E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjegjësi i fabrikës së Gërdecit hyn si dëshmitar dhe del si i akuzuar

Laureta Rryçi

Ish-përgjegjësi i punëtorëve në fabrikën e Gërdecit hyri në Gjykatë si dëshmitar dhe doli prej saj i prangosur për akuzën e dëshmisë së rreme, pas urdhrit të lëshuar nga prokurorët e çështjes. “Unë kam filluar punë në fabrikën e Gërdecit pasi kishte nisur aktiviteti. Kemi diskutuar me specialistë se kjo punë paraqiste rrezik, sidomos kur bëhej fjalë për demontimin e predhave”, - deklaroi Muço. Dëshmitari, i përmendur shpesh nga dëshmitarët me emrin Vangjeli, foli për rreth dy orë para togave të zeza, ku i pyetur nga prokuroria tha se kishte parë në mbikëqyrjen e punës dy amerikanë dhe pronarin e SAC-it, Patrik Henri. Dëshmitari pohoi para trupit gjykues se nuk kishte nënshkruar asnjë kontratë pune. Sipas Muços, edhe më parë në punishte kishte pasur incidente të rënda, si rasti i flakëve dhe shpërthimit në një arkë fishekësh.
Ndryshimet
Gjatë seancës së djeshme, ish-përgjegjësi i fabrikës u mundua të mohonte disa fakte për të cilat Prokuroria është shprehur se janë vërtetuar, madje janë pranuar edhe nga vetë drejtori i fabrikës, Dritan Minxolli. Veiz Muça deklaroi se në Gërdec nuk kanë qenë të punësuar fëmijë të mitur. Ndërkohë që në procesverbalin e Prokurorisë kishte thënë se punonin dhe të mitur. Në procesverbalin e Prokurorisë thuhej se karrocat e fabrikës saldoheshin te shtëpia e Qemal Deliut, ndërsa në sallë ai tha se ato saldoheshin nga një burrë që vinte me makinë në fabrikë. Më tej tha se në shpërthimin e parë ka qenë duke ngrënë drekë me Minxollin në lokal, ndërsa në procesverbal kishte deklaruar se në shpërthimin e parë ka qenë te dera e fabrikës. Pasi i janë vënë prangat, Veiz Muça nuk ka bërë asnjë rezistencë, madje nuk ka dhënë ndonjë deklaratë. Pas veprimit të djeshëm të Akuzës numri i të arrestuarve për tragjedinë e 15 marsit arrin në 30. 48 orë pas këtij veprimi është Gjykata ajo që do të shprehet me vendim për masën e sigurimit personal ndaj ish-përgjegjësit Veiz Muça.
Dëshmia e plotë e Veiz Muçës
“Më datë 28 qershor më ka marrë në telefon Dritan Minxolli, i cili më tha: “Hajde në Gërdec’. Në fakt Dritan Minxolli më ka telefonuar 10 ditë para dhe unë t’i thosha që do të shkoja të punoja. Kam takuar Dritanin, i cili më tha se do të punoja si brigadier. Procesi ku unë do të punoja si brigadier ishte demontim fishekësh këmbësorie dhe procesi i hapjes së arkave kryhej si në ushtri. Në fabrikë vinin 10-15 makina ushtarake dhe më pas ndaheshin. Kishte një rregullore, e cila ishte e transplantuar nga rregullorja ushtarake dhe iu lexohej punëtorëve çdo mëngjes. Ishte e shkruar në një fletë formati. Një pjesë e rregullores tregonte se si do të bëhej transporti, ruajtja dhe hapja e fishekëve. Nuk kam pasur dhe as kam lidhur ndonjë kontratë punësim. Kam punuar deri në fund si brigadier. Unë kisha në varësi grupet e demontimit. Në fabrikë kishte edhe shtetas të huaj. Këta ishin Robin, David dhe Patrik Henri. Merrja municionet që vinin dhe ua ndaja grupeve të punës. Ditën kur erdhën predhat në fabrikë ishte Dritan Minxolli, Sokol Ngjeçi dhe Mihal Delijorgji. Demonstrimi i hapjes së arkave u krye nga Sokol Ngjeçi. Transporti i barutit bëhej nëpërmjet trajlerave. Mihal Delijorgji, kur vinte në fabrikë, takonte Dritan Minxollin. Ylli Pinarin e kam parë vetëm në një rast kur ka ardhur në fabrikë. Sokol Ngjeçi nuk e di se me çfarë merrej në fabrikë, pasi ai vinte dhe ikte. Në fabrikë demontoheshin fishekë të kalibrit 8 milimetërshe, por demontimi i tyre bëhej nga amerikanët. Gëzhojat e fishekëve ishin prej tunxhi dhe çeliku; këto të fundit nuk demontoheshin në fabrikë. Nuk e di arsyen pse ktheheshin. Rekrutimin e punëtorëve e bënte Dritan Minxolli. Gjatë punës kam konstatuar shkelje të rregullave të sigurisë teknike, të cilat ia kam bërë të ditur drejtorit. Këta persona janë pushuar nga puna. Punëtorët kontrolloheshin nga rojet kur futeshin në fabrikë. Nuk kishte fëmijë të mitur që punonin te procesi i demontimit. E di që vinin ushtarakë në fabrikë, por s’i kam njohur me emra. Personi që merrej me saldimin e karrocave vinte në fabrikë rreth orës 10 dhe më pas largohej; nuk e di nëse ka salduar ndonjë karrocë ditën e ngjarjes. Transporti i predhave bëhej me fadromë, ndërsa i barutit me anë të karrocave. Kur prisheshin karrocat ato zëvendësoheshin ose riparoheshin nëpërmjet saldimit. Vinte ustai në fabrikë me makinë dhe i saldonte brenda në fabrikë karrocat. E njoh shtetasin Qemal Deliu, ai punonte në fabrikë. Nuk e mbaj mend nëse ka bërë saldime apo jo. Ditën e ngjarjes, në orën 12:00, drejtori u dha urdhër punëtorëve që të ndërprisnin punën dhe të shkonin të hanin drekë. Unë u largova 10 minuta para për të ngrënë bukë dhe shkova bashkë me drejtorin te restoranti poshtë. Dritan Minxolli kishte dhënë urdhër që të mos bëhej më transport baruti. Kur ndodhi shpërthimi i parë unë isha bashkë me Minxollin në restorant për të ngrënë bukë. Sapo dëgjuam shpërthimin u kthyem për në punë, u nisëm me makinë me Dritanin. Nga shpërthimi i dytë unë humba shikimin. Nuk e di se sa ecëm me makinë dhe erdhi një grua me një vajzë, e cila më përmendi. Më pas u larguam me makinë”.

