E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura 2010, përcaktohen rregulla të reja për mënyrën e zhvillimit të provimeve

Provimet do të zhvillohen në qendrat e nënprefekturave dhe në salla të mëdha
Jonida Tashi

Përcaktohen rregulla të reja për mënyrën e zhvillimit të provimeve të Maturës 2010. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka shpjeguar dje në një konferencë të posaçme për shtyp, ndryshimet që do të pësojë procesi i Maturës Shtetërore 2010. Ashtu sikurse ishte paralajmëruar nga disa zëra brenda Ministrisë së Arsimit, gjatë Maturës së këtij viti do të ketë vetëm ndryshime teknike dhe jo thelbësore të procesit. Kjo do të thotë se pavarësisht propozimeve të bëra nga gjimnazistët apo shkollat e mesme për disa ndryshime në provimet e Maturës, sërish rregullat do të jenë të njëjta më ato të një viti më parë. Për rrjedhojë, maturantët në procesin e Maturës 2010 do t’i nënshtrohen dy provimeve me detyrim që janë Matematikë dhe Gjuhë-Letërsi si dhe dy provimeve me zgjedhje, të cilat do të përzgjidhen nga vetë të rinjtë në bazë të preferencave të tyre për studimet e larta. Edhe këtë vit, në total do të jenë 10 lëndë me zgjedhje që përkatësisht janë: Anglisht; Biologji; Ekonomi-Filozofi; Fizikë; Frëngjisht; Gjermanisht; Gjeografi; Histori; Spanjisht; Italisht; Kimi; Njohuri për Shoqërinë. Po ashtu, sikurse edhe gjatë Maturës 2009, mesatarja e shkollës së mesme do të vlerësohet me 20 për qind të pikëve në totalin e provimeve të Maturës. “Kur u zhvillua Matura janë marrë mendime dhe modele nga më të ndryshmet. Në fillim mendoja se pesha që zë mesatarja të ishte diku tek 20%, por duke qenë plotësisht të vetëdijshëm që ne kemi ende diferenca jo të vogla në nivelin dhe cilësinë e shkollave të ndryshme, është ende herët të risim përqindjen që zë mesatarja. Matura 2010 do të ketë përsëri mesataren prej 20% të totalit të pikëve”,- ka deklaruar Tafaj. Ndërkohë që edhe rregullat e plotësimit të formularit A1 dhe A2 do të jenë po të njëjta me ato të vitit të kaluar.
Ndryshimet
Matura e katërt Shtetërore do të sjellë disa ndryshime të reja, thelbi i të cilave do të jetë rreptësimi i rregullave të provimeve. Për këtë, kreu i Arsimit ka bërë të ditur dje, se këtë vit, do të veprohet në krijimin e kushteve veçanërisht në provimet me zgjedhje. “Gjimnazistët në rrethet më të vogla do t’i grumbullojmë në qendër të nënprefekturës, pra në qendër të qytetit në salla të mëdha, ku të jenë të gjithë bashkë për të zhvilluar provimin. Do të vazhdohet të trajnohen mirë administratorët, për të njohur procedurat dhe për ta marrë këtë proces me shumë më tepër seriozitet”,- është shprehur Myqerem Tafaj. Ndërsa përsa i përket mësuesve që do të përzgjidhen për administrimin e provimeve, dhe që nuk do të zbatojnë rregulloren e administrimit të provimit, ministri i Arsimit ka paralajmëruar se për ta do të ketë pasoja, të cilat do të jenë të forta, sepse cenojnë procesin për nxënësit. Konkretisht për këtë problem Tafaj është shprehur: “Ata janë mësues dhe mësuesit që nuk do të zbatojnë rregulloren e administrimit të provimit do të kenë konsekuenca, të cilat do të jenë të forta sepse cenojnë procesin për nxënësit. Me grumbullimin e nxënësve në qendër të rrethit, në salla të mëdha ne do ta përmirësojmë administrimin dhe do të heqim edhe çdo dyshim që hidhet se në një rreth të largët administrimi nuk ka qenë në atë niveli si në Tiranë”. Një ndryshim tjetër në procesin e Maturës 2010 është edhe fakti që të gjitha provimet do të mbyllen brenda qershorit. Ministri i Arsimit ka sqaruar se drejtoritë e Ministrisë së Arsimit dhe drejtoritë rajonale synojnë që provimi i fundit me zgjedhje të zhvillohet në ditët e fundit të qershorit, në mënyrë që përgjigjet të jenë në mes të korrikut dhe formulari A2 të plotësohet duke pasur të katër notat e provimeve dhe mesataren.
Takimi
Ndryshimet që do të pësojë procesi i Maturës Shtetërore 2010, ministri i Arsimit i ka bërë publike dje në një takim të organizuar me maturantë, mësues e drejtues gjimnazesh në kryeqytet. “Meqenëse ne jemi në procesin e përfundimit të ndryshimeve të rregullores së Maturës dhe Guidës së maturës në tërësi për Maturën 2010, mendova të kontaktoj direkt nxënësit, prindërit dhe mësuesit dhe të bashkëbisedojmë mbi kërkesat e tyre, vërejtjet dhe sugjerime që ata kanë, dhe kjo do të na ndihmojë shumë për të përmirësuar procedurat që ato të jenë sa më transparente, të thjeshta, të kuptueshme dhe plotësisht të zbatueshme”,- është shprehur Tafaj në fjalën e hapjes së takimit. Sipas kreut të Arsimit, rritja e standardeve të Maturës do të bëjë të mundur rritjen e nivelit cilësor të studimeve universitare, që universitetet të risin konkurrencën midis tyre. Po ashtu, sipas tij, do të jenë universitetet e parë që do të kenë mundësi reale për të ofruar lëndë dhe module në nivel më të lartë cilësor, krejtësisht të njëjtë me shkollat perëndimore, duke shfrytëzuar profesoriatin shqiptarë, por duke ftuar dhe profesorë nga vendet e tjera për të zhvilluar një cikël leksionesh ose module të plota në gjuhët e huaja kryesore që zhvillohen në shkollat tona. “Objektivi ynë është që Matura Shtetërore në shkollat shqiptare të afrohet gjithmonë e më shumë me maturat e vendeve të BE-së në mënyrë që gjimnazistet shqiptarë të hyjnë në të gjitha universitetet e Europës dhe përtej saj pa dhënë asnjë provim plotësues. Ky është një objektiv afat mesëm, ndoshta dhe pak afatgjatë, por është realist dhe ndihmon të rinjtë në të gjitha trevat e Shqipërisë që dëshirojnë të vazhdojë studimet në shkollat e huaja”,- ka pohuar Tafaj. Pas fjalës së hapjes së takimit, ministri i Arsimit iu është përgjigjur pyetjeve që të pranishmit i kanë drejtuar atij.

