E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëdorëzohet vrasësi i tre vëllezërve nga Vidohova

Laureta Rryçi

KRUJË – I gjendur nën rrethimin policor, autori i vrasjes së trefishtë të vëllezërve Mulliri në fshatin Vidohovë të Devollit është vetëdorëzuar, pa tentuar të qëllojë mbi forcat e rendit apo të largohet nga vendi ku ishte fshehur në fshatin Thumanë të Krujës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se më në fund është ndaluar Besim Karaj, autori i ekzekutimit të tre vëllezërve. Sipas tyre, policia kishte informacione për vendndodhjen e Besim Karajt, pasi mund të ishte në zonën midis Laçit dhe Lezhës, ku dhe ishin shtuar forcat e policisë në këtë zonë.
Paraditen e së hënës Policia e Korçës lajmëroi se ka vënë 30 mijë euro në dispozicion të personave që japin informacion për vendin ku fshihej Karaj. Por, sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, dje, rreth orës 15:20, Besim Karaj është paraqitur pranë forcave të Policisë në Fushë-Krujë ku dhe është vetëdorëzuar, duke pranuar vrasjen e tre vëllezërve Mulliri në Vidohovë të Devollit.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e premte, ku autori Besim Karaj ekzekutoi me armë zjarri 3 vëllezërit Mulliri. Sipas policisë, 23-vjeçari Taulant Mulliri kishte një lidhje jashtëmartesore me gruan e Besim Karajt. Para dy muajsh, Karaj e kishte kapur në flagrancë Taulantin me të shoqen në shtëpinë e tij. Pas një zënke me fjalë, ata i kishin sheshuar mosmarrëveshjet. Besimi ia kishte falur së shoqes “mëkatin”. Por, me kalimin e kohës, duke dëgjuar që në fshat pëshpëritej që Besimi nuk është burrë, si ia fali gruas tradhtinë etj., akumuluan te 45-vjeçari ndjenjën e hakmarrjes. Kjo ndjenjë hakmarrjeje shpërtheu mesditën e së premtes, duke çuar në një ngjarje të rëndë që do të mbahet mend si masakra e Vidohovës.

Protesta
Dy ditë më parë banorët e Vidohovës kanë protestuar për kapjen e autorit. Banorët bllokuan rrugët që lidhin fshatin e tyre me zonat e tjera, pasi kërkonin urgjentisht arrestimin e autorit të vrasjes së tre vëllezërve Mulliri. Banorët nuk lejuan asnjë mjet të qarkullojë, duke e bllokuar rrugën me gurë. Ata akuzuan uniformat blu se nuk morën masat e duhura për parandalimin e vrasjes makabre.
Në ceremoninë e varrimit të dy vëllezërve mori pjesë dhe nëna e tyre, Liljana Mulliri, e cila aktualisht vuan dënimin me 25 vjet burg për vrasjen e 7-vjeçarit Altin Xhihani, në vitin 2003. Por Liljana nuk mundi të asistojë në varrimin e djalit të saj të tretë, i cili vdiq një ditë më vonë.

Box 1

Deklarata e Kuliçajt
“SHKB, hetim pas denoncimit të Xhevahir Mullirit”

TIRANË – Strukturat speciale do të hetojnë në lidhje me pretendimet e babait të tre vëllezërve të vrarë nga Besim Karaj. Kjo ka qenë përgjigjja e dhënë dje nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, i cili ka pohuar se “Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Prokuroria do ta hetojnë këtë rast dhe pretendimin e babait të viktimave”. Sipas tij, “në operacionet për kapjen e vrasësit të tre vëllezërve Mulliri janë përfshirë strukturat e qarkut të Lezhës, të Durrësit dhe është bashkëpunuar ngushtë duke u kryer operacione të përbashkëta me strukturat policore dhe autoritetet greke”. Ai theksoi se “arrestimi i Besim Karajt është bërë i mundur në sajë të presionit në mënyrë të vazhdueshme dhe kufizimit të vendit. Ne po përgatisnim forcat për të ndërhyrë, por u negociua dhe autori u vetëdorëzua”, – thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.

Box 2
Kuliçaj: “Vrasja e Xhindit, shumë shpejt do të ketë një emër”

TIRANË – Pas një sërë deklaratash për gjetjen e vrasësve të deputetit socialist Fatmir Xhindi, një muaj pas zgjedhjeve, një tjetër premtim me fjalë vjen edhe nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj. Në një dalje para mediave ai tha se “do të ketë analiza të vazhdueshme me Prokurorinë dhe unë jam i bindur se shumë shpejt do të ketë një emër”. Sipas tij, “kjo është vrasje e një personi me cilësi të veçanta dhe ndryshon nga vrasjet e tjera. Hetimet po vazhdojnë”, - deklaroi në konferencën për shtyp zoti Kuliçaj. Ai theksoi se zbardhja e kësaj ngjarjeje është prioritet i Policisë dhe në këtë kuadër, vazhdon të jetë i ngritur një grup pune me specialistët më të mirë të fushës. Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, njëherësh kreu i Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Rënda, tha se edhe sot është zhvilluar një analizë e detajuar e kësaj ngjarjeje nga ekspertët që po merren me këtë krim. Ish-ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, por edhe drejtuesi aktual Lulzim Basha, kanë deklaruar se gjetja e autorëve të vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi do të bëhet e mundur shumë shpejt. Ai është ekzekutuar në rrethana misterioze në fshatin e tij të lindjes, në Roskovec, më datë 2 maj 2009 dhe ende nuk ka një person të arrestuar për krimin, ndonëse familja, banorët e zonës, por edhe drejtuesit e lartë të PS-së, po ushtrojnë presione të vazhdueshme për zbardhjen e këtij krimi.