Uran Deliu rrëzon alibinë e Prokurorisë
“Më 15 mars babai nuk saldoi karrocë në shtëpi”

Uran Deliu, një nga të paktët të mbijetuar të familjes Deliu në Gërdec, rrëzoi dje me dëshminë e tij alibinë e Prokurorisë se Gërdeci shpërtheu nga një karrocë që po saldohej. “Në fabrikë kishte karroca, të cilat kur prisheshin i saldonte babai në shtëpi. Saldatorë të tjerë kam parë vetëm një herë kur u prish porta e madhe e fabrikës. Ditën e ngjarjes ka pasur një saldatriçe në oborrin e shtëpisë, por atë ditë babai nuk ishte në shtëpi. Ai nuk ka salduar asnjë karrocë atë ditë. Përsa i përket Vangjelit, ose ndryshe Veiz Muça, ai vinte te shtëpia ndonjëherë. Ndërsa Dritan Minxolli nuk futej brenda, por vinte deri te dera e shtëpisë”, - deklaroi dje Uran Deliu. Më pas ai shpjegoi: “Ditën e ngjarjes ndodhesha në shtëpi, e cila ndahet nga fabrika vetëm nga një rrugë. Në ato momente unë isha në oborr me djalin dhe vëllanë. Dëgjuam një shpërthim të fuqishëm dhe ikëm më vrap. U futa në një bunker dhe më pas u ktheva për të kërkuar familjen. Erdhi policia dhe së bashku me ata shkuam te shtëpia ime, por nuk gjeta asnjë njeri”. Dëshmitari kishte mësuar nga personat rreth e rrotull se prindërit i kishte në spitalin “Nënë Tereza”, ndërsa djalin, bashkëshorten dhe vëllanë nuk arriti dot t’i gjente. “Gruan dhe vëllanë i gjeta pasi kishin kaluar dy ditë nga shpërthimi, ndërsa djalin vetëm pas tri ditësh. Nga tragjedia e Gërdecit humba pesë anëtarë të familjes sime, nënën, babanë, gruan shtatzënë dhe djalin e vogël, ndërsa shtëpia u shkatërrua e gjitha nga shpërthimi”, - tregoi dëshmitari mbi tragjedinë që kishte pllakosur familjen e tij. Dëshmitari, në fund të dëshmisë së tij, tha: “Gjatë kohës që prindërit punonin në fabrikë, kur kisha kohë të lirë, shkoja dhe i ndihmoja. Si drejtues të fabrikës e dija që ishin Dritan Minxolli dhe përgjegjësi Vangjeli. Mihal Delijorgjin e kam parë në fabrikë, mbaj mend një rast zjarri në fabrikë, i cili u shua me ujë”.

2 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›