Acidi urik, problemet që shfaq në organizëm kur është mbi normë
Artriti urik (pezmatimi i nyjave nga acidi urik) është sëmundje që shkaktohet nga çrregullimi i metabolizmit të acidit urik në organizëm, depozitimit të kristaleve të tij në inde dhe shfaqjen e episodeve inflamatore në nyjat përkatëse. Acidi urik është produkt i metabolizmit të purinave. Vlerat normale të tij në gjak variojnë deri në 7 mg/dl tek meshkujt dhe 6 mg/dl tek femrat. Rritja e nivelit të tij mbi këto shifra, rrit riskun për artrite (pezmatim të nyjave) dhe kalkulozë renale (gurë në veshka). Rritja në gjak e përqendrimit të uratëve apo si quhet ndryshe, hiperurikemia, rezulton nga mbiprodhimi i urateve në organizëm, ulja e ekskretimit të acidit urik përmes veshkave apo kombinimi i këtyre dy mekanizmave. Ekzistojnë edhe disa gjendje apo patologji që e bashkëshoqërojnë shfaqjen e kësaj sëmundje e që besohet se janë predispozitë e saj, siç janë obeziteti (mbipesha), diabeti melit (sëmundja e sheqerit ), hipertrigliceridemia (rritja e yndyrave në gjak), etj.
Sëmundja
Sëmundja paraqitet më shpesh tek meshkujt se sa tek femrat. Në shifra 13.6 raste në 100 banorë tek meshkujt dhe 6.4 raste në 1000 banorë tek femrat. Shfaqja e shenjave klinike paraqitet 10 deri 30 vjet pas rritjes së vlerave të urateve në gjak dhe tek meshkujt paraqitet zakonisht në dekadën e 4-6 të jetës, kurse tek femrat në atë të 6-8 të jetës. Pothuajse gjithmonë tek femrat shfaqet pas menopauzës. Për dallim nga sëmundjet tjera reumatike, kjo sëmundje është shumë mirë e trajtuar, por nëse nuk trajtohet drejt dhe me kohë, shkakton artrit kronik me formim të tofeve (tofet janë grumbullim i kristaleve te acidit urik në inde) dhe destruksion të rëndë të nyjave që rezulton në invaliditet. Mekanizmi i paraqitjes së artriteve akute inflamatore është precipitimi i kristaleve të urateve në lëngun sinovial. Por, kjo nuk është e mjaftueshme për paraqitjen e atakut akut inflamator. Besohet se kristalet e acidit urik janë të mbështjella me apolipoprotein E dhe B, të cilat parandalojnë përgjigjen inflamatore. Gjendjet si mikrotraumat ose fluksi i madh i acidit urik, i zhveshin kristalet nga kjo apo A dhe apo B dhe shkaktojnë përgjigje të shpejtë inflamatore. I gjithë ky cikël përfundon me shtimin e mediatorëve inflamatorë si: Interleukina 1,6,8, TNF-alfa, Prostaglandina E2, Leukotrieni B4, Kininave dhe si rrjedhojë, shfaqjen e një procesi inflamator të vrullshëm.
Shfaqja
Ataku i parë i artritit urik ndodh në dekadën e katër ose të pestë të jetës. Pothuajse të gjitha ataket para moshës 50 vjeç, ndodhin tek meshkujt. Shpërthimi i tij para moshës 30 vjeç, është një formë e rrallë dhe zakonisht lidhet me ndonjë çrregullim enzimatik që shkakton mbiprodhim të purinave ose mund të jetë pasojë e sëmundjeve të veshkave. Në 85–90% të rasteve, ataku fillon në një artikulacion dhe atë në artikulacionin e parë metatarsofalangeal të gishtit të madh të këmbës (podagra). Për diagnozën e artritit urik, janë përcaktuar kritere të cilat ndihmojnë për caktimin e saj. Në këto kritere përfshihet triada si artriti akut monoartikular (pezmatimi i shpejtë i një nyje), vlerat e larta të urateve në gjak (hiperurikemia) dhe përgjigjja e shkëlqyeshme e mjekimit me antimalarik në atakut akut. Radiografitë (incizimet me rëntgen) e bëra gjatë fazës akute, evidentojnë vetëm edema (ënjtje) të indeve të buta, pa ndryshime në kocka apo në artikulacione (nyje). Ndryshimet tipike radiografike që shihen në fazën kronike janë erozionet (gërryerjet) në nyje, me buzë sklerotike (të forta), të cilat duken me shfaqjen e tofeve. Mirëpo, këto ndryshime, vështirë mund të diferencohen nga erozionet në artritin rheumatoid. Urolitiaza (gurët në veshka) dhe nefropatia (sëmundje e veshkave) nga acidi urik, po ashtu janë ndërlikim i hiperurikemisë, prandaj gjetja e tyre, ndihmon në caktimin e diagnozës. Diagnoza definitive e artritit urik caktohet nga identifikimi i kristaleve të monosodium urateve brendaqelizore (në polimorfonuklarë) në lëngun sinovial ose nga aspirati i tofeve. Në diagnozën diferenciale me artritin urik, mund të përfshihen këto sëmundje: sëmundja e depozitimit të pirofosfat kalciumit, celuliti, artriti gonokoksik, artriti psoriatic, artriti reumatoid sidomos ai oligo dhe monoartikular, sy.reiter, sarkoidoza, artriti septik etj.
