 5 milionë lekë. Sipas të dhënave paraprake mësohet se kanë qenë dy autorë, të cilët kanë qenë të mirinformuar për skemën e brendshme të funksionimit të bankës. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë të brendshëm. Grabitësit e armatosur janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke lënë pak shenja për identifikimin e tyre. Nga ana e saj, Policia e kryeqytetit ka ngritur menjëherë një grup hetimi, i cili sapo ka mbërritur në vendngjarje ka nisur kontrollin përreth zonës me shpresën e gjetjes së maskave të autorëve, pasi aty mund të gjendej ndonjë provë për të identifikuar autorët e grabitjes. Uniformat blu kanë kontrolluar pothuajse të gjithë kazanët e mbeturinave, por nuk kanë arritur t’i gjejnë. Policia e Tiranës ofron 1 milion lekë të rinj për personin që jep informacion për grabitësit.
Ngjarja
Vetëm rreth 20 minuta pasi punonjëset e agjencisë së BKT-së në rrugën “Myslym Shyri” në kryeqytet kishin nisur punën, dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në mjediset e saj duke i terrorizuar. Nën kërcënimin e armëve ata i kanë detyruar punonjëset që t’i çojnë te kasaforta ku ndodheshin të depozituara paratë. Sipas përllogaritjeve të para, grabitësit kanë arritur të marrin një shumë prej rreth 5 milionë lekësh të rinj, përfshirë këtu dhe valutë. Policia bën të ditur se grabitësit kanë përfituar nga mungesa e pranisë së punonjësit të sigurisë, i cili duhet të qëndrojë pranë godinës për ruajtjen e saj. Sapo kanë marrë shumën që gjendej në kasafortë, autorët janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje ku kanë nisur të marrin në pyetje punonjëset e kësaj banke, si edhe kanë administruar kasetat e filmimeve të kamerave të sigurisë.
Shpërblimi njëmilionësh
Menjëherë pas ngjarjes, Policia e Tiranës, me anë të një njoftimi për shtyp, bën të ditur se ofron një shpërblim prej 1 milion lekësh të rinj për personin që jep informacione të dobishme për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kësaj grabitjeje. Ky informacion mund të jepet në numrat zyrtarë të policisë; 129 (pa pagesë) dhe 069 41 04 111. “Drejtoria e Policisë së qarkut Tiranë, duke marrë shkas nga kjo vjedhje, ka marrë menjëherë një sërë masash organizative në bashkëpunim me Shoqëritë e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike, si dhe me punonjësit e Sigurimit të Brendshëm të Bankave të Nivelit të Dytë, me qëllim garantimin e zhvillimit normal të aktivitetit bankar”, – thuhet në njoftimin për shtyp.
Precedentët
Bankat e nivelit të dytë janë më të goditurat në rrethe
Në mars 2009, në Lezhë, punonjësi i postës sulmohet nga dy persona të maskuar në dalje të bankës dhe i rrëmbehen 5 milionë lekë që duhet t'u shpërndaheshin pensionistëve. Grabitësit u kapën një muaj më pas dhe rezultoi se ishin persona me precedentë për vjedhje të shumta.
Në tetor 2009, në Skelë të Vlorës, persona të maskuar godasin një filial banke duke përvetësuar shuma të konsiderueshme. Për hajdutët Policia e qytetit bregdetar vendosi 30 mijë euro shpërblim, por pas kërkimeve arriti të gjejë të braktisur dhe të djegur vetëm automjetin me të cilin autorët ishin larguar nga vendngjarja.
Në qytetin e Korçës, roja i një filiali banke plagoset gjatë përleshjes me grabitësit, ndërsa këta të fundit arrijnë të marrin me vete 700 euro. Një 30-vjeçar i maskuar hyri në nëntor 2009 në një bankë në Fier në mes të ditës, duke vjedhur shuma të konsiderueshme.
Në Tiranë, grabitjet kanë qenë në shuma
të vogla, që variojnë nga 500 deri në 700 mijë lekë.
18 Shkurt 2010