Matura 2010, Në fund të muajit, MASH do të vendosë nëse do të ketë ndryshime
Në fund të muajit janar, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj do të vendosë nëse Matura Shtetërore 2010 do të ketë ndryshime. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se ky vendim do të merret, pasi kreu i Arsimit të zhvillojë një takim me të gjithë drejtuesit e drejtorive arsimore si dhe atyre të shkollave të mesme të vendit. Mësohet se në këtë takim që është parashikuar të mbahet në ditët e fundit të muajit janar, Tafaj do të diskutojë me drejtuesit e arsimit parauniversitar për Maturën 2010, duke iu referuar edhe të dhënave nga Matura 2009. Në varësi të diskutimeve do të merret edhe vendimi nëse Matura 2010 duhet të ketë ndryshime ose jo. Ndonëse ende nuk është marrë vendimi final për Maturën 2010, që nënkupton publikimin e rregullores së saj, burime nga Ministria e Arsimit pohojnë se edhe nëse do të ketë ndryshime ato thjesht do të kenë të bëjnë me çështjet teknike të procesit dhe nuk do të prekin thelbin e provimeve të Maturës. Gjithsesi kërkesat për disa ndryshime në procesin e Maturës Shtetërore mbeten ende në fuqi dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga dikasteri i Arsimit. Bëhet fjalë për 14 kërkesat që para kohësh gjimnazistët e kryeqytetit i dërguan zyrtarisht drejtuesve të Ministrisë së Arsimit, ku të rinjtë kanë propozuar ndryshimin e disa rregullave në provimet e Maturës. Deri tani, për Maturën Shtetërore 2010 është vendosur vetëm data e zhvillimit të provimeve. Këtë vit, maturantët do t’i nënshtrohen më herët provimeve të Maturës Shtetërore. Ministria e Arsimit ka vendosur të ndryshojë datat e këtyre provimeve, duke i afruar ato më shumë me datën e mbylljes së procesit mësimor. Sipas datave të reja, sesioni i provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore do të fillojë më 7 qershor për të mbaruar më 2 korrik 2010. Ndërkohë që gjatë Maturës së vjetshme provimi i fundit u zhvillua në datën 10 korrik.
13 Janar 2010