E Diel, 1 Nëntor 2026

Thellohet varfëria, në kryeqytet rritet numri i familjeve që marrin ndihmë ekonomike

Eljona Lata

Numri i familjeve që marrin ndihmë ekonomike është rritur ndjeshëm duke treguar kështu një thellim të varfërisë në vend. Statistikat flasin se vetëm në dy njësi bashkiake numri i familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike është 500. Kjo shifër tregon një rritje të papunësisë dhe rënien e të ardhurave për frymë. Përkatësisht, në Njësinë Bashkiake Nr.8 dhe Nr.9 tregohet një rritje e ndjeshme e personave që përfitojnë asistencë sociale duke treguar kështu një rritje të varfërisë. Drejtuesit e këtyre njësive bashkiake shpejgojnë se kjo vjen për shkak se shumë qytetarë në pamundësi për të gjetur një vend pune në periudhe krize ekonomike detyrohet të bëjnë kërkesë për të marrë ndihmë ekonomike.
Statistikat
Në njësinë bashkiake Nr.8 dhe njësinë Bashkiake Nr.9 në Tiranë rreth 500 familje përfitojnë ndihmë ekonomike. Në njësinë bashkake Nr.8 marrin ndihmë ekonomike rreth 195 familje të cilat trajtohen me asistencë sociale. Ndërsa në njësinë bashkiake Nr.9 përfitojnë ndihmë ekonomike 279 familje. Sipas burimeve konfidenciale pranë këtyre njësive, bëhet e ditur për gazetën se ka pasur mjaft kërkesa për ndihmë ekonomike, por në shqyrtim janë marrë vetëm kërkesat e familjeve me të ardhura shumë të pakta ose zero. Përsa i përket kërkesave të familjeve në nevojë për banesa me qira ose me kredi të lehtësuar, bashkia nuk i vjen dot në ndihmë qytetarëve sepse një shërbim i tillë nuk ofrohet nga ky institucion.
Projektet sociale
Çdo njësi bashkiake disponon një projekt social për personat në nevojë duke i stimuluar ata ekonomikisht. Sipas punonjëseve sociale të njësisë bashkiake Nr.8 dhe Nr.9 të gjithë personat që përfitojnë asistencë sociale duhet të përfshihen në punën në komunitet. “Për të gjithë personat që përfitojnë ndihmë ekonomike, në përputhje me shumën që marrin i jepet të kryejnë punë në komunitet për pastrim dhe gjelbërimin e qytetit” u shpreh punonjësja e asistencës sociale paranë njësisë bashkiake Nr.9. Ndërsa në të kundërt kundrejt personave që nuk kryejnë punën në komunitet i hiqet e drejta për ta marrë ndihmën. Kurse për të gjithë ata që përfshihen në këtë projekt i jepet e drejta për të marrë edhe rrogë shtesë, dhe nuk rrezikojnë të humbin të ardhurat që marrin nga ndihma ekonomike.

Flukset për karta e identitetit dhe pasaportat biometrike
Drejtuesit e këtyre njësive bashkiake tregojnë se gjatë kësaj periudhe ka pasur fluks kërkesash përsa i përket personave që aplikojnë për karta identitetit dhe pasaportë biometrike. Sipas punonjëseve pranë këtyre njësive bashkiake tani është normalizuar situata dhe kanë rënë flukset por përsëri vazhdojnë kërkesat. Përsa i përket pasaportave biometrike ditët e fundit ka pasur mjaft aplikime, por edhe për pasaporta fluksi ka rënë në krahasim me periudhën e festive të fundvitit. Punonjëset shprehen se shumica e popullsisë është pajisur me pasaporta biometrike dhe tashmë në këto dy njësi rreth 60% e popullsisë janë pajisur.

Taksat
Deri tani shumë persona nuk kanë shlyer detyrimet taksave vendore në këto dy njësi. Sipas punonjëses të taksave pranë njësisë bashkiake Nr.9 nga 12 mijë familje vetëm 5 mijë prej të tyre kanë shlyer detyrimet. Nga ana tjetër në njësinë Bashkiake Nr.8 rreth 60% e personave i kanë shlyer detyrimet e tyre. Ndërsa për personat, të cilët nuk kanë paguar taksat nuk i lejohet të marrin asnjë dokument nga njësia Bashkiake përkatëse pa paguar tarifat e përcaktuara. Punonjëset shprehen se personave i lejohet një afat i përcaktuar prej 6 muajsh për të shlyer detyrimet. Dhe pas 6 muajve nuk lejohet që t’i jepet as njëlloj vërtetimi nga njësia bashkiake duke e detyruar atë të shlyejë taksat. Ndërsa masat ndaj këtyre personave nuk janë në autorizimin e Njësive Bashkiake por varen drejtpërdrejtë nga Bashkia e Tiranës.

13 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›