E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i Kushtetueses, bllokohen prej 7 muajsh pagesat për ish-ushtarakët në pension të parakohshëm

Jonida Tashi

Prej shtatë muajsh, qindra ish-ushtarakë në pension të parakohshëm nuk po marrin asnjë përfitim financiar nga shteti. Shkak për këtë situatë është bërë fillimisht pezullimi i zbatimit të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, nga Gjykata Kushtetuese dhe më pas mosnxjerrja e vendimit nga kjo e fundit për këtë ligj. Lidhur me këtë çështje, kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë, Mehdi Pogaçe shprehet se që prej muajit korrik të vitit 2009 janë bllokuar pagesat për ushtarakët që kanë dalë në pension të parakohshëm, për shkak të reformës në Ushtri dhe kjo kategori nuk merr më asnjë përfitim financiar nga shteti. Sipas tij, vonesa në nxjerrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese, e cila në datën 12 nëntor zhvilloi seancën e dytë dhe të fundit për shqyrtimin e ligjit “Për pensionet suplementare” ka bërë që situata financiare e ish-ushtarakëve në pension të parakohshëm të përkeqësohet edhe me tej.
Pezullimi
“Pezullimi i zbatimit të ligjit ‘Për pensionet suplementare’ ka bërë që ish-ushtarakët në pension të parakohshëm të mos e marrin pagesën kalimtare dhe pensionin që u takon që prej muajit korrik të vitit 2009 e deri në daljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Madje jo vetëm kaq, por ne ende nuk dimë se si do të veprohet me ish-ushtarakët që kanë dalë në pension dhe trajtohen me pension suplementar, sepse ndryshe janë caktuar më parë gjërat dhe ndryshe veprohet me interpretimin e ligjit. Kjo situatë na ka sjellë mjaft probleme”,- shprehet kreu i ish-ushtarakëve. Ndërsa lidhur me kohën e nxjerrjes së vendimit nga Kushtetuesja, Pogaçe bën të ditur se deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare nga kjo Gjykatë, megjithëse avokatit të tyre përfaqësues, Anastas Duro, pak kohë më parë i është komunikuar nga anëtarët e Kushtetueses se vendimi do të dilte brenda muajit janar. “Ne kemi shumë besim te profesionalizimi i Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të tjera të Drejtësisë, por deri tani, nuk na është komunikuar asgjë zyrtare për kohën e nxjerrjes së vendimit për shqyrtimin e ligjit. Duke qenë se më parë na u ‘premtua’ se vendimi do të dilte brenda janarit, duke marrë parasysh problemet financiare të ish-ushtarakëve, shpresojmë që ai të publikohet brenda këtij muaji”,- shprehet Mehdi Pogaçe.
Policët
Por të njëjtin problem sikurse ish-ushtarakët në pension të parakohshëm po e “vuajnë” edhe 3000 punonjës të Policisë së Shtetit, që kanë dalë në reformë pas vitit 2005. Për shkak të ndryshimit të ligjit “Për sigurimin shoqëror suplementar”, i cili tashmë ka hyrë në fuqi, pavarësisht se palët e përfshira në të janë ankuar në Gjykatën Kushtetuese për ndryshimin e tij, për këta punonjës Policie të dalë në reformë nuk ka më para. Por, për policët e dalë në reformë pas vitit 2005, hyrja në fuqi e këtij ligji ka sjellë një sërë problemesh sociale, pasi u janë ndërprerë pagat që merrnin. Ndërprerja është bërë për shkak se me këtë ligj, ata nuk përfitojnë njëzet paga, aq sa është deklaruar kur kanë dalë në reformë, por vetëm 13 të tilla. Pavarësisht se ata kanë dalë në reformë disa vite më parë dhe tashmë përfitonin paratë për shkak të asaj reforme, ligji është thurur me fuqi prapavepruese. Sipas specialistëve të Policisë, ky ligj ka sjellë probleme të ndryshme ekonomike, jo vetëm për Policinë, por edhe për Ushtrinë, apo organet e tjera të përfshira për zbatim të ligjit. Me ligjin e ri, shpërblimi, bashkë me pagesën kalimtare, (ku pagesa kalimtare fillon në muajin e tretë pas daljes në lirim), nuk mund të kalojnë 13 paga të plota. Ndërsa me ligjin e mëparshëm, për të cilin Policia këmbënguli që mos të ndryshonte, punonjësi i Policisë përfitonte dy paga shpërblim dhe për 36 muaj gjysmën e pagës referuese të muajit të fundit të punës. Pra, me pagën që ai kishte dalë në reformë, i llogariteshin 36 gjysma page, ose 18 paga të plota. Kështu, këto 18 paga të plota bashkë me dy pagat shpërblim, punonjësit të Policisë i bëheshin 20 paga, ose e cilësuar ndryshe shtatë paga më shumë se me ligjin e ri.

