E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura 2011, rregullat, procedurat dhe datat e publikimit të formularëve



Anilejda Shëmbitraku

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar rregulloren e plotë të Maturës Shtetërore 2011. Ashtu siç ishte deklaruar muaj më parë, maturantët e këtij viti do t`iu nënshtrohen rregullave të rrepta për të përfituar Diplomën e Maturës Shtetërore. Sipas rregullores, brenda datës 15 shkurt do të jetë gati formulari A1. Me anë të tij, maturantët do të caktojnë lëndët me zgjedhje që do të japin provim. Atë duhet ta plotësojnë patjetër të gjithë maturantët. Sipas rregullores, afati i fundit i dorëzimit në shkolla është data 10 mars.

Formularët
Brenda datës 30 qershor do të miratohet formulari A2. “Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në IALP duhet të plotësojnë formularin A2 brenda datës 30 korrik dhe ta dorëzojë atë në shkollë, pasi kandidati është njohur me të gjitha rezultatet e provimeve të maturës”, - përcakton rregullorja. Nuk do ta plotësojnë formularin A2 maturantët që rezultojnë mbetës në një nga provimet e detyruara ose me zgjedhje të maturës. Ndërkaq, është sanksionuar se rezultatet e secilit provim të maturës nuk kushtëzojnë hyrjen në provimet e tjera. Rregullorja përcakton të gjitha procedurat e aplikimit për në universitet për të gjithë maturantët që kanë mbaruar më parë shkollën e mesme dhe nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje. “Të gjithë personat që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2005-2006, kanë marrë dëftesë pjekurie dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në IALP, do të japin dy provimet me zgjedhje”, - thotë rregullorja. Sipas saj, regjistrimi për provimet me zgjedhje do të bëhet në shkollat ku ata kanë mbaruar, duke dorëzuar një listë dokumentesh.

Rezultatet
“Të gjithë personat që në vitet shkollore 2005-2006, 2006-2007, 2007-2008 dhe 2008-2009 kanë dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë shpallur fitues ose nuk janë regjistruar në asnjë nga programet e studimit të shkollave të larta për këtë vit, nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje”. Këtë përcakton rregullorja e maturës. Ata do t`u nënshtrohen provimeve vetëm në rastin kur e kërkojnë vetë. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këtë lëndë merret koeficienti që ka këtë vit. “Për të gjithë personat që në vitet shkollore 2005-2006, 2006-2007, 2007-2008 dhe 2008-2009 kanë dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga programet e studimit të IALP, rezultatet e arritura nga personi në provimet me zgjedhje në një vit shkollor ruhen (konsiderohen të vlefshme) edhe në vitet në vazhdim, edhe në rastin kur kandidati ka marrë vlerësim kalues vetëm në njërin nga provimet me zgjedhje (përveç rasteve kur personi kërkon ta rijapë lëndën)”, - thotë rregullorja.

Maturantët
Ata mbarojnë jashtë, detyrim provimi i gjuhës shqipe

Shtetasit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit, kanë të drejtë të vazhdojnë studimet e larta në Republikën e Shqipërisë, me kusht që të zotërojnë gjuhën shqipe në një nivel të pranueshëm për të vijuar studimet universitare. Zotërimi i gjuhës shqipe vërtetohet nëpërmjet dëshmisë së provimit që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt pranë Fakultetit të Filologjisë, në Universitetin e Tiranës. Shtetasit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit dhe që nuk kanë dhënë provimet ekuivalente me Maturën Shtetërore, për t’u pranuar në IALP, duhet të japin Matematikën dhe Gjuhën shqipe dhe Letërsinë, ose një nga gjuhët e huaja me zgjedhje, e konceptuar sipas standardit të testit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë.

PENALIZIMET
Çfarë ju përjashton nga provimet

Kush thyen rregullat e vendosura gjatë dhënies së provimeve do të përjashtohet nga Matura 2011. Në këtë mënyrë automatikisht humbet shansin për të kandiduar në shkollat e larta. Në rregullore janë renditur detyrat e nxënësve gjatë dhënies së provimeve me detyrim dhe atyre me zgjedhje. “Maturantit nuk i njihen rezultatet, në rast se ditën e provimit nuk është i pajisur me dokument identifikimi, nuk qëndron në vendin që i caktohet, përpiqet të japë provimin për një nxënës tjetër”, - thuhet në rregullore. I njëjti penalizim vlen edhe kur kandidati bën përpjekje të fitojë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit, merr ose jep kopje apo komunikon me nxënës të tjerë. Ndalohen gjithashtu edhe komentet lidhur me përmbajtjen ose zgjidhjen e testit. “Nga provimi përjashtohet edhe nëse përdor mjete shkrimi të ndryshme nga ato të specifikuara për këtë qëllim (të cilat janë: stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu). Rezultatet nuk njihen nëse kandidati mban me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve”, - saktëson rregullorja. Gjithashtu, duhet zbatuar procesi i sekretimit dhe maturantët nuk duhet të largohen më parë. Ata duhet të bëjnë kujdes që të mos heqin, shkruajnë ose dëmtojnë kodin e sekretimit (bar-kodin) të vendosur në test apo testin vetë duke e palosur, zhubrosur, grisur apo duke mos e dorëzuar. “Maturantët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, nuk duhet të dalin nga mjedisi ku zhvillohet provimi para dy orësh nga fillimi i tij, por të grumbullohen në një sallë, të përcaktuar që më parë”, thuhet në rregullore. Sipas saj, nëse testi që i jepet maturantit është i dëmtuar ose me faqe të bardha, ai ka të drejtë të kërkojë menjëherë ndërrimin e testit.

Vlerësimi
Ekuivalentimi i pikëve në notë

Sipas rregullores, vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga kandidati për kërkesën përkatëse mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga hartuesit e testeve. Vlerësimi i përgjigjeve të maturantëve në provimet e detyruara dhe me zgjedhje bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë. Pas përfundimit të çdo provimi të maturës, AVA shpall skemën e vlerësimit të testit.

Matura e mëparshme
Për të dhënë provimet me zgjedhje duhet të ketë:

1- Vërtetimi që ka mbaruar shkollën e mesme, i shoqëruar me notat e 4 (katër) ose 5 (pesë) viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse;
2- kopje e noterizuar e Dëftesës së Pjekurisë;
3- kopje e noterizuar e mjetit të identifikimit dhe kërkesa me shkrim për dhënien e provimeve.

24 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›