Cilësia e shkollave të kryeqytetit me ato të rretheve, së shpejti të dhënat për katër vjet

Një pyetje për të cilën kreu i Arsimit është përgjigjur më gjatë sesa të tjerave ka qenë ajo për cilësinë e shkollave të kryeqytetit krahasuar me ato të rretheve të tjera të vendit. Nëpërmjet kësaj pyetje të bërë nga një gjimnaziste, ministri i Arsimit ka dashur të hedh pak “dritë” në fenomenin pse në universitete kemi më shumë student nga rrethet. “Studimi që është paraqitur në MASH, statistikat që ka sjellë APRIAL dhe emrat me shpërndarjen sipas rretheve nuk e vërteton këtë. Në degë mjaft të preferuara të universiteteve publike janë disa shkolla që kanë rezultate të vazhdueshme shumë të mira që janë dy shkolla të rrethit të Fierit, Sarandës, Korçës, që çdo vit kanë një grup gjimnazistësh shumë të mirë me numër të tillë pikësh që arrijnë të klasifikohen në degët më të kërkuara. Por mund t’ju them që ka plot rrethe të largëta në Shqipëri, ku asnjë student nuk ka shans të arrijë pikët në këto degë. Ky është edhe një problem për mungesën e mjekëve në Has, në qoftë se asnjë student nga Hasi nuk arrin të futet në Mjekësi. Si tendencë kjo nuk vërtetohet që në raport me numrin e nxënësve në Tiranë dhe në rrethe, numri gjimnazistëve të rinj që futen në degët më të kërkuara është disproporcional, është krejtësisht proporcional”,- është përgjigjur Tafaj. Sipas tij, Matura krijon mundësi për një vlerësim jashtëzakonisht objektiv të nivelit të shkollës. Për të qartësuar vlerësimet për çdo gjimnaz, ministri i Arsimit ka pohuar se së shpejti do të zhvillohet konferenca e Maturës Shtetërore 2010, ku do të paraqiten të dhënat për katër vjet.

Ndryshimet e Maturës Shtetërore 2010
Katër provimet e Maturës do të të mbyllen brenda muajit qershor
Provimi i fundit me zgjedhje do të zhvillohet në ditët e fundit të qershorit
Përgjigjet e provimeve me zgjedhje do të dalin në mes të muajit korrik
Formulari A2 do të plotësohet duke pasur të katër notat e provimeve dhe mesataren
Provimet për rrethet e vogla të vendit do të zhvillohen në qendrat e nënprefekturës
Për zhvillimin e provimeve, veçanërisht atyre me zgjedhje do të përzgjidhen salla të mëdha
Nxënësit do të njihen me rezultatet e rivlerësimit të provimit
Mësuesit që nuk do të zbatojnë rregulloren e administrimit të provimit do të ndëshkohen

2 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›