E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura 2011, pikët për provimet

15/02/2011  Pritet shpallja e formularit A1, ku maturantët do caktojnë dy provimet me zgjedhje

Penalizime të forta ndaj mësuesve që do të abuzojnë me vlerësimet

Ndryshe nga një vit më parë, vlerësimi i provimeve të maturës për 2011-n do të kryhet në më shumë qendra, teksa do të ketë edhe penalizime të forta për mësuesit që do të abuzojnë me skemën e vlerësimit. Sipas ekspertëve të Ministrisë së Arsimit, katër qendrave tradicionale të vlerësimit do tu shtohen edhe dy të tjera, përkatësisht në kryeqytet dhe një tjetër që do të hapet në Korçë. Vlerësimi i testeve këtë vit do të jetë edhe më i rreptë për të mos lejuar abuzime në përcaktimin e rezultateve. Tashmë kanë nisur diskutimet për përmbajtjen e formularit A-1, ku maturantët do të duhet të caktojnë dy lëndët që do të japin si provime me zgjedhje. Ky formular pritet të shpallet nëpër shkolla deri në fund të muajit shkurt, kohë kur do të nisë edhe plotësimi. Afati i fundit i përcaktuar në rregullore për plotësimin do të jetë data 10 mars 2010.

Penalizimet

Sipas ekspertëve të Ministrisë së Arsimit, në provimet e këtij viti nuk do të lejohet asnjë shkelje gjatë administrimit të provimeve, duke paralajmëruar kështu marrjen e masave të forta ndëshkuese ndaj mësuesve që do të rezultojnë me shkelje. “Shmangia e tyre ka të bëjë me një administrim shumë më të mirë në këtë vit dhe po të shohësh penalitetet e maturës shtetërore përcaktohen nga Kodi i Punës tek ai Penal. Kush prek rezultatin e nxënësve, prek barazinë e shtetasve para konkurrimit, që është e drejtë kushtetuese”, - konfirmon përgjegjësi i sektorit të vlerësimit cilësor në MASH, Ndriçim Mehmeti. Gjithashtu Mehmeti bën me dije se ky dikaster po shikon mundësinë e ndryshimit të kohës së provimeve, e cila deri një vit më parë ishte 2 orë e 30 minuta. Për të vijuar garën e pranimeve në universitete maturantët duhet detyrimisht të marrin të katër provimet e maturës, të cilat do të zhvillohen vetëm me një sezon. Pas marrjes së diplomës maturanti do të mund të aplikojë me tej për shkollën e lartë. “Kjo do të thotë se pa marrë këto katër provime nuk mund të marrësh diplomë dhe nuk do ketë sesion vjeshte për provimet, por vetëm një”, - shton më tej Mehmeti.

Përmbajtja e tezave

Teza e provimit për lëndët e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, të cilat do të jenë të kombinuara ndërmjet pyetjeve me alternativa dhe atyre me zhvillim. Për të marrë vlerësimin maksimal në këto provime maturanti duhet tu përgjigjet saktë të gjitha pyetjeve, ku do të sigurojë 50 pikë për të gjitha pyetjet. Ky rezultat më pas ekuivalntohet në notë. Ndërsa dy provimet me zgjedhje që do të zhvillohen vetëm me shkrim në ditë të vetme do të përmbajnë secili nga 20 pyetje. Ndërkohë edhe këto teza provimi do të jenë të kombinuara ndërmjet pyetjeve alternativë dhe atyre me zhvillim, për të cilat maturanti duhet të mbledhë rreth 40 pikë.

Përzgjedhja

Për të mos rrezikuar të drejtën e studimeve maturantët duhet të tregohen të kujdesshëm në caktimin e dy lëndëve që do të japin si provime me zgjedhje. Në këto kushte, konfirmohet se më shumë probabilitet për tu shpallur fitues në universitete do të kenë ata maturantë që do të përcaktojnë për provimet me zgjedhje lëndë që janë të ngjashme me profilin e shkollës së mesme që kanë mbaruar. Kjo pasi në procesin e llogaritjes së rezultatit final vlera e koeficienteve do të jetë më e lartë për degët e të njëjtit profil me llojin e shkollës së mesme sesa ato me natyra të ndryshme.

Gjuhë shqipe-letërsi

Në programet shkollore të drejtimit të përgjithshëm për provimin e letërsisë gjuha shqipe, përfshirë edhe të shkruarit, zë 26 për qind të pyetjeve që do përmbajë testi, ndërsa letërsia 74 për qind. Këto raporte do të ruhen edhe në testin përfundimtar. Po kështu do të veprohet edhe për tezat e provimeve që do të hartohen për llojet e tjera të shkollave të mesme në vend, për të cilat është përcaktuar edhe përqindja e pyetjeve q do të zërë në test gjuha dhe letërsia.

Matematika

Sikundër është përcaktuar edhe për provimin e dytë të detyruar, që do të zhvillohet për lëndën e matematikës, procesi i hartimit të tezave do të klasifikohet në varësi të profilit të shkollës së mesme që ka kryer maturanti. Testi do të ndërtohet në mënyrë të tillë që të jenë të përfshira tri nivelet e vështirësisë: niveli parë, i dytë dhe i tretë. Për të marrë vlerësimin maksimal në këtë provim maturanti në testim duhet të grumbullojë 50 pikë, të cilat ekuivalentohen në notë.

