E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet Muhamet Sherri, aktor i madh i skenës dhe kinematografisë

15/02/2011  Largohet duke lënë pas dhjetëra role të realizuar në perfeksion, flasin miqtë

FIER- Ndahet nga jeta aktori i njohur i Fierit Muhamet Sherri. Lajmi është bërë i ditur mëngjesin e së hënës, ndërsa Bashkia Fier hapi dyert e teatrit që kryente homazhet për artistin e teatrit “Bylis”. Muhamet Sherri, një nga kolonat e trupës së teatrit dramatik Fier, por edhe i kinematografisë shqiptare, u nda nga jeta në orët e para të ditës së djeshme.

Nderimet

Shokët, miqtë dhe kolegët e tij mes dhimbjes për humbjen fizike u shprehën se ai mbetet i pavdekshëm, pasi ka lënë pas një emër të

madh, një jetë të gjallë e plot kujtime artistike. “Ai na la një boshllëk të madh dhe një mal me kujtime të bukura për arritjet e tij artistike dhe për aktivitetin e madh që ka bërë në artin e fushës së skenës dhe ekranit”, u shpreh Pëllumb Kulla, regjisor, aktor, shkrimtar, libretist, një nga majat e artit fierak e atij shqiptar. “Çdo teatër ka shumë aktorë, por 3-4 janë kolonat e tij. Dhe ai ishte kolonë për vlerat e tij, për talenti e tij, për forcën, për emocionin, zërin. Arritjet e tij zbukurojnë vlerat e teatrit ‘Bylis’”, shton Kulla. “Aktorët do ta mbajnë mend si një shok të mirë që u ndodhej gjithmonë pranë, ndërsa spektatori do ta kujtojë si një aktor të dashur që e mbushte sallën dhe ekranin me emocion”, tha aktori i mirënjohur i humorit Shpëtim Shehu. "Kur ka ardhur në teatër në vitin 1973 më ka gjetur dhe së bashku kemi luajtur në dramën “Heronjtë e Linasit” të Sulejman Pitarkës, ku Sherri u shqua për një interpretim artistik të shkëlqyer duke marrë qysh me daljen e parë vlerësimin më të mirë të publikut”, tregon Shehu. “Ne kolegët e tij e ndjejmë më shumë se kushdo dhimbjen dhe humbjen për Muhametin, aktorin që shkëlqeu në skenë dhe në filmat shqiptarë. E ndiejmë sepse skenës së Fierit dhe artit shqiptar i iku dhe një aktor kolonë, siç ishte Sherri”, tha një tjetër aktor fierak, Muhamet Xhelili.

Kush ishte Muhamet Sherri

Me një pamje të qetë dhe babaxhane, me një timbër zëri tejet karakteristik, me hapat e tij të lehtë në kontrast me fizikun e tij të madh, aktorin shumëplanesh fierak Muhamet Sherrin do ta shihje gati çdo mëngjes në hollin para teatrit. Me gazetën e përditshme ai e shfletonte ngadalë, lexonte çfarë i dukej më interesante, dhe pastaj pinte qetë-qetë mes miqsh të tij dhe kolegë kafen e mëngjesit, ku nuk harronte të hidhet edhe ndonjë anektodë të këndshme, apo të rifreskoheshin në memorien e secilit ose ndonjë rol, ose ndonjë detaj i vlefshëm kujtimi. Niste kështu dita për aktorin 62-vjeçar, mosha e të cilit edhe pse në pamje të parë nuk tregohej ishin rrudhat e thella që lanë brazdën e vet të kujtimeve të hidhura apo të lumtura qofshin, të këndshme apo të pakëndshme, sepse në fund të fundit jeta për secilin nga ne ka me qindra e qindra të papritura. Diku në një “bërrylakë” të jetës, një dëshpërim ngre krye, një padrejtësi për aktorin, një vuajtje apo një detaj i hidhur varfërie…, por gjithsesi vetëm kaq, pasi shpirti i tij i gjerë, si edhe vet pamja e kalon me atë buzëqeshjen nën mustaqe, e veçantë dhe babaxhane për Muhametin. Bluante në kokë mijëra skena e mizanskena, nga filmat kinematografike dhe dramat e komeditë e luajtura prej tij. Nuk janë pak, por me dhjetëra role të larmishëm, nga muzikantë, në bari, nga një zotëri në një varfanjak, nga një fshatar i thjeshtë në një hero…

Aktori Muhamet Sheri ka lindur në qytetin e Fierit në vitin 1949. Por me mburrje dhe krenari aktori thoshte se ishte nga Çamëria, pasi andej ishte origjina e tij, rrënjët e tij, ndërsa Fieri s’ka qenë gjë tjetër veç qyteti që e lindi, rriti dhe e mori në tokën e vet përgjithnjë. Pasi përfundoi Institutin e Lartë të Arteve në degën e dramaturgjisë. Në vitin 1973 u emërua në trupën e teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit. Qysh atë vit luan në dramën “Heronjtë e Linasit” të Sulejman Pitarkës. Më pas ai do të ishte prezent artistikisht në të gjitha pjesët që vinte në skenë teatri i Fierit dhe jo vetëm. Rolet më të spikatura te: “Brazda”, “Gjeneral Gramafoni”, “Udha e shkronjave”, “Gjëmimi i atij dimri” të Teodor Laços. Ai ka luajtur në rreth 15 filma dhe 62 role në teatër, duke formuar një galeri të tërë rolesh, por unë për momentin do të cilësoja dy”, tha Kulla. “Sherri shkëlqeu me rolin e Podo Ruzhaj te drama “Gjëmimi i atij dimri” dhe me rolin e Xhafo Idrizit te drama “Dy krisma në Paris”. Ai prezantoi me mjaft origjinalitet, emocion dhe mjeshtëri artistike figurën e plotë dhe të bukur të labit”, tregon Kulla. Për kontributin e shquar në fushën e artit Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e dekoroi 2 muaj më parë me titullin "Naim Frashëri i Artë” Muhamet Sherri ka luajtur në mbi 100 role kryesore dhe dytësore në teatër dhe kinematografi. Homazhet për 62-vjeçarin janë bërë në teatrin “Bylis” prej orës 15:00 deri në orën 16: 00 ku shumë qytetarë, kolegë dhe personalitete të artit skenik i kanë dhënë lamtumirën aktorit të madh që u nda nga jeta si pasojë e një sëmundjeje të rëndë, e cila e mundonte prej disa muajsh. Muhamet Sherri iku tashmë në botën e përtejme, por ka lënë pas një armatë të pafund arritjesh e realizimesh duke e ngritur edhe më lartë kështjellën e artit dhe kulturës shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›