Si bëhet mjekimi artritit urik
Mjekimi i artritit urik konsiston në: qetësimin e atakut akut sa më shpejtë që të jetë e mundur; parandalimin dhe mjekimin e ndërlikimeve që rezultojnë me krijimin e tofeve dhe destruksionin e nyjave; parandalimin ose mjekimin e patologjive shoqëruese si obeziteti, diabeti, hipertensioni dhe hypertrigliceridemia. Ataku akut te artriti urik fillimisht kërkon qetësi të artikulacionit të prekur dhe fillimin e terapisë sa më shpejtë për qetësimin e dhembjeve dhe simptomave tjera inflamatore shoqëruese. Nga barërat më të përshtatshme për këtë qëllim janë antiinflamatorët jo steroid, colchicina dhe glukokorikoidët. Në pacientë tek të cilët, diagnoza është e konfirmuar epet Indometacini në dozë fillestare 50-75mg në ditë dhe që vazhdon me 50 mg çdo 6-8 orë me maksimumin e dozës 200mg/24 orë. Ky mjekim vazhdon 3-4 ditë. Mund të përdoren edhe barërat tjera si Brufen, Naproxen, Diclofen, Piroxicam etj. që janë mjaft të efektshëm, por efektiviteti i tyre varet nga fillimi sa më i hershëm i mjekimit. Në rastet kur kemi kundërindikacione për terapinë me AIJS dhe kur diagnoza e sëmundjes nuk është e konfirmuar, përdoret Colchicina që është bari mjaft efikas, por pak i tolerueshëm. Jepet me dozë prej 0.5-0.6 mg çdo orë derisa: të qetësohen dhembjet; të filloj eventualisht nauzea, vjelljet ose diarrea ose derisa pacienti të ketë marrë maksimum 10 doza. Nëse me 10 doza, çdo orë, nuk qetësohen dhembjet, duhet rishikuar diagnoza. Për t’i ikur ndërlikimeve gastrointenstinale, ky bar mund të jepet intravenoz në dozë 1-2 mg në 20-50 ml. tretje fiziologjike e dhënë për 15-20 min. Nëse nuk qetësohen dhembjet, mund të jepet edhe 1mg pas 6 ore, por nuk duhet të kalojë 3 mg për 24 orë. Kundërindikacion absolut për dhënien e colchicinës janë sëmundjet e kombinuara hepato-renale, ulja e filtrimit glomerular nën 25 ml/min si dhe obstruksioni biliar extrahepatik. Glukokortikoidet janë të rezervuara në rastet kur kemi kundërindikacion për dhënien e barnave të përmendura më lartë ose kur ato nuk tregojnë efekt. Prednisoni përdoret në dozë prej 20-40 mg dhe vazhdon 1-2 javë pas qetësimit të simptomave. Prednisoni intrartikular mund të jepet në dozë prej 10-40mg. Po ashtu mund të jepet edhe Triamcinolon në dozë prej 10 mg. Nëse ataku akut nuk qetësohet me njërën nga këto preparate, atëherë mund të përdoret terapi e kombinuar. Po ashtu në rastet me dhembje të forta, mund të koordinohen analgjetik me efekt shumë të fortë si dhe narkotik. Përveç terapisë medikamentoze, të sëmurët me artirt urik, duhet të kenë kujdes edhe në disa aspekte tjera si, përdorimi i pakët i ushqimeve me përmbajtje purinesh, ulja e mbipeshës, mbajtja nën kontroll e diabetit, hipertrigliceridemisë dhe hipertensionit. Kufizimi i marrjes së alkoolit ose abuzimit me të, është ndër masat parandaluese të artritit urik.
Shkaktarët që ndikojnë në rritjen e urateve në gjak
Më poshtë janë dhënë disa nga shkaktarët dhe situatat patologjike që shkaktojnë rritjen e urateve në gjak-hiperurikeminë.
Mbiprodhimi i urateve
Hiperurikemia primare
Idiopatike
Zvogëlimi komplet ose jokomplet i Hipoxantin guanin fosforibosiltransferazes
Aktiviteti i lartë i sintezës së 5-Fosforibozil-1-pirofosfatit
Hiperurikemia sekondare
Konsumi (harxhimi) i tepruar i purinave
Çrregullimet limfo dhe mielloproliferative
Sëmundjet hemolitike
Psoriaza
Sëmundja e depozitimit të Glikogjenit, tipi 1,3,5 dhe 7
Ulja e ekskretimit të acidit urik
Hiperurikemia primare
Idiopatike
Hiperurikemia sekondare
Ulja e funksionit renal
Acidoza metabolike ketoacidoza ose acidoza laktike)
Dehidrimi
Hipertensioni
Hiperparatireoidizmi
Barnat si Ciklosporina, Pirozinamidi, Etambutoli dhe dozat e vogla të salicilatëve.
Nefropatitë
Kombinimi i dy mekanizmave të lartpërmendur
Përdorimi i alkoolit
Niveli i ulët i Glykozo-6-fosfatazës
Niveli i ulët i Fruktozo-1-fosfat-aldolazës
2 Shkurt 2010