Ndërkombëtarët: Vrasjet në protestë, mos pengoni hetimin
TIRANË – Shtetet e Bashkuara dhe OSBE-ja u kërkuan institucioneve shqiptare që të mos e pengojnë procesin hetimor për zbardhjen e vrasjeve të ndodhura në demonstratën e opozitës më datë 21 janar. Fillimisht, Ambasada e Shteteve të Bashkuara, përmes ambasadorit Arvizu dhe më pas OSBE-ja kanë lëshuar deklarata të qarta menjëherë pas nisjes së hetimeve nga prokuroria dhe lëshimit të 6 urdhër-arresteve. Por, ende nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit pas akteve të dorëzuara nga organi qendror i akuzës. Krerët e misioneve diplomatike në Shqipëri kanë kërkuar që të ndërpriten protesta të tilla në të ardhmen dhe të nisë puna për rikthimin e dialogut mes palëve.
Hetimi
I gjithë faktori ndërkombëtar kërkon përgjegjësit për demonstratën e opozitës, e cila përfundoi me një bilanc të përgjakshëm: 3 të vdekur, një në koma dhe mbi 80 të lënduar. Paraditen e së shtunës, ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, u bëri thirrje autoriteteve të kryejnë një hetim të besueshëm. “Për ngjarjet e djeshme (më 21 janar) duhet të dalin përgjegjës, përfshi një hetim të besueshëm mbi mundësinë se ka pasur përdorim të tepërt të forcës”, - tha ai. Në të njëjtën linjë ishte edhe përfaqësuesi i Prezencës së OBSE-së në Tiranë, zoti Uollfart. Përmes një deklarate publike të bërë pasditen e djeshme, ai tha se “ndonëse e drejta për protestë paqësore është thelbësore për një qeverisje demokratike, ruajtja e rendit publik dhe sundimit të shtetit ligjor janë po aq të nevojshme për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve”. “Hetimi zyrtar i ngjarjeve të dhunshme duhet të lejohet të vazhdojë pa asnjë lloj ndërhyrjeje”, - tha Uollfart. Ai theksoi se “drejtuesit e vendit, si në qeveri, ashtu dhe në opozitë, duhet të veprojnë në mënyrë konstruktive dhe të dëshmojnë lidership në rikthimin e besimit publik dhe politik, në mënyrë që vendi të përqendrohet në qëllimet e tij kombëtare strategjike”.
Jo protesta
Aktet e dhunës, të shfaqura nga radhët e demonstruesve, por edhe nga sjellja e Policisë së Shtetit, u dënuan ashpërsisht nga gjithë faktori ndërkombëtar. SHBA, BE, OSBE, Këshilli i Europës, organizatat për të drejtat e njeriut kanë reaguar në një kohë të rrufeshme. Edhe dje ka pasur deklarata, të cilat janë përqendruar me ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë dhe me sjelljen e forcave politike në vend. “Ashpërsimi i mëtejshëm i ligjëratave politike publike, – qoftë përmes medias, qoftë përmes ngjarjeve të organizuara masive publike të planifikuara gjatë ditëve dhe javëve në vazhdim, – vetëm sa mund ta rëndojë një situatë tashmë të tensionuar”, - tha përfaqësuesi i OSBE-së.
Ndërsa ambasadori amerikan, Aleksander Arvizu, tha dje se ngjarjet në Shqipëri shënojnë një kthim të madh prapa për vendin. Ai u bëri thirrje që të shmangen protesta të ngjashme në të ardhmen. Dita e djeshme (21 janari), tha ai, ishte një ditë e tmerrshme për Shqipërinë. “Nuk pati fitimtarë. Pati vetëm të humbur”, - tha zoti Arvizu. Ai ka sqaruar në një konferencë për mediat se ka pasur biseda me kryeministrin Berisha, kryebashkiakun Rama, ministrin e Brendshëm Basha dhe me ministrin e Jashtëm, Haxhinasto, ku u ka përcjellë mesazhin dhe i ka nxitur të bëjnë çmos për të shmangur dhunë të mëtejshme”.