Gjendet i vrarë një fëmijë 13-vjeçar

POGRADEC - Një fëmijë është gjetur dje i vdekur në një fshat të Pogradecit, ndërsa policia dyshon se bëhet fjalë për një vdekje aksidentale me armë. Viktima quhet Erind Liçkollari dhe është i moshës 13 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të ish-depove të armatimit në fshatin Vërdovë, 1 km larg Pogradecit.
Fillimisht dyshohet se fëmija është qëlluar aksidentalisht me armë gjatë një loje mes moshatarësh, por ende ngjarja nuk është sqaruar nga autoritetet përkatëse. Mendohet se i riu ka qenë duke luajtur me bashkëmoshatarë pranë ish-depove të armëve, çka hedh dyshime se vdekja mund të ketë ardhur në rrethana aksidentale.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, nga ku ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e vdekjes së adoleshentit. Nga hetimet paraprake mësohet se fëmija ka qenë me bagëti së bashku me një grup shokësh dhe kanë luajtur me një armë që e kanë gjetur pranë ish-repartit ushtarak që para viteve '97. Kanë qenë vetë shokët që e kanë çuar në spital Erindin, por ai ka vdekur sapo ka mbërritur te hyrja e ndërtesës së spitalit në duart e shokëve. Megjithatë, policia nuk i ka të qarta rrethanat e shkrepjes së armëve. Dyshohet se arma që mund të jetë gjetur ose jo në repart mund të jetë shkrepur gabimisht nga Erindi ose nga ndonjë prej shokëve. Policia ka marrë në pyetje fëmijët e tjerë, shokë të 13-vjeçarit, të cilët janë ende të tronditur nga vdekja e moshatarit të tyre.

Gjykata lë në burg të dyshuarin për vrasjen e trefishtë

DURRËS - Jepet masa e arrestit "burg pa afat" për të arrestuarin si i dyshuari kryesor i vrasjes së tre personave në Durrës. Arian Çela mori dje masën arrest me burg gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Durrësit. Akuza e ngritur ndaj tij është ajo e vrasjes në rrethana cilësuese dhe për armëmbajtje pa leje. 30-vjeçari, i njohur ndryshe edhe me emrin Edison Çela, u ndalua në Vlorë ku ka dhe një lokal të tijin, ndërsa akuzohet për vrasjen e tre personave; Luan Curri, Ani Currit dhe Edmond Shemsi. Sipas policisë, pasi qëlloi mbi tre personat me armë zjarri automatik, Çela u largua nga vendngjarja me një motor, ku e priste një tjetër person, ende i panjohur për policinë. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së mërkurës, ku tre persona mbetën të vrarë pas ekzekutimit me armë zjarri për motive ende të panjohura.

Moti, disa fshatra të vendit, të izoluara nga bora

Sasia e borës e rënë ditët e fundit në Veri të vendit ka shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore dhe ka bllokuar tërësisht disa komuna. Sipas informacioneve rezulton se gjatë ditës së djeshme në Kukës ishin të bllokuara komunat Grykëcaj, Zapod dhe Arren. Aksi më i rëndësishëm i zonës, ai Kukës – Qafë-Mali, për momentin ështe i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Në të njëjtat kushte kalohej dhe aksi Kukës-Shishtavec Bushtricë dhe Kukës-Peshkopi. Në Pukë vështirësi ka pasur në zonat malore. Reshjet e borës po mbajnë të bllokuar komunën e Iballës, ndërsa qarkullohet me vështirësi me zinxhirë në Qafë-Mali - Bajram Curri. Sasia e borës së rënë gjatë ditëve të fundit ka shkaktuar edhe bllokimin e komunës Macukull të rrethit të Matit. Mbi 2500 banorë janë bllokuar nga bora me trashësi 60 centimetra që ka mbuluar çdo shteg dalje nga zona. Të izoluar në këtë komunë kanë mbetur dhe punonjësit e minierës që nuk kanë mundur të shkojnë në vendin e punës. Ndërkohë reshjet e dendura të borës kanë sjellë edhe bllokimin e aksit Qafë-Bualli - Krastë dhe Bulqizë-Qafë e Buallit.

Prangoset, aksidentoi për vdekje të moshuarin

SHKODËR– Policia e Shkodrës arrestoi mbrëmjen e së dielës shtetasin Myzafer Landa, pasi ai ka aksidentuar me pasoje vdekje shtetasin Ramazan Doda. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se 28-vjeçari Landa, lindur dhe banues në fshatin Oblikë, në komunën Ana e Malit, dy ditë më parë, rreth orës 19:30, në aksin rrugor Shkodër – Muriqan, në vendin e quajtur Lagjja Dodaj, duke udhëtuar me motoçikletën tip “Dajan”, me targa SH 298 D, ka aksidentuar shtetasin 65-vjeçar Doda, lindur dhe banues në fshatin Muriqan. Me gjithë ndihmën e dhënë, ai gjeti vdekjen në Spitalin rajonal të Shkodrës. Ndaj shtetasit Myzafer Landa kanë nisur hetimet për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.

2 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›