Provimet me zgjedhje

Në rregulloren e provimeve është konfirmuar tashmë se dy provimet me zgjedhje do të zhvillohen me shkrim në të njëjtën ditë. Teza e provimit për të dyja lëndët që maturanti ka përzgjedhur do të përmbajë 20 pyetje, të cilat do të alternohen ndërmjet pyetjeve që kërkojnë përgjigje me alternativa dhe tyre me shpjegim. Sipas përcaktimeve të bëra, maturanti nuk duhet të përzgjedhë kurrsesi të japë si provime me zgjedhje dy lëndë që u përkasin gjuhëve të huaja.

Plotësimi i formularit A-1

Plotësimi i formularit A-1 do të jetë kushti kryesor për të zyrtarizuar pjesëmarrjen për pranimet në universitete gjatë vitit akademik 2011–2012. Plotësimi i këtij formulari, ku maturantët e rinj dhe ata të vjetër do të caktojnë dy lëndët me zgjedhje, do të nisë në fund të muajit shkurt. Ekspertët e maturës konfirmojnë se ky formular nuk pritet të ketë asnjë ndryshim krahasuar me atë që është përdorur një vit më parë, ku përveç të dhënave personale maturanti do të listojë edhe dy lëndët me zgjedhje.

Tek fotoja

Detyrimi

Për të vijuar procesin e konkurrimit për pranimet në shkollat e larta secili kandidat (maturant) do të duhet të marrë të katër provimet e maturës, duke përfshirë këtu dy lëndët me zgjedhje dhe dy lëndët e detyruara. Por vetëm pas marrjes së notës kaluese në të katër provimet maturanti do të mund të pajiset me diplomën e maturës. Kjo e fundit kushtëzon edhe shlyerjen e detyrimeve me shkollën e mesme si dhe lejon vijimin e procedurës për universitetet.

Fakulteti Histori-Filologji

Aplikimet për doktoraturë deri më 20 shkurt

Data 20 shkurt është përcaktuar si afati i fundit i pranimit të dosjeve për kandidatët që duan të vijojnë studimet e larta të doktoraturës pranë Fakultetit të Historisë-Filologjisë. Pas kësaj date e deri më 1 mars komisionet e ngritura në secilin departament do të klasifikojnë edhe dosjet e dorëzuara duke selektuar fituesit, të cilët do të miratohen nga Këshilli i Profesorëve më 15 mars. Në këto kushte, kandidatët e interesuar kanë edhe pesë ditë të tjera kohë për të aplikuar për pranimet në këtë cikël studimesh. Dorëzimi i dosjes me dokumentet e përcaktuara tashmë duhet të bëhet pranë departamenteve përkatëse. Studimet e doktoraturës do të ofrohen në 7 programe të caktuara, ku përfshihen dega e historisë, shkenca komunikimi dhe informimi, marrëdhënie ndërkombëtare, trashëgimi kulturore dhe arkeologji, gjeografi, kërkime gjuhësore si dhe studime letrare. Për secilin prej tyre janë përcaktuar edhe kushtet që kandidati duhet të plotësojë për tu regjistruar, sikundër janë klasifikuar edhe tarifat e studimit. Tarifa e shkollimit për të gjitha degët në total do të jetë 204 600 lekë. Derdhja e kësaj pagese do të ndahet në tri këste sipas kohëzgjatjes së ciklit të studimit. Për ciklin trevjeçar për secilin nga të tria këstet kandidati i shpallur fitues do të paguajë tarifën vjetore prej 68 200 lekë. Ndërsa për studentët e doktoraturës që e kanë programin 2-vjeçar, e njëjta pagesë do të ndahet në dy këste, të cilat do të paguhen gjatë dy vjetve të ndjekjes së studimit në masën 102 300 lekë.

Rreth 16 mijë të prekur

Gripi, arrin kulmin numri i të prekurve

Shtohet numri i të prekurve nga gripi dhe virozat e stinës. Kjo është faktuar edhe me shtimin e urgjencave mjekësore, të cilat janë paraqitur në spitale gjatë javës që lamë pas. Sipas të dhënave të konfirmuara nga strukturat shëndetësore, bëhet me dije se numri i të prekurve nga këto simptoma ka arritur në 16 mijë persona, pjesa dërrmuese e të cilëve kanë kërkuar kujdes të specializuar mjekësor. Ndërkohë nga gripi i derrit janë konfirmuar rreth 105 persona të infektuar. Por autoritetet e shëndetësisë deklarojnë se nuk është vendi për panik, duke qenë se në javët e ardhshme pritet që të ketë një ulje të rasteve. Megjithatë, qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm në përdorimin e medikamenteve pa rekomandimin e mjekut, sepse këto të fundit rëndojnë edhe më shumë gjendjen shëndetësore. Për trajtimin e duhur dhe pa efekte të këtyre simptomave këshillohet mbajtja e një regjimi të rreptë higjieno-shëndetësor, ku larja e duarve me sapun duhet të jetë sa më e shpeshtë. Gjithashtu është e nevojshme kryerja e vizitave te mjeku specialist, i cili në varësi të simptomave përcakton kurën që duhet të ndjekë pacienti. Këshillohet shmangia e ambienteve ku ka përqendrim njerëzish, pasi mund të përhapet edhe më lehtë. Kjo pasi përhapja e infeksionit mundësohet në rrugë ajrore nëpërmjet prekjeve, kontakteve apo spërklave. Njëkohësisht është e domosdoshme që të konsumohen sa më shumë lëngje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›