Problemi
“Korrupsioni, - tha ambasadori Arvizu, - është problem për Shqipërinë, por dhuna në rrugët e kryeqytetit nuk do ta zgjidhë këtë problem”. Nevoja më e madhe e Shqipërisë në këto momente, tha ambasadori amerikan, është udhëheqje politike. Udhëheqësit politikë të Shqipërisë duhet të gjejnë rrugë për kompromis, shtoi ai. “Kur njëra palë, apo të dyja, këmbëngulin në pozicione maksimaliste që dihet që pala tjetër nuk mund t’i pranojë, ky nuk quhet kompromis”, - tha Arvizu. Sipas tij, zgjidhja e mosmarrëveshjeve politike me anë të betejave në rrugë nuk është kompromis dhe nuk pasqyron aspiratat demokratike të Shqiptarëve.
Presidenti Topi, takim urgjent me ambasadorët e huaj
TIRANË – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pati mbrëmë një takim me ambasadorin e SHBA-ve, atë të KE-së dhe vendeve të Bashkimit Europian, për të diskutuar situatën politike në vend të krijuar pas demonstratës, të shoqëruar me akte dhune më 21 janar 2011 në Tiranë. Nga burime zyrtare mësohet se në axhendën e takimin ishin zhvillimet më të fundit politike pas demonstratës së opozitës, ku mbetën të vrarë 3 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Në këtë takim u përcoll një mesazh i qartë te kreu i shtetit, në cilësinë se kryetarit të KLD-së, për vijimin e hetimeve profesionale dhe pa ndërhyrje nga politika. Një tjetër çështje ishte edhe kriza e vazhdueshme politike dhe dhënia fund e situatës 18-mujore mes maxhorancës dhe opozitës, e cila është përshkallëzuar deri ditën e premte, duke shkaktuar pasoja të rënda për imazhin e vendit. Ambasadorët e huaj kanë përcjellë mesazhe të qarta dhe të ashpra për PD-në dhe PS-së, si dhe kanë denoncuar dhunën e shfaqur në demonstrimin e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Takimi me ambasadorët: Protesta e opozitës, sipas skenarit të paralajmëruar
Ministri Jashtëm informon ambasadorët e NATO-s dhe të BE-së
TIRANË – Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Jashtëm, zoti Haxhinasto, kërkoi dje një takim me përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të NATO-s dhe BE-së, ku i informoi se demonstrata u bë sipas një skenari të paralajmëruar nga opozita, ndonëse pati mesazhe nga faktori ndërkombëtar për demonstrime paqësore. Ai i informoi ambasadorët mbi protestat e djeshme të dhunshme të opozitës dhe mbi situatën e krijuar në Tiranë. Burimet zyrtare të Ministrisë së Jashtme pohuan se Haxhinasto theksoi se kjo demonstratë, e thirrur nga Partia Socialiste, kaloi në dhunë, sipas skenarit të paralajmëruar, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për një demonstrim paqësor dhe duke respektuar institucionet kushtetuese. Sipas tyre, shefi i Diplomacisë shqiptare vlerësoi qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar para, gjatë dhe pas protestave të dhunshme, duke shprehur falënderime të veçanta për qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për OSBE-në, BE-në dhe vende të tjera mike.
“Z. Haxhinasto theksoi se partitë politike duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë për aktivitetet që ato organizojnë dhe t’í udhëheqin ato deri në fund”, - thuhet në njoftimin zyrtar. Në Shqipëri, tha Haxhinasto, institucionet nuk mund të merren me dhunë, sepse ekzistojnë dhe janë funksionale të gjitha hapësirat dhe institucionet e nevojshme demokratike për të adresuar çdo problem politik. Haxhinasto nënvizoi se hetimi i plotë dhe i shpejtë i ngjarjeve është e vetmja mënyrë për të zbardhur se çfarë ka ndodhur dje. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se zoti Haxhinasto siguroi përfaqësuesit e huaj se institucionet e vendit dhe rendi kushtetues do të ruhen dhe qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë më tej me axhendën integruese dhe për zhvillimin e prosperitetin ekonomik të vendit, si dhe me axhendën e saj rajonale e ndërkombëtare”. Ky takim bëhet vetëm 20 orë pas demonstratës së bërë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku gjetën vdekjen 3 persona dhe u plagosën mbi 80 të tjerë. Komuniteti ndërkombëtar reagoi shumë ashpër disa orë pas ngjarjes, ashtu siç përcolli mesazhe paralajmëruese dhe qetësuese para zhvillimit të demonstratës së 21 janarit.
REAGIMET
Kreu i PE-së: Vdekjet, zile zgjimi për politikën shqiptare
STRASBURG - “Në emër të Parlamentit Europian shpreh keqardhje të thellë për humbjen e jetëve në Tiranë dhe bëj thirrje për qetësi e vetëpërmbajtje ndaj të gjitha palëve”. Kështu thuhet në deklaratën për shtyp të kreut të Legjislativit europian, Jerzy Buzek. “Humbja e pavend e jetëve të pafajshme në Tiranë duhet të jetë një zile zgjimi për të gjithë udhëheqësit politikë shqiptarë që përfundimisht të kapërcejnë qorrsokakun politik me anë të mjeteve paqësore, demokratike dhe kushtetuese, në mënyrë që të punojnë së bashku për një Shqipëri demokratike, të stabilizuar e të begatë dhe për një të ardhme europiane për qytetarët e saj”, - vazhdon mesazhi.
Ambasadorja britanike: Vrasjet, mos ia hidhni fajin njëri-tjetrit
TIRANË - Ambasadorja britanike në Shqipëri, Fiona Mekullam, ka shprehur shqetësimin e saj për situatën e krijuar në Shqipëri. Ajo e ka konsideruar demonstratën si të drejtë të çdo njeriu në të gjitha demokracitë. Sipas saj, dhuna dhe përdorimi i tepruar i forcës nuk është kurrë e pranueshme. “Unë jam e pikëlluar thellë nga dhuna dhe humbja e jetës së tre personave gjatë demonstratës së djeshme (e premte) në Tiranë dhe simpatia ime është me familjet e viktimave. Protesta paqësore është e drejtë themelore e njeriut në të gjitha demokracitë, dhuna dhe përdorimi i tepruar i forcës nuk është kurrë e pranueshme. Edhe një herë unë u kërkoj me forcë të gjitha palëve për të shmangur retorikën provokative dhe hedhjen e fajit. Kjo është për institucionet, jo politikanët, për të kryer një hetim të besueshëm dhe dhënien e drejtësisë. Më shumë se kurrë duhet dialog konstruktiv mes të gjitha partive politike për të rindërtuar besimin dhe për të gjetur kompromis, me qëllim forcimin e institucioneve demokratike të këtij vendi për të mirën e të gjithë shqiptarëve”, - është shprehur ambasadorja Mekullam.
Mesazhe paqeje dhe kompromisi nga Kosova
PRISHTINË - Edhe nga Kosova kanë ardhur reagime dhe mesazhe për kompromis mes palëve. Kryetari i Kuvendit, njëherësh ushtrues i detyrës së presidentit, Jakup Kraniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi, përcollën ngushëllimet për viktimat dhe kërkuan që të mos përdoret dhuna. Zoti Krasniqi i ka dërguar një telegram ngushëllimi Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, në të cilin shpreh keqardhje për viktimat dhe lëndimin e dhjetëra qytetarëve dhe policëve. Krasniqi theksoi se në këto momente të rëndësishme për perspektivën europiane të Shqipërisë është shumë i rëndësishëm stabilizimi i situatës, vetëpërmbajtja e spektrit të gjerë politik dhe gjetja e një zgjidhjeje institucionale për kapërcimin e kësaj situate. Edhe kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të shtetit shqiptar, spektrit të gjerë politik dhe qytetarëve që në këto momente jashtëzakonisht të rëndësishme për ardhmërinë integruese dhe zhvillimore të Republikës së Shqipërisë të ruajnë stabilitetin e vendit, duke i hapur rrugë bashkëpunimit dhe dialogut mes forcave politike, që është në interes të të gjithë shqiptarëve. Ai nënvizon se të gjitha forcat politike duhet të ruajnë frymën e solidaritetit dhe të bashkimit politik dhe qytetar, që është vlerë kulmore e shqiptarëve. Lidhja Demokratike e Kosovës ka dënuar veprimet e dhunshme, duke besuar thellë se të gjitha çështjet duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut politik. Në reagimin e kësaj partie thuhet se ngjarja në Tiranë dëmton rëndë demokracinë në Shqipëri, imazhin e saj dhe rrugën drejt Bashkimit Europian. Kjo parti bën thirrje që palët të zgjidhin çështjet me anë të dialogut politik dhe të distancohen nga veprimet e dhunshme. Ndërsa lëvizja “Vetëvendosje” nënvizon se në institucionet e shtetit shqiptar zakonisht shihen partitë pa popull, kurse dje u pa populli pa parti, u panë qytetarët e zemëruar me pozitën dhe të braktisur nga opozita. Kjo demonstratë tregoi hendekun midis qytetarëve të pakënaqur dhe qeveritarëve të vetëkënaqur, por edhe konfirmoi hendekun tjetër midis popullit dhe opozitës, thuhet në reagimin e kësaj lëvizjeje.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në reagimin e saj, bën thirrje për qetësi dhe maturi. Udhëheqësit shqiptarë do të gjejnë rrugën më të mirë të mundshme që ta tejkalojë këtë sfidë në interes të kombit dhe shtetit shqiptar, thuhet në reagimin e kësaj partie, në të cilin nënvizohet se derisa protesta paqësore është shprehje e ligjshme e pakënaqësisë, asgjë nuk mund të arsyetojë humbjen e jetëve të njerëzve. Ndërsa Aleanca Kosova e Re thekson se dhuna asnjëherë nuk ka qenë mjet i zgjidhjes së problemit dhe në këtë fazë të zhvillimit të Shqipërisë dhe rajonit, më së paku i duhet dhuna dhe vrasjet. Duke u bërë thirrje udhëheqësve politikë të Shqipërisë të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe gjuhës, e cila mund të nxisë akte të dhunës, kjo parti nënvizon se vetëm një Shqipëri e qëndrueshme, demokratike dhe e lirë do t’i kontribuojë paqes, stabilitetit dhe anëtarësimit të rajonit në Bashkimin Europian.
Engel:
Tërhiquni nga tensionet, zgjidhje paqësore
UASHINGTON - Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, kryetar i grupit të çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan, dënoi dhunën politike në Shqipëri dhe u bëri thirrje të gjitha palëve t’i zgjidhin mosmarrëveshjet paqësisht dhe nëpërmjet dialogut. “Jam thellësisht i dëshpëruar për humbjen e jetëve, - tha ai, - dhe u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjeve të viktimave”. Zoti Engel tha se të gjithë njerëzit në Shqipëri kanë të drejtën të demonstrojnë në mënyrë paqësore dhe të shprehin mendimet e tyre. Megjithatë, theksoi ai, dhuna e ushtruar për të avancuar pikësynime politike është thellësisht për të ardhur keq. Kongresisti Engel u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të tërhiqen menjëherë nga tensione të tilla tejet të dëmshme dhe t’i zgjidhin mosmarrëveshjet në rrugë paqësore dhe pa gjakderdhje.
Pitela:
Denoncuam përshkallëzimin e situatës
BRUKSEL – “Shqetësim i madh për atë çka po ndodh në Shqipëri”. Kështu deklaron zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian dhe anëtar i delegacionit për raportet me Shqipërinë, Xhani Pitela, në një reagim lidhur me situatën në vendin tonë. “Kishim denoncuar me kohë rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm të situatës dhe për këtë i kishim kërkuar qeverisë shqiptare të bënte drejtësi lidhur me denoncimet për mashtrime elektorale dhe të vendoste rregulla të sigurta për të ardhmen”, - shprehet Pitela. Sipas tij, klima që mbizotëron në Shqipëri, është dëshpëruese edhe për shkak të akuzave për korrupsion dhe nuk ndihmon aspak afrimin e këtij vendi drejt integrimit të plotë europian.
24 Janar 2011