Bllokimi i pagesave
Shkak është bërë mosnxjerrja e vendimit të posaçëm të qeverisë

Pagesat kalimtare për ushtarakët në pension të parakohshëm dhe policët e nxjerrë në reformë pas vitit 2005 janë bllokuar, pasi qeveria nuk ka nxjerrë ende vendimin e posaçëm për lejimin e tyre. Ndonëse nxjerrja e akteve nënligjore në zbatim të ligjit “Për pensionet suplementare” është një detyrë që Këshilli i Ministrave ja ka ngarkuar vetë vetes në nenin 30 të tij, ku thuhet se: “Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë akte nënligjore në zbatim të neneve 3, 4, 5, pika 1, 11, 22, 23, pika 3, 24, pika l, 26 e 29, të këtij ligji”, qeveria e ka bërë një “vesh shurdhë e një sy qorr” për këtë çështje, edhe pse kanë kaluar më shumë se tetë muaj që nga koha e miratimit të këtij ligjit. Për rrjedhojë, në muajin nëntor, ish-ushtarakët dhe policët kanë parë si zgjidhje të vetme t’i drejtohen Avokatit të Popullit, për t’i ndihmuar në zgjidhjen e këtij “ngërçi”, në mënyrë që të vihen në lëvizje institucionet përkatëse shtetërore. Avokati i Popullit, Emir Dobjani, pasi është njohur me këtë problem dhe ka bërë verifikimet e duhura ka përpiluar një rekomandim zyrtar drejtuar jo vetëm kryeministrit të vendit, Sali Berisha, por edhe ministrave që drejtojnë ministritë ku punonin ankuesit. Sipas Dobjanit, në mënyrë të menjëhershme duhet të përgatitet projekti “Për pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën”, i cili duhet të dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave. Por edhe pas rekomandimit të bërë nga Avokati i Popullit, sërish situata ka mbetur pa zgjidhje, pasi qeveria nuk e ka “vënë ujin në zjarr” për zgjidhjen e këtij problemi aspak të panjohur nga drejtuesit e dikastereve përkatëse.

Interpretimi ligjor

Pensionet e parakohshme kanë “ngrirë”, sepse nuk janë përcaktuar pagat referuese

Në rekomandimin zyrtar që Avokati i Popullit i ka dërguar kryeministrit, Sali Berisha dhe ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, thuhet se në bazë të kërkesës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në përgjigjen për këtë shqetësim të ngritur nga ankuesit, ka sqaruar se kjo kategori ish-punonjësish të Policisë nuk është trajtuar akoma me pension të parakohshëm, sepse në bazë të paragrafit 2 dhe 3 të nenit 4, të ligjit Nr. 10142, dt. 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit,të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, për të përfituar nga ky ligj duhet të përcaktohet paga referuese. Ndërkohë që pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Avokati i Popullit ka nënvizuar në rekomandimin e tij se mospagimi i kësaj kategorie personash për një periudhe kohore për më shume se tre muaj dhe për më tepër kur nuk dihet akoma se kur do të rifillojë pagimi i tyre, është një qëndrim i padrejtë i organeve të administratës publike dhe njëkohësisht shkelje e të drejtave të tyre ekonomiko-financiare të parashikuara në ligj dhe konkretisht në nenet 7, germa “d”, 13 dhe 14.